Konti Drakula|Woody Allen

Published on

in

, ,

Diku në Transilvani, përbindëshi Drakula fle në arkëmortin e tij, duke pritur të bjerë nata. Sigurisht që një ekspozim në rrezet e diellit do t’i shkaktonte shpërbërje të menjëhershme, kështu, ai qëndron i mbrojtur në dhomëzën prej sateni duke mbartur mbi supe emrin e mirë të familjes. Pastaj, çasti i errësirës vjen dhe falë një instinkti të mbinatyrshëm, ky dreq turret larg rehatisë së strofullës së tij, merr format e neveritshme të një lakuriqi nate apo të një ujku dhe vërdalliset nëpër fshat, duke pirë gjakun e viktimave. Më në fund, përpara se armiku i përbetuar, dielli, të shpallë ditën e re, ai nxiton në rehatinë e arkëmortit dhe fle, meqë cikli fillon nga e para. Dhe ja, tani, fillon t’i përzihet. Kapsalitja e syve është shenjë e një instinkti të pashpjegueshëm mijëravjeçar, që tregon se dielli është në të perënduar dhe koha për t’u zgjuar erdhi. Sonte, ndjehet veçanërisht i uritur, teksa dergjet aty, me pelerinën e tij të zezë, tanimë i zgjuar plotësisht, duke pritur të ndiejë me një perceptim të mistershëm, momentin e saktë të errësirës absolute përpara se të shpërthejë kapakun dhe të sulet, ai vendos kush do të jetë viktima e mbrëmjes së sotme: furrxhiu dhe e shoqja. Të lëngshëm, të gatshëm dhe syleshë. Mendimi për këtë çift halldup, besimin e të cilëve ka kohë që përpiqet ta fitojë, ia rrit epshin në një temperaturë aq të lartë, sa mezi i duron këto sekonda të fundit përpara se të dalë prej arkëmortit për të kërkuar prenë. Papritmas, kupton që dielli ka rënë. Si një engjëll i ferrit, ai ngrihet menjëherë dhe duke u shndërruar në një lakuriq nate, fluturon drejt shtëpizës joshëse të viktimave të pafajshme.
‘Pa shiko, Konti Drakula, çfarë surprizë e këndshme’ thotë gruaja e furrxhiut teksa i hap derën. (Tashmë, përpara se të hyjë në shtëpi ai ka marrë formën e tij njerëzore, duke fshehur me finesë qëllimin grabitqar.)
‘Ç’e mirë ju solli kaq herët?’ pyet furrxhiu.
‘Takimi jonë i darkës’ përgjigjet Konti. ‘Shpresoj të mos jem gabuar. Ju më ftuat për darkë sonte, apo jo?’
‘Po, sonte, por do akoma edhe shtatë orë.’
‘Më falni!’ pyet Drakula duke parë rreth e rrotull me habi.
‘Apo ke ardhur të shikosh eklipsin me ne?’
‘Eklipsin?’
‘Po. Sot është eklipsi i plotë.’
‘Çfarë?’
‘Disa momente errësirë deri në orën dymbëdhjetë, edhe dy minuta më pas. Pa shiko jashtë dritares.’
‘Obobo! Jam në telashe të mëdha!’
‘Hë?’
‘Ju lutem, më falni, por…’
‘Çfarë, Konti Drakula?’
‘Duhet të iki…oh Zot…’ Furishëm kërkon për dorezën e derës.
‘Po ikni? Po ju sapo erdhët.’
‘Po, por mendoj që e dreqosa keq fare…’
‘Konti Drakula, jeni shumë i zbehtë!
‘Vërtet? Kam nevojë për pak ajër të pastër. Ishte kënaqësi që ju pashë…’
‘Hajde, uluni. Do të pimë diçka.’
‘Të pi? Jo, duhet të vrapoj. Mm, keni shkelur pelerinën time.’
‘Sigurisht! Qetësohuni! Pak verë!’
‘Verë? Oh jo, kam hequr dorë, veshka dhe të tjera si këto, e keni parasysh dhe tani më duhet vërtetë të zhdukem. Sapo u kujtova… dritat e kështjellës…fatura do të shkojë në stratosferë…’
‘Ju lutem!’ thotë furrxhiu dhe hedh krahun në shpatullat e Kontit në shenjë miqësie. ‘Nuk na bezdisni! Mos u bëni kaq i sjellshëm! Edhe çfarë pastaj se keni ardhur herët!’
‘Jo, jo! Do të doja të rrija, por në anën tjetër të qytetit kemi konventën kombëtare të kontëve rumun dhe kam në përgjegjësi mezet.’
‘Nxito këtu, nxito atje, se mos të bie ndonjë infarkt.’
‘Po, pra…dhe tani…’
‘Do të bëj pilaf me pulë sonte.’ ndërhyn nusja e furrxhiut. ‘Shpresoj të të pëlqejë!’
‘Mrekulli! Mrekulli!’ thotë Konti me një buzëqeshje, ndërsa e shtyn atë te një grumbull me rraqe. Pastaj, hap gabimisht derën e një dollapi dhe futet brenda. ‘Oh Zot, ku është ajo dreq dere?’
