Shortarët | Gazmend Krasniqi

Published on

in

, , ,

Në disa prej takimeve tona, Gjon Shllaku, përkthyesi i njohur i Iliadës, më ka folur me entuziazëm për një tekst të vjetër, të njohur vetëm prej ndonjë bibliofili maniak, me autor një farë Heleni, bir i mbretit Priam të Trojës, plaçkë lufte te akejtë, pas përfundimit të luftës dhjetëvjeçare: emër që në disa burime përmendet si një i mbijetuar i vetëm i qytetit të rënë, në të tjera as që përmendet fare, si të donin ta zhduknin nga historia. Thuhej se përmbajtja e tij binte ndesh me versionin e njohur të Iliadës; se rrëfente për tradhti, rrënime të fshehta dhe një fund krejt tjetër për Trojën. Ndoshta prandaj është zhdukur për kaq kohë.

Disa thanë se teksti ishte trill i një studiuesi të shekullit XIX, të tjerë e përshkruanin si një dokument të mallkuar, që përçonte kujtesën e një qytetërimi të mbytur në harresë. Përkthyesi, i cili ka nxjerrë njëqind e shtatëdhjetë fjalë shqipe nga teksti i Iliadës – aty janë, thoshte duke bërë me kokë nga biblioteka e tij, por nuk i gjente dot – shpresonte të nxirrte edhe më shumë nga tjetri, pasi ky, për shkak të njohjes më të pakët, nuk duhej të kishte kaluar edhe aq nëpër duart e shkruesve grekë, për t’iu larguar shumë autenticitetit. Ai vdiq papritur, vetëm disa javë pasi më tregoi për ekzistencën e tekstit. Askush nuk foli gjatë për këtë. As unë, derisa gjeta dorëshkrimin.

Pra, në pranverën e vitit 2005, Gjon Shllaku nuk jetonte më, kur unë e gjeta këtë tekst në një bibliotekë universiteti në Londër. Teksti, tashmë jo në vargje, por në prozë, qe në anglishten e sotme. Gjithmonë për t’i ndejtur sa më pranë autenticitetit, nuk mëtova ta kthej atë në hekzametër, apo në 11-rrokësh, siç kishte bërë përkthyesi i Iliadës. Ja teksti i kthyer me besnikëri, pa titull në origjinal, derisa, ashtu siç ishte dëshira e përkthyesit, të biem ndonjë ditë në gjurmë të origjinalit të mirëfilltë. Tashti e kemi dëshminë se ai ekziston, e cila shpresojmë që një ditë të na çojë te burimi. Por tani që e kemi dëshminë se ai ekziston, sa më thellë hyjmë në të, duket gjithnjë e më pak si dëshmi, sepse sikur ka peshën e një paralajmërimi edhe për kohën tonë.

Prandaj është vënë ky titull prej nesh.

HELENI

Këndoje, o Muzë, Heshtjen, hyjneshën e vatrës familjare!

Aedët Homeri dhe Hesiodi, janë takuar në Eube, në oborrin e mbretit të atjeshëm, dhe bëjnë garë. Disa thonë se është nderuar Homeri, të tjerë thonë se ka fituar Hesiodi. Burimet më të besueshme thonë që gjyqtari i kësaj gare ka shpallur se kurorën e meriton ai i cili i këndon bujqësisë dhe zejeve të qeta, jo ai që i bën të pavdekshme luftërat e vrasjet. Por ithtarët e Homerit janë gjallë dhe të shumtë: për ta lufta është më e lehtë se puna, prandaj ngrenë në qiell idhullin e tyre dhe shajnë Hesiodin. Askush deri më sot s’e priste të dalë dikush e t’i thotë Odisesë: “Gjuha është begatia më e madhe e njerëzve, nëse ajo përdoret me maturi”. Askush s’e priste ta vlerësojnë punën, aq sa e vlerëson Homeri trimërinë, duke thënë kaq prerë: “Kurrë s’do t’i mbushë hambarët përtaci, as ai që s’di të kursejë”.

Sidoqoftë, për njerëzit është e qartë se nuk është më si dje: heronjtë ose kanë vdekur, ose nuk dinë si të sillen më në këtë botën tonë. Për fat (nëse mund të thuhet kështu), tashti që e shua Troja, askush s’po ia del të shpikë diçka tjetër si ajo, diçka që mund ta hedhë në luftë gjithë botën, megjithëse ata që s’e duan punën, duhet të mendojnë ditë e natë për të.

Çfarë dinë për luftën këta të rinj që u xixëllojnë sytë, kur përmenden heronjtë? Nga të gjithë këta njerëz që më rrethojnë këtu në Buthrot, askush s’mund ta imagjinojë tmerrin e Trojës si unë, bir i Priamit dhe i Hekubës, vëlla i Hektorit dhe i Paridit, vëlla i Kasandrës dhe i Poliksenës, xhaxha i Astianaksit të vogël, birit të Hektorit, emrat e të cilëve tashmë i njeh gjitha bota.

