Në të vërtetë kjo novelë nuk të le ndonjë përshtypje të mirë letrare në zhvillimin e subjektit që autori ka marrë përipër. Por ende ka elementë që ia vlejnë të përmenden si diçka e duhur dhe pozitive. Në lexim të parë, mendimi i krijuar për të është po aq bosh sa fillimi i konsumimit si vepër letrare. Në lexim të dytë vërehen ndikime dhe ndërfutje analizash apo filozofish në lidhje me interpretimin e ëndrrave dhe me figurën e mbinjeriut, sigurisht, duke mos e sjellë në trajtën e parë të fenomenit.
Ëndrra.
Në një moment të shtjellimit të subjektit hasim në përplasjen me një ëndërr. Një grua e bukur shfaqet në sytë e narratorit:
“Fustani i saj ishte kadife blu valëvitëse, dhe beli i saj i hollë ishte i lidhur me një kordë ari që e ujdisnin flokët e saj të verdha. Këmbët e saj qenë mbathur me sandale blu me lidhëse ari… Papritur e mora vesh kush ishte… ishte Virgjëresha Mari…”
Më pas zgjon të vëllain, por ai nuk sheh asgjë. Për të kaluar tashmë në interpretim. Problemet familjare ishin të mëdha, ishin të varfër, prindërit ishin martuar në një mënyrë të çuditshme, mamaja ishte shumë e shëmtuar në sytë e babait tashmë edhe prej viteve që mbartte në supe. Babai dyshohej se e tradhëtonte me gratë e shëmtuara dhe bythëmëdha që gjendeshin tek Onyx Bar. E kështu me radhë.
Prej dashurisë dhe dhembshurisë që kishte për mamanë e tij, ndoshta Virgjëresha Mari ishte një mirazh i dëshirës më të madhe që gruaja që e solli në jetë të ishte ashtu siç citohet më sipër. Pra deri diku na del në pah edhe një kompleks i përgjysmuar Edipi. Ai e adhuronte mamanë e tij, e respektonte mundin e saj për përkushtimin, për të nuk kishte tjetër femër më të bukur. Mirazhin që pa në mbrëmje e ngatërroi fillimisht me aktore apo modele që atë e joshnin, por përse kompleks i përgjysmuar? Sepse ajo femër e bukur duhet të ishte e tillë për babanë, që ai të mblidhej në shtëpi dhe të mos ngjyrosej më me të kuqin e femrave të përdala. Sepse femra që adoleshenti dëshironte aq shumë kishte një pamje tërheqëse dhe joshëse, mbi të gjitha vërteton njëmendësinë e meshkujve, pra ai e dëshironte për vete aq saç e dëshironte për babnë (që në këtë rast simbolizon bashkimin familjar). Por ka edhe një kah tjetër interpretimi për të justifikuar mirazhin e Virgjëreshës. Ai nuk besonte në Zot, e ëma po. Shpirti i saj ishte si i një shenjtoreje, ndërsa kurmi jo. Ndaj dëshira e tij e madhe bën që ai të kërkojë kurm dhe shpirt prej perfeksionit të kërkesave mashkullore. Subkoshienca e shfaqur nëpërmjet ëndrrës përmbys të gjithë mohimin e koshiencës në momentet kur ai mohon se i intereson lumturia familjare, vonesat e të atit, trishtimi i mamasë, etj.
Mbinjeriu.
Mosha e tij prej adoleshenti bën që ai të kërkojë më tepër seç duhet prej jetës. Ndoshta prej pasivitetit të familjarëve dhe varësisë së tyre ndaj diçkaje, ai kërkon të marrë vetë në dorë frerët e gjithçkaje. Hiqet sikur nuk i intereson asgjë veç vetes së tij, megjithëse në raste të caktuara del hapur kundër ideve egoiste të të jetuarit veçmas të dashurve.
Ëndrra e tij ishte gjithmonë të largohej dhe të bëhej i pasur, i famshëm dhe që e gjithë bota të fliste për të. Dhe në kulm të euforisë, ai mendon për shtëpinë. Nuk kërkon të bëhet punëtor ndërtimi, nuk dëshiron të ndjekë traditën familjare. Do me çdo kusht të udhëheqë familjen, të jetë i pari i saj. Vendimet që merr, veprimet që bën e dërgojnë drejt krijimit të një mbinjeriu në ide. Nuk është hera e parë (këtu futemi në elementët biografikë) që autori shfaq interesa ndaj filozofive të Niçes (vihet re dhe te “Pyesni Pluhurin”). Pra shtëpisë i nevojitet dikush që ta udhëheqë. E ëma nuk mundet, pasi ajo vetëudhëhiqet prej dikujt, gjyshja po pret orën për në botën tjetër, babai është një i papunë parazit që nuk di ku të harxhojë kohën, vëllai një adoleshent i paformuar dhe e motra shumë e vogël për të ditur ç’të bëjë. Që të jetë një mbinjeri, duhet të sillet si i tillë. Pra ai i kishte të gjitha. Ishte një djalë i zellshëm që nuk dëshironte të mbytej në skamjen e pafund. Kishte ambicien, ishte i zoti në diçka dhe nuk prapësohej pavarësisht fjalimeve dashakeqëse dhe pesimizuese, kishte xhelozinë mbi mikun e tij të pasur në kuptimin e mirë të fjalës, pra nëse dikush kishte diçka, nuk mund ta ndalte asgjë për ta pasur dhe ai. Por ishte i dobët ndaj ndjenjave. Gabimi fatal.
