Përrallat rrugaçe | Ana Maria Matute

Published on

in

, ,

Të pakta janë gjërat aq të ngarkuara me magji sa fjalët e një përralle. Ajo përrallë e shkurtër, plot sugjerime, padrone e një fuqie të çuditshme që merr dhe vendos krahë drejt botëve ku as toka e as qielli nuk ekzistojnë. Përrallat përfaqësojnë një nga aspektet më të paharrueshme dhe intensive të fëmijërisë së hershme. Çdo fëmijë ka dëgjuar të paktën një rrëfim të tillë. Një rrëfim që nuk duhet shkruar dhe që mbart peizazhe dhe figura nga zëri në zë, duke lëvizur më shumë nga imagjinata e dëgjuesit sesa nga fjala e narratorit.

Kam arritur të besoj se gjithmonë ka vetëm gjysmë duzine histori. Por përrallat janë udhëtarë të papenduar. Krahët e përrallave lëvizin më shpejt nga sa mund të besojë logjika. Janë qytetet, fshatrat, ata që marrin rrëfimet – gjatë netëve, butësisht, në dimër. Përrallat janë si era që depërton nëpër të çarat e dyerve me një zë rënkues, që futet deri në palcë, me një dridhje të hollë dhe të thellë. Madje ka përralla të tilla që ju detyrojnë të shkoni më tej, të mblidheni rreth zjarrit me duart fshehur mes këmbëve dhe me sytë mbyllur.

Them që fshatrat i marrin këto gjatë natës. Prej mijëra vjetësh janë çapitur nëpër male, dhe flenë nëpër shtëpi, në cepa hambarësh, në zjarre. Mërgimtarë, si pelegrinë. Kjo është arsyeja përse rrëfehen më së shumti nga të moshuarit e pa gjumë dhe nostalgjikë.

Përrallat janë renegate, rrugaçe, me diçka nga pavetëdija dhe mizoria infantile, me diçka misterioze në vete. I bëjnë njerëzit për të qarë e për të qeshur, harrojnë se ku kanë lindur dhe përshtaten me zakonet dhe kulturat e vendit ku ndodhen. Po, vërtet, nuk ka më shumë se gjysmë duzine histori. Por sa fëmijë kanë mbetur në gjysmë të rrugës!

Ime gjyshe më rrëfente historinë e Vajzës prej bore kur isha e vogël. Ajo vajzë dëbore, në buzët e sime gjysheje, qe vendosur në mënyrë të pakthyeshme në peizazhet e maleve tona, në një kodër të lartë të Kastijas së vjetër. Fshatarët e asaj përralle ishin për mua një palë fshatarë me ngjyrë të errët dhe të ashpër, fjalëpak dhe me një vështrim të humbur, siç i kisha parë në tokat tona. Një ditë, fshatari i kësaj historie pa se po binte borë. Atëherë pashë me sytë e tij një dimër malor, me trungje sterrë të zeza pemësh të mbuluara me lagështi, me yje që vezullonin. Pashë rrugë të pafunda, male të lartë dhe qiellin gri me re të gjata, të cilat dukeshin sikur kishin një reliev prej gurësh. Personazhi i përrallës, i cili pa borën, ishte shumë i trishtuar pasi nuk kishte fëmijë. Doli mes dëborës, dhe me të bëri një vajzë. E shoqja e shihte prej dritares. Ime gjyshe më shpjegonte: “Këmbët nuk i dolën dhe aq mirë. Hyri në shtëpi dhe e shoqja i dha një tigan. Kështu, u përpoqën t’i bënin sa më të rregullta të ishte e mundur.” Imazhi në kokën time nuk mund të vështirësohej më shumë se kaq. Sidoqoftë, për mua, në atë kohë nuk ishte asgjë e natyrshme. Mund të shihja në mënyrë të përsosur gruan, e cila mbante në duar një tigan të zi blozë. Mbi të shquhej bora e bardhë, e gjallë, e vajzës. Dhe unë vazhdoja të shihja qartazi, sesi burri i vjetër krijoi këmbët e vogla. “Më pas vajza nisi të flasë”, vazhdoi gjyshja ime. Këtu ndodh mrekullia e përrallës. Magjia e saj vërshoi në zemër me një shi si të ëmbël, ashtu dhe të ashpër. Dhe filloi të tronditë  botën e re dhe të shqetësuar. Ishte kaq e natyrshme që vajza e borës të fillonte të fliste… Në buzët e sime gjysheje, