Roberto Arlt | Shkak dhe marrëzi xhelozie

Published on

in

,

Ka djem të mirë, që bien në dashuri me të parën dhe ua nxinë jetën të dashurave të tyre duke shkaktuar shtrëngata xhelozie, që në të vërtet janë stuhi në gota uji, me rrebeshe lotësh dhe gjëmime ankimesh.
Përgjithësisht, femrat janë më pak xheloze se meshkujt. Dhe, kur janë të zgjuara, edhe pse janë xheloze, dinë ta fshehin shumë mirë këtë ndjenjë, pasi e kanë të qartë se shfaqja e një dobësie të tillë, do t´i dorëzonte të lidhura këmbë e duar tek mashkulli që u ka marrë mendtë. Sidoqoftë, ndjenja e xhelozisë është e denjë për t´u studiuar, jo për shqetësimet që shkakton, por për atë që mund të na zbulojë për sa i përket psikologjisë individuale.
Mund të vendoset ky rregull:
Me sa më pak femra të ketë pasur të bëjë një individ, aq më xheloz është.
Risia e ndjenjës dashurore turbullon, gati tremb dhe e çrregullon jetën e një individi që nuk është mësuar me shkarkesa dhe ngarkesa të rënda emocionale. Për këtë person, femra arrin të krijojë një fenomen hyjnor, të veçantë. Ai imagjinon se tërë atë lumturi që krijon tek ai, ajo mund t´ia shkaktojë edhe një mashkulli tjetër; dhe atëherë ky vë duart në kokë, i tmerruar nga mendimi se gjithë lumturia “e tij” është depozituar tek një femër, njësoj si në një bankë. Atëherë, mirë, ju e dini se në kohë krizash, zonjat dhe zotërinjtë që kanë depozita në institucionet bankare, nguten t´i tërheqin depozitat e tyre, të mbërthyer nga lajthitja e panikut. Diçka e ngjashme ndodh me burrin xheloz. Me ndryshimin që ai mendon se, nëse “banka” e tij falimenton, atëherë s´ka ku ta depozitojë tjetër lumturinë e tij. Kjo katastrofë mendore ngjet përherë me financierët e vegjël jo ekspertë dhe të dashuruarit e vegjël pa përvojë.
Shpesh, mashkulli është xheloz për femrën, mekanizmit psikologjik të së cilës as që ia ka haberin. Atëherë: për të njohur mekanizmin psikologjik të femrës, duhet të ketë të bëjë me shumë prej tyre dhe të mos zgjedhë pikërisht naivet, për të rënë në dashuri, por “dinaket”, finoket dhe të pacipat, sepse ato janë burim mësimesh të mrekullueshme për një mashkull pa përvojë dhe i tregojnë atij (patjetër, pa dashur) një mijë sustat dhe ingranazhet me të cilat “mund” të jetë i përbërë shpirti femëror. (Të ngelet e qartë se po them që “mund të jetë i përbërë” dhe jo që është.)
Të dashuruarit e vegjël, ashtu si dhe financierët e vegjël, kanë në kapitalin e tyre të dashurisë një ndjeshmëri aq të jashtëzakonshme, saqë ka femra që dëshpërohen kur gjenden përballë një mashkulli, të cilin dashurojnë, por që u merr shpirtin me idiotësitë e tij të pabaza.
Xhelozia është një ndjenjë inferiore, e ulët. Mashkulli, pothuajse përherë, është xheloz për femrën, të cilën nuk e njeh, nuk e ka studiuar dhe që, pothuajse përherë, ka intelekt më të lartë se ai. Si përfundim, xhelozia është zilia së prapthi.
Më e keqja e të treguarit xheloz, është se individi, pa dashur, e lë veten në dorë të femrës. Në këtë rast, femra mund të bëjë ç´të dojë me të. E përdorë atë sipas dëshirës së saj. Xhelozia (frika se mos e braktis ajo apo se mos i pëlqen dikush tjetër) nxjerr në pah karakterin e dobët të xhelozit, pasionin e tij ekstrem dhe mungesën e tij të qartësisë. Kështu, një mashkull i zgjuar, kurrë nuk ia shfaq xhelozinë një femre, madje as kur ndihet i tillë. I fsheh me kujdes ndjenjat e tij; dhe ky akt i vullnetshëm, i përsëritur vazhdimisht gjatë marrëdhënies me femrën që dashuron, më në fund, e vendos atë mashkull në një shkallë më lartë se ajo, deri sa, kur mbërrin në një pikë të caktuar vetëkontrolli të brendshëm, individi “arrin të kuptojë se mund të heqë dorë nga ajo femër, ditën që ajo nuk sillet me të ashtu siç e meriton”.
Në të njëjtën kohë, femra, e cila është mendjehollë dhe nuhatëse, më në fund e kupton se nuk mund të luajë me një karakter kaq të fortë e të patundshëm dhe atëherë, marrëdhënia mes dy gjinive rrjedh me një normalitet që rrallë herë mund t´i mungojë diçka, ose merr fund për të mirën apo qetësinë e të dyve.
Është e qartë, se për të ditur si t´i fshehim zotësisht ndjenjat e nëndheshme që na tronditin, nevojitet një stërvitje e gjatë, një stërvitje praktike e vullnetit. Kjo “stërvitje praktike e vullnetit”, është mjaft e shpeshtë tek femrat. Përditë ndeshemi me vajza që e kanë stërvitur vullnetin dhe interesin e tyre deri në atë pikë saqë plaken në pritje të burrit, duke e ruajtur rreptësishtë beqarinë. Thonë me vete: “Një ditë do ta gjej”. Dhe në disa raste, përnjëmend e gjejnë atë individin që i çon me kënaqësi dhe duke vallëzuar drejt Regjistrit së Gjendjes Civile, që në të vërtetë duhet të quhej “Regjistri i Pronësisë së Femrës”.
Vetëm femrat shumë të paditura dhe shumë të trasha, janë xheloze. Në ndryshim, pjesa tjetër, shtresë e mesme dhe më e lartë, i fsheh të tilla ndjenja. Gjatë lidhjes dashurore, shumë femra duken xheloze; disa janë vërtet të tilla. Por tek ato që duken si xheloze, zbulojmë se xhelozia është një ndjenjë që ka për qëllim t´i shprehë dashurinë e zjarrtë, që nuk ekziston, një budallai që beson tek dashuria vetëm kur ajo shoqërohet me xhelozi. Padyshim që ka individë, të cilët nuk besojnë tek dashuria, nëse ndjenja nuk shoqërohet me skena qesharake të rëndomta, siç janë vërtet, ato që bënë xhelozia, pasi realisht këto kurrë nuk zgjidhin ndonjë gjë.
Zonjat e martuara, pas një gjysmë dekade martesë (disa edhe më parë), e humbasin njëherë e mirë xhelozinë. Disa prej tyre, kur e marrin me mend se bashkëshortët e tyre kanë aventura të dyshimta, me shoqet e tyre, thonë:
– Burrat janë si fëmijë të rritur. Ndonjëherë duhen lënë të luajnë, pasi s´mund të mbahen tërë ditën ngjitur pas fustanit…
Dhe “fëmijët e rritur”, argëtohen. Madje, e harrojnë fare që dikur ishin xhelozë…

Përktheu nga spanjishtja Bajram Karabolli

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.