‘Ah, ah’ zgërdhihet gruaja e furrxhiut ‘Sa i lezetshëm ky Konti.’
‘E dija që do të pëlqente!’ thotë Drakula duke furfulluar, ‘Tani, hiqmuni nga sytë!’ Më në fund hap derën e jashtme, por koha i ka kaluar.
‘Oh, shiko, grua!’ thotë furrxhiu ‘Eklipsi duhet të ketë mbaruar. Dielli po shfaqet përsëri.’
‘Sigurisht!’ thotë Drakula, duke përplasur derën kryesore. ‘Vendosa të qëndroj. Mbyllini grilat shpejt, shpejt. Lëvizni!’
‘Çfarë grilash?!’ pyet furrxhiu.
‘Nuk ka fare, apo jo? Sigurisht! Ka bodrum kjo mejhane?’
‘Jo’ thotë gruaja përzemërsisht, ‘Gjithmonë i kam thënë Jarslovit ta ndërtojë një, por ai asnjëherë nuk më dëgjon. Kështu e ka burri im!’
‘Ju kuptoj. Ku është dollapi?’
‘Po ju sapo ishit aty, konti Drakula. Gruaja dhe unë qeshëm njëherë me këtë. Ah, sa i lezetshëm, ky Konti!’
‘Shikoni, do të qëndroj në dollap. Trokisni në shtatë e gjysmë.’ Si thotë këtë, Konti futet në dollap dhe përplas kanatin.
‘Ha, ha, ha- sa gallat, Jarslov!’
‘Oh, Kont! Dilni nga dollapi. Mos bëni budallalliqe!’ Nga brenda dollapit dëgjohet zëri i mbytur i Drakulës.
‘S’mundem, ju lutem, më besoni. Vetëm më lejoni të qëndroj këtu. Jam shumë mirë. Me të vërtetë!’
‘Kont Drakula, lërini lojërat. Mezi po e mbajmë të qeshurën.’
‘Më lejoni t’ju them, e dua këtë dollap.’
‘Po, por…’
‘E di, e di…duket e çudishme dhe ja ku jam, duke ia kaluar për mrekulli. Dje po i thoja zonjës Hes, më jepni një dollap të mirë dhe unë mund të rri për orë të tëra. Një grua e mirë, zonja Hes. E shëndoshë, por e mirë…Tani, pse nuk vazhdoni punët dhe kaloni përsëri pas perëndimit. Oh, Ramona, la da da da de da da de, Ramona…’
Tani mbërrijnë Kryetari i Bashkisë me të shoqen, Katian. Ata po kalonin aty afër dhe vendosën të përshëndesnin miqtë e tyre, furrxhiun me të shoqen.
‘Përshëndetje, Jarslov! Urojmë mos t’ju bezdisim!’
‘Sigurisht që jo, zoti Kryetar. Dilni, konti Drakula. Na erdhën miq.’
‘Qenka Konti këtu?’ pyet i çuditur Kryetari.
‘Po dhe nuk ke për ta gjetur kurrë se ku.’ thotë gruaja e furrxhiut.
‘E shohim shumë rrallë kaq herët. Në fakt, nuk më kujtohet ta kem parë ndonjëherë gjatë ditës.’
‘Epo, ja ku është. Dilni nga aty, Konti Drakula’
‘Ku është?’ pyet Katia, pa ditur ç’të bëjë, të qeshë apo jo.
‘Dilni jashtë tani! Eja!’ Gruaja e furrxhiut po bëhej e paduruar.
‘Është në dollap.’ thotë furrxhiu si në faj.
‘Vërtet?’ pyet Kryetari.
‘Dilni!’ thotë furrxhiu duke u shtirur sikur është e gjitha një shaka, ndërsa troket në kanat. ‘Me kaq mjafton. Erdhi kryetari tani.’
‘Dilni jashtë, Drakula!’ bërtet Shkëlqesia e tij. ‘Le të pimë nga një gotë.’
‘Jo, vazhdoni. Kam punë këtu brenda.’
‘Në dollap?’
‘Po, mos e prishni terezinë për mua. Dëgjoj shumë mirë çfarë thoni, do t’ju bashkohem në qoftë se do kem diçka për të thënë.’
Të gjithë shikojnë njëri-tjetrin dhe mbledhin supet. Shërbejnë verë dhe pinë.
‘Çfarë eklipsi sot!’ thotë Kryetari teksa kthen gotën.
‘Po!’ bie dakord furrxhiu. ‘I pabesueshëm!’
‘Po, po, drithërues!’ thotë një zë nga dollapi.
‘Çfarë, Drakula?’
‘Asgjë, asgjë. Lëre fare.’
Dhe kështu, kaluan orët, derisa Kryetarit nuk i durohet më, e hap me forcë kanatin e dollapit dhe bërtet ‘Hajdeni, Drakula! Gjithmonë më jeni dukur njeri serioz. Ndaloni me këto çmendurira!’
Drita e diellit hyn dhe e tkurr përbindëshin e keq. Ai shpërbëhet ngadalë në një skelet, e pastaj në pluhur, përpara syve të katër të pranishmëve. Gruaja e furrxhiut ulet tek pirgu i hirit në fund të dollapit dhe thotë:
‘Domethënë, anulohet darka sonte?’

Përktheu nga anglishtja: Anila Balla

One response to “Konti Drakula|Woody Allen”

  1. Filologus_26 Avatar
    Filologus_26

    Reblogged this on Filologus.

    Like

Leave a reply to Filologus_26 Cancel reply


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.