Kufiri mes jetës dhe vdekjes | Gazmend Krasniqi

Published on

in

, ,

Vëllimi me tregime “Pesë vdekje” i Antonio Çikollarit

Antonio Çikollari guxon të hyjë në territoret e errëta të ndërgjegjes njerëzore. Tregimet e tij nuk synojnë të argëtojnë, por ta shqetësojnë lexuesin, ta përballin me frikën, me trupin, me heshtjen dhe me çmendurinë. Ai ndërton një univers ku realiteti përzihet me iluzionin, ku vdekja është po aq e gjallë sa vetë jeta dhe ku çdo gjendje njerëzore shndërrohet në metaforë të ekzistencës.
Tregimet e vëllimit kanë një tematikë të përbashkët: kërkimin e kuptimit të jetës përmes përballjes me vdekjen, vetminë dhe nënshtrimin shpirtëror. Personazhet nuk janë heronj, por qenie të thjeshta që ndodhen në kufirin e fundit të durimit, të arsyes dhe të trupit. Çikollari e sheh njeriun si qenie të copëtuar midis asaj që është dhe asaj që dëshiron të jetë. Në këtë mënyrë, letërsia e tij mund të përkufizohet si realizëm filozofik me prirje groteske, ku e përditshmja ngjitet në nivelin e simbolit dhe e shëmtuara kthehet në formë të bukurisë estetike.
Tregimi Bufi është ndoshta më përfaqësuesi. Ajo që për të tjerët është çmenduri, për Bufin është mënyra e vetme për të mbijetuar.
Rrëfimi në vetën e parë, monologues dhe herë delirant, krijon një strukturë të brendshme të çmendurisë: lexuesi e ndien se realiteti po shfaqet përmes një pasqyrimi të shtrembër, por të vërtetë në ndjesi. Në këtë tregim, Çikollari ndjek një procedim tipik të ekzistencializmit, ku çmenduria nuk është sëmundje, por një formë e re perceptimi: një mënyrë për të gjetur të vërtetën.
Në tregimin Varrezat toni zhvendoset nga psiko-rrëfimi te meditimi metafizik. Varrezat janë përshkruar si një qytet paralel, ku secili varr mban brenda një copë kujtese, një jetë që vazhdon në mënyra të padukshme. Çikollari e sheh vdekjen jo si fund, por si vazhdimësi të jetës në një formë tjetër.
Në plan letrar, përdor figura të përsëritura (varri, heshtja, era e lagësht, statuja) që krijojnë një ritëm liturgjik, sikur rrëfimi të ishte një ritual përkujtimi. Kështu, Varrezat shndërrohet në një parabolë mbi kujtesën, ku çdo njeri jeton për aq kohë sa dikush kujton emrin e tij.
Në tregimin Kancerozi Çikollari përdor procedimin ekspresionist: deformimin e realitetit për të shprehur ndjenjën, jo pamjen. Ai nuk i kursen imazhet e shëmtuara, sepse përmes tyre synon të zbulojë të vërtetën e zhveshur të njeriut: jeta nuk është e bukur, por e prekshme, e dhimbshme, e kalbshme.
Në këtë tregim, autori arrin të krijojë një estetikë të së shëmtuarës, një formë arti që, në vend ta fshehë realitetin, e përball lexuesin me të.
Në tregimin Nënshtrimi, vëmendja zhvendoset nga vetmia individuale te shoqëria. Një burrë ushqen qentë endacakë çdo mëngjes, por injoron një fëmijë të uritur që i kërkon ndihmë. Në fund, kur fëmija ulet bashkë me qentë për të pritur, njeriu e kupton se është pjesë e një bote që ka humbur ndjeshmërinë.
Në plan stilistik, tregimi ka një strukturë minimale – fraza të shkurtra, ritëm i ngadaltë, ton neutral – që thellon efektin moral të rrëfimit. Kjo teknikë ngjan me prozat ekzistencialiste, ku absurdi i jetës përvijohet përmes skenave të zakonshme.
Tregimi Pesë vdekje është një reflektim mbi kujtesën dhe përjetësinë. Gjyshja që rrëfen historitë e saj bëhet figurë mitike: një urë midis brezave, një kujtesë që mban gjallë botën. Çdo “vdekje” që përjeton rrëfimtari është një fazë e rritjes shpirtërore. Autori e shndërron vdekjen në mësuese: nga humbja mësohet jeta.
Këtu shfaqet një procedim rrëfimtar ciklik, ku fillimi dhe fundi takohen, duke krijuar një ndjesi rrethore të kohës. Struktura është më e butë, më poetike, me tone lirike që e dallojnë nga tregimet e errëta të mëparshme.
Tregimi është një gjini e nënvlerësuar para romanit, por unë kam menduar gjithmonë se gjinia kryesore e shkrimtarëve shqiptarëve duhet të ishte tregimi. Ai është një terren ideal për një shkrimtar: më pak rrezik, më shumë mundësi për mësim dhe një mënyrë e shkëlqyer për të ndërtuar themelet e mjeshtërisë letrare. Shkrimtarët shqiptarë shpesh kanë ide të mira, por hasin vështirësi në mbajtjen e vazhdueshme të strukturës dhe ritmit në një roman. Nga kjo pikëpamje, megjithëse ende në moshë të re, Antonio Çikollari është shkrimtar serioz që i qaset letërsisë me pjekuri konceptuale të parakohshme dhe me premisën për t’i ngjitur shkallët e artit në mënyrë profesionale dhe solide.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.