Vdekja e autorit.
Nëse do të bënim një përmbledhje të shkrimit të Bartit për këtë tekst do të përmendej vetëm fakti se kur autori nis të shkruajë, ai hyn në vdekjen e tij, në vetë shkrimin. Autori është personazh modern, pa dyshim i prodhuar nga shoqëria jonë në rrethanat që, në dalje nga mesjeta, me empirizmin anglez, me racionalizmin frëng dhe me besimin personal të reformës, ajo zbuloi prestigjin e individit, ose siç thuhet në mënyrë më fisnike, “të vetes njerëzore”.[1]
Sipas Bartit është gabim që kërkesa e llogarisë për krijimin e veprës të bjerë mbi autorin, dhe duket sikur na largon prej studimit biografik si element të analizës tekstore. Por përse duhet qenë kundër kësaj mënyre? Në Francë, Malarme e pa të arsyeshme të zëvendësonte ligjërimin me autorin, pasi është ligjërimi ai që flet, apo që autori nuk ndërfut elementë prej jetës së tij apo prej realitetit. Këtë gjë e vërteton dhe Juan Rulfo tek eseja “Sfida e krijimit”: “Mua më kanë kritikuar shumë bashkëfshatarët e mi se tregoj gënjeshtra, se nuk bëj histori apo se gjithçka që them e që shkruaj, thonë ata, nuk ka ndodhur kurrë dhe kanë të drejtë. Për mua kryesorja është imagjinata.[2]” Pra Uni largohet, nuk ka më person me laps e letër, ka personazh, ambient dhe ligjërim. Por po në Francë, Anatol Franc dhe Balzak vërtetojnë të kundërtën me veprat “Ishulli i pinguinëve” dhe “Iluzione të humbura”. Do të mjaftonin këto dy vepra për të vërtetuar që autori nuk futet në vdekjen e tij, përkundrazi, ai rilind jetën e tij, sigurisht me elementë imagjinativë dhe trillues, me figuracion dhe ironi.
“Lindja e lexuesit duhet të paguhet me vdekjen e autorit.”[3] Fjalia më goditëse dhe ndoshta më poshtëruese për autorin në kritikë. Pra kritika klasike paska bërë gabim që qenka fokusuar tek autori, ndërsa ajo moderne duhet të ketë në parim lexuesin. Duket sikur kemi të bëjmë me reklamim, me dobësim të letërsisë si art, me masivitet letrar dhe me deformim të procesit të krijimit, pasi tashmë autori do të krijojë për lexuesin e jo më për veten. Ndërkohë që Oruell i bën thirrje autorit që gjatë procesit të shkrimit, e vetmja gjë që duhet të bëjë është të mendojë se ai është më i miri, se gjithçka vërtitet rreth tij. Pra si mund të vdesë autori në këtë rast? Vetëm nëse do të kishte të bënte me lehtësinë e kritikës. Një kritikë do të ishte më e thjeshtë të ndërtohej mbi një tekst autori i të cilit njihet, sesa mbi një tekst ‘pa autor’.
Lindja e autorit
Autori është krijesë që lind me shkrimin, ndaj dhe nuk duhet lënë mënjanë, qoftë edhe për analizën apo kritikën tekstore, pavarësisht faktit nëse ndihmon ose jo në zhvillimin e saj. Ai është përbërësi kyç, ndaj dhe nuk mund të thuhet se ai vdes me fillimin e shkrimit, e për më tepër nuk mund të thuhet se arma e vrasjes është ligjërimi.
Nëse nuk do të kishte autor, nuk do të kishte shkrim, por si kundër argument përdoret fakti se në mos ai shkrimtar, shkrimin do ta sillte në jetë një tjetër. Këtë e vërtetojnë vepra të cilat në ndërtim janë mjaft të ngjashme[4], ajo që ndryshon është mënyra e të sjellurit të fenomenit. Por autorin e mban në jetë lexuesi, askush tjetër. Kjo ndodh për faktin se ky i fundit zgjedh të lexojë jo në bazë të ballinës, titullit apo recensës, por në varësi te emrit të autorit. Pra, nëse autori vërtet do të vdiste me nisjen e shkrimit, atëherë në botim të tij, do të kishim një vepër jetime, gjë për të cilën nuk mund të bihet dakord.
Një autor i vërtetë është ai që ‘vdes për veprën e tij’, por një autor i pavdekshëm është ai që jeton me veprën e tij. “T’i japësh autor një teksti do të thotë t’i imponosh atij teksti një shkallë ndalese, kjo do të thotë të mbyllësh shkrimin”[5]. Aspak e vërtetë, t’i japësh autor një teksti do të thotë të zgjerosh horizontin e studimit dhe kërkimit të elementëve të rinj të atij teksti. Për veprat e përmendura më sipër, e për të tjera krijimtari si ato të Konicës e të Nolit, nuk është imponuar aspak një shkallë ndalese, e për më tepër nuk u është dhënë fund studimeve apo kritikave mbi to.
Kurt Vonegut është një prej figurave kyçe të shkrimtarëve amerikanë të shek.. XX, mjeshtër i tregimeve satirike, romaneve dhe skicave. Një prej këshillave që ai ka dhënë në një intervistë është: “Merrni në hesap kohën e lexuesit – një njeri krejt i panjohur për ju – në atë mënyrë, që ai të mos mendojë për asnjë sekondë se po e humbet kohën kotnasikoti”. Pra, duket si një thirrje e bërë autorit që të jetë pjesë e veprës së tij, dhe që lexuesi në përfundim ta njohë, por po njësoj duket sikur ai e fton autorin vetëm drejt vdekjes së tij. Pra, letërsia moderne nuk e dëshiron autorin, pavarësisht rolit të tij kyç.
Xhek Keruak ka shkruar “Postulate dhe teknika për prozën dhe jetën”, janë meditime të vërteta në temën e letërsisë dhe të jetës në tërësi. Disa hulumtues pohojnë se në dhomën e poetit Alen Ginsberg në mur, varej një fletë me “Postulatet”, të cilat kanë vazhduar ta frymëzojnë atë të shkruajë poemën e famshme “Kuja”. Një autor që bëhet frymëzim për një tjetër. Lindja e një autori mund të shkaktojë lindjen e një tjetër autori. Prandaj vdekja e autorit nuk është e dobishme në një vepër letrare, qoftë me futjen e ligjërimit, qoftë me zhvillimin e kritikës. Autori duhet të jetë në vepër që të mund ta mbrojë apo që të mund të gëzojë suksesin e saj.
Lindja e lexuesit
Lexuesi nuk ka ekzistuar gjithmonë, në po të njëjtën mënyrë nuk ka ekzistuar as letërsia si krijimtari zbavitëse. Me kalimin e viteve numri në të dy kahet rritet. Për më tepër ai i lexuesve ka një përshkallëzim më të shpejtë, por a janë të gjithë lexues model? As që bëhet fjalë. Madje as autor model nuk ka. Vitet e fundit letërsia duket sikur është kthyer në tregti, shkruhet për lexuesin, pra autori e dëshiron me patjetër vdekjen e tij gjatë një shkrimi. Askush nuk kujdeset më gjatë procesit krijues që të jetë autori, të gjithë përpiqen të jenë lexues, madje dhe vetë krijuesi. Mendon gjithmonë e më tepër nëse do i pëlqejë lexuesit, nëse do të ketë shitje, nëse do të jetë “bestseller” (termi që shkatërroi letërsinë). Por a mund të jetë autori edhe lexues? Sigurisht që jo, pavarësisht se shumë autorë këshillojnë që ti je lexuesi i parë.
Autori nuk duhet të paragjykojë shkrimin e tij, ai ‘vdes’ kur punon me nervozizëm, kur punon në bazë të gjendjes shpirtërore thotë Henri Miler. Dhe kjo gjë të bën të rëndomë, të bën të marrësh pranë vetes lexuesin e thjeshtë dhe të jesh autor sezonal. Ndërkohë që lexuesi ka lindur si një trend vitet e fundit, duke bërë të mundur atë që Barti thotë, “Vdekjen e autorit”.
Dikur ishin aristokratët ata të cilët vendosnin të bënin një letërsi më të lexuar, ishin ata lexuesit elitarë, idealë, ndërsa sot të vlerëson reklama, publiciteti, të vlerëson lexuesi i thjeshtë, i paditur dhe jo profesionist, të vlerëson lexuesi të cilin e turbullon leximi i gjatë, lexuesi i cili nuk depërton përtej të zezës mbi të bardhë. Pikërisht lindja e këtij lexuesi solli vdekjen e autorit, pasi këta të fundit nuk bëjnë asgjë më tepër veçse mohojnë veten për të kënaqur një të panjohur i cili në fund të leximit nuk do kujtojë asgjë më tepër se pak subjekt të thjeshtë me romantizma dhe histori me dashuriçka boshe dhe patetike.
Lindja e një lexuesi të tillë bëri që autorët e mirëfilltë që shprehin atë çka shohin në mendjet e tyre të zhduken. E me të arritur këtë gjë, zhduket dhe vetë lexuesi, pra do të duhej të kalohej në një rotacion përsëri, ku do të kishim vdekjen e lexuesit dhe lindjen e autorit.
Me ardhjen në jetë të lexuesit të këtij formati ndryshojnë rolet, nuk është më autori ai që vendos se çfarë do të sjellë, është lexuesi ai që vendos se çfarë do të lexojë. Autorit i duhet të mbijetojë, lexuesi ka dëshirë të shpenzojë. Fundja është një sistem i tillë i cili të lejon të blesh dhe të ndjekësh atë që dëshiron. Servili në këtë rast është krijuesi. Balanca prishet, e bashkë me të edhe letërsia.
Vdekja e kritikut
Kritiku është ndihmës i prishjes së sistemit për të cilin u fol më sipër. Kritiku është gjallë sepse autori tashmë është i vdekur (në të shumtën e rasteve). Trinomi nis e ndërlikohet, marrëdhënia nis e bëhet lëmsh. Vdekja e autorit mban gjallë kritikun. Që kritiku të jetë gjallë, duhet të kemi gjallë dhe lexuesin. Por sot ka lindur një lexues i tillë që i dëshiron të dy të vdekur, dhe ia arrin qëllimit duke mos i përfillur.
Ndërkohë kritiku nuk shpërfill më vetëm autorin, por arrin deri në atë pikë sa shpërfill edhe vetë veprën, dhe kjo vetëm e vetëm që të bjerë në sy të lexuesit. Gjithçka po kthehet në reklamim dhe në biznes të mirëfilltë ku nuk e merr vesh i pari të dytin dhe ku është e pamundur të dallosh letraren nga jo letrarja.
Sot thuajse askush nuk merret me kritikë letrare, letërsinë e shet publiciteti dhe e ble paraja. Në këtë pikë Barti ka mjaft të drejtë kur flet për vdekjen e autorit. Nuk është më ai që flet në veprat e tij, është personazhi, narratori, ai që merr frerët në dorë dhe i thotë autorit që gjithçka përfundon pas fjalisë së parë, tashmë ata mund të jetojnë vetë. Mjaft tu japësh një emër, ambientin ku të lëvizin dhe braktisja vjen pa një pa dy. Ndërkohë që Barti mendon se kritiku është më gjallë se kurrë, dhe kjo vetëm e vetëm sepse merret me studimin e tekstit pa autorin nëpërkëmbë. Por nëse ky tekst do të ishte shkruar sot, me siguri do të përmendej dhe lexuesi dhe rëndësia e tij si komponent i tretë i cili ndihmon në plotësimin e trinomit të mbijetesës së letërsisë.
Ndoshta do të ishte e kotë që ky shkrim të zgjatej më tepër, ose ndoshta është zgjatur më tepër seç duhet, por të paktën vërteton që autori i këtij teksti është gjallë dhe se kritiku duhet ta marrë parasysh këtë gjë. Shkrimi nuk njihet me tituj të përgjithshëm, por edhe me emra të përveçëm. Do të ishte padrejtësi që për lehtësi pune dhe për mundësi manovrimi të vritej autori që të kryente punë kritiku apo lexuesi. Gjithkush ka lirinë e tij, gjithkush ndjek dëshirat dhe rrugët e tij. Cilido prej të treve ka vendin e vet në letërsi dhe duhet të kryejnë funksionet që u ka dhënë rastësia.
Mbyllje
Me Bartin nuk kam rënë dakord që kur kam parë titullin e shkrimit. I di mjaft mirë qëllimet e shkrimit duke qenë se janë studiuar rrjedhimisht dhe vazhdimisht. Ai i mëshon faktit që autori zhduket dhe se nuk ekziston në të e njëjta marrëdhënie me tekstin si babai me fëmijën, përkundrazi, na i shfaq si dy vëllezër, pasi teksti dhe autori lindin njëkohësisht me krijimin e të parit. Nëse do të ishte kështu, i bie që subjekti të jetë spontan dhe që është shkruar në mënyrë të pavetëdijshme. E njëjta gjë ka ndodhur me Antonio Tabuki në veprën Requiem (një shajni), ku vepra supozohet të jetë shkruar menjëherë në mëngjes si shajni e një ëndrre. Pra ka qenë e paplanifikuar. Në këtë rast kemi të bëjmë me kujtesën, pra nënndërgjegjja është aq e fuqishme saqë sjell në sipërfaqe kujtime mjaft të hershme të cilat mendohet që nuk ekzistojnë. Por kjo nuk e zhduk Tabukin, e as nuk bën që të lindë një autor tjetër me nisjen e shkrimit të rreshtave të parë.
Barti merr shembuj konkretë me emra të përveçëm dhe ndonjëherë më bën të mendoj se pavarësisht të gjithave, ai beson se autori është gjallë në secilën prej veprave të përmendura prej tij. Përkundrazi, unë do të kisha dëshirë të lexoja në këtë shkrim dhe diçka tjetër përveç “unë deklaroj e mbretërve ose unë këndoj e poetëve shumë të lashtë; duke e varrosur autorin, shkruesi modern nuk mund të besojë më…”, do të doja të lexoja që autori është gjallë dhe fshihet pas personazhit që krijon, pas ligjërimit. Në studime nuk përmendet asnjëherë autori thotë, por ai mbetet aty. Autori flet nëpërmjet elementëve modernë.
Mendimet e mësipërme janë të gjitha këndvështrime personale, dhe se duhet apo nuk duhet rënë dakord, secili ka të drejtën e tezave, hipoteza dhe studimeve. Fundja letërsia është art, ndërsa kritika shkencë shoqërore që rrallëherë sjell përfundime të njëmendshme.
[1] Vdekja e autorit, Bart Roland
[2] Sfida e krijimit, Rulfo Juan
[3] Vdekja e autorit, Bart Roland
[4] Biseda me Kafkën, Janosh Gustav
[5] Vdekja e autorit, Bart Roland


Leave a comment