Anekënd dheut aedët i këndojnë kësaj lufte, pa e ditur se çfarë bëjnë me zemrat e këtyre të rinjve. E pra, dy nga heronjtë më kryesorë (njëri për vazhdimësinë, tjetri për finalen e saj) fillimisht kanë bërë çmos për t’iu shmangur asaj. Shumëkush e di se Odisea është hequr si i marrë, duke mbjellë tokat e veta me kripë, derisa ia vunë djalin Telemak përpara plugut. Nga ana tjetër, Akili u fsheh në oborrin e mbretit Likomed, në ujdhesën Skiros, ku i takoi të bijën, Deidameian, me të cilën pati djalin Neoptolem.

Siç thonë këngët e Homerit, historia e djalit Telemak mbisundohet nga historia e heroit Odise, por historia e djalit Neoptolem, megjithëse e shkurtër si ajo e të atit, vazhdon pothuajse me të njëjtin rrëmbim: këtë e dëshmoj unë, që qeshë plaçka e tij e luftës, sepse sot nuk mund t’u besohet të gjithë atyre që marrin përsipër të këndojnë. Në lindje, është quajtur Pirro, për shkak të flokëve të çelët, më vonë është quajtur Neoptolem, sepse erdhi vonë në Luftën e Trojës. Këto i di mirë, sepse qeshë unë arsyeja që erdhi atje: për fatin tim të keq, zotat kishin kumtuar te unë se Troja nuk do të binte pa ndihmën e tij. Për këtë e bindi Odisea, pasi ky tashti trashëgonte pajimet e luftës së heroit Akil. Zotat nuk donin që fati i luftës të merrte fund këtu: thanë se duhej të vinte edhe Filokteti, shoku i Herkulit, harkun dhe shigjetat e helmëta të të cilit i trashëgonte. Neoptolemi duhej të bindte Filoktetin e braktisur nga shokët në ishullin Lemnos, pasi e kishte kafshuar një gjarpër. Dëshmoj, gjithashtu, se Neoptolemi qe në barkun e Kalit të Drunjtë. Ma ka thënë vetë: qe diçka me të cilën krenohej.

Kështu bëri për vite me radhë: u krenua për vrasjen e Priamit, tim eti, të cilin e tërhoqi zvarrë nëpër tempullin e Zeusit, u krenua për vrasjen e Poliksenës, sime motre, meqë kur po ndahej plaçka e luftës, fantazma e Akilit kërkoi t’i flijohej kjo grua. Neoptolemi ia preu fytin të gjorës mu sipër varrit të heroit të paqetë. Ai krenohej për vrasjen e Astianaksit kërthi, por unë kam dyshuar gjithmonë se këtë duhej ta kishte bërë Odisea. Ma tha shumë vonë, në një çast zemërthyerjeje, se i kishte bërë këto bëma ngaqë ndjehej i shtypur nga fama e të atit. Kur i ra vlimi i gjakut dhe e kuptoi se qe edhe vetë qenie e vdekshme, si gjithë të tjerët, do të donte t’i harronte të gjitha, por ishte tepër vonë, pasi e shkuara nuk zhbëhej më, megjithëse këtë pata parasysh kur e porosita t’i linte të gjitha trashëgimitë për një mbretëri të re në një vend më të epërm, në Epir.

Megjithëse plaçka lufte, na trajtoi mirë edhe mua, edhe Andromakën, gruan e Hektorit të ndjerë, e cila i dha tre djem: Mollosin, Pergamin dhe Pielin. Deshën zotat, edhe ai nuk u zhgënjye prej nesh. Pas kthimit të Odisesë në Itakë, Neoptolemi u bind se ia kisha kursyer unë të gjithë ato që pat hequr shpikësi i Kalit të Drunjtë, sepse kur e takuam itakasin para nisjes nga Troja, i pata thënë zotërisë tim se “ai burrë do të ketë në shpinë zemërimin e Poseidonit, zotit të detrave, prandaj i duhen dhjetë vjet të tëra për të mbërritur në shtëpinë e vet”. E thashë këtë me një farë gëzimi, se nuk më hiqej nga mendja fakti që ishte ai flakësi i Astianaksit të vogël nga bedenat. Historia dëshmon se, më vonë, e shpëtova unë Enean (djalin e Ankizit) nga Skila e Haridba, kur kaloi këndej nëpër Buthrotum, me synimin për të kapërcyer detin e perëndimit: e mësova se si t’u shmangej atyre përbindëshave, që do t’ia përpinin shokët Odisesë. Në atë kohë e dija se pas dhunimit nga Ajaksi, mu në tempullin e Athinasë, të sime motre, Kasandrës, stuhia do të mbyste gjithë flotën akeje. Ka zëra që thonë se Neoptolemi u këshillua nga gjyshja Teti, perëndesha e detit, por s’kishte nevojë të vinte ajo nereidë mes nesh, të vdekshmëve: pra, qeshë unë që këshillova se duhej udhëtuar nëpër tokë, konkretisht nëpër Thrakë e Maqedoni.

Shortarët | Gazmend Krasniqi

Read Next:


Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.