Zgjedhja më e dështuar e jetës së tij është që hoqi dorë. Ndrydhet në çastin final. Dhe këtu nuk kemi ndrydhjen e narratorit, kemi ndrydhjen e diçkaje më të madhe se ai, të autorit. Ai nuk e la krijesën e tij të jetojë jetën që dëshironte. U bë një baba i dytë dhe e pengoi rrjedhën e ngjarjeve. Së pari duke e bërë të kthejë vendimin e marrë për gjetjen e parave të nevojshme për largim, e më pas e pengoi të largohej pasi vetë babai real i tij i siguroi paratë për plotësimin e ëndrrës. Përmbysje e plotë e situatës. Mbështetësit iu bënë braktisës, dhe braktisësit mbështetës. Një deus ex machina, ndjenja, kujtimi, trashëgimia. Procesi i krijimit të mbinjeriut bie poshtë, shkatërrohet në një paragraf ajo që u ndërtua në një novelë të tërë. Arsyeja është komplet personale, ndryshe nuk do të ishte Fante për autor, por dikush tjetër. Në bazë të analizës mund të thuhet se në pah del hermetizmi familjar mbi atë të koncepteve filozofike apo psikologjike. Ajo mbyllje e klasifikon veprën në klishetë e kohës duke mos e bërë fort të pëlqyeshme.
Erotika fëminore.
Edukata seksuale është një ndër çështjet që të bie së tepërmi në sy gjatë shfletimit të faqeve të veprës në fjalë, veçanërisht padituria e tyre ndaj kësaj çështjeje. Kjo ndodh për shkak të mos informimit nga asnjë organ përgjegjës (në këtë rast shkolla apo familja). Kjo injorancë vihet re prej fillimit ku i vëllai i Dominik Molis mban të fshehur një revistë me modele gjysmë të zhveshura dhe e ruan atë si sekretin më të madh të jetës së tij. Arsyeja e veprimit justifikohet me frikën e të ngriturit të zërit prej babait si autoriteti i padiskutueshëm dhe mëkatit të kryer në bazë të parimeve teologjike prej besimit të nënës. Kjo anë e errët e dëlirësisë së fëmijëve rastis që të jetë e vizitueshme prej imagjinatave të gabuara dhe perceptimeve ireale krijuar prej mendjes së lirë të paditurisë.
Kjo teori vërtetohet më tej kur Dominiku vetë sheh padashur poshtë fustanit të vajzës së cilës ai pëlqente. Përplasja e imagjinatës me realitetin bën të ndodhë atë që Frojdi e hedh si hipotezë të tijën, duke mos e njohur realitetin ata krijojnë një mendim degradues për seksin dhe kështu i largojnë nga dëshira. Por kompleksi i bën të mendojnë se kanë bërë diçka të turpshme dhe i bën të vuajnë në ndërgjegjen e tyre fëminore për një kohë të gjatë. Në rastin e sipërpërmendur, Dominiku nuk e harroi kurrë atë skenë, por me t’iu zbehur ajo në kujtesë, i rinisi dëshira për ta pasur të tijën motrën e shokut të ngushtë.
Brenda qenies së tij si adoleshent thuajse 18 vjeçar lind dëshira e agrisivitetit dhe dhunës, shenjat e para në shfaqjen e dëshirës së vendosjes së pushtetit mashkullor megjithëse pa sukses. Shenjë kjo kryesisht prej mosinformimit të tij, por veprimit në mënyrë instiktive dhe të paarsyeshme. E vërteton më së miri skena ku ai tenton që përveç puthjes, t’i rrëmbejë vajzës pse jo edhe diçka më shumë, madje gjendja arrin deri në pikën ku ai me patjetër kërkon që të paktën të marrë një suvenir prej saj, të brendshmet.
Ai ka arritur në një pikë ku ka zbuluar shumë gjëra, dhe kjo i rrit dëshirën që këto zbulime t’i bëjë realitet, pasi pasi një dëshirë e përmbushur pjesërisht nxit ndjenjën dhe çorodit imagjinatën e tij, kështuqë fëmija mëkaton, ndërkohë që prindërit ende besojnë se ai nuk se çfarë është mëkati. Instikti seksual mungon tek fëmija dhe shfaqet në moshën e pubertetit. Pra Dominiku e ka kaluar atë moshë dhe padituria e tij dhe e prindërve çon në sjellje të tilla.
Përfundim.
Ligjërimi është i lirshëm dhe i përshtatshëm me gjithçka përbën tekstin. Duket sikur autori nuk e ka shtrënguar shumë imagjinatën, por e ka lënë dorën të rrjedhë aq shumë sa ai shkruan në zhargon dhe jo në standarde të pastër. Herë pas here vihen re ndrydhje dhe devijime të rrjedhshmërisë, dhe këtu duket sikur kërkon të tregojë që është ai që drejton. Vendos të ndodhin të papritura dhe zhgënjime tek lexuesi dhe mesazhi nuk përcillet i qartë. Nuk kërkon lexues elitar, pavarësisht se kërkon të jetë i veçantë. Gabimi më i madh në këndvështrim personal është liria e kufizuar dhe mbyllja e ambientit. Është larg mjeshtërisë së rrëfimtarisë, dhe lidhja e titullit me atë çka mbart brenda largohen në pika të caktuara për të qëndruar në rrafshe paralele. Mungesa e punës për babain, besimi i tepërt për mamanë, dështimi i largimit të tij në drejtim të suksesit, etj. Pra janë ngjarje të vjetra që jo domosdoshmërisht do e bënin vitin 1933 një vit të mbrapshtë. Por për aq kohë sa askush prej lexuesit nuk është autor, atëherë besoj se duhet ruajtur e drejta e krijuesit dhe të gjithëdijshmit.

Leave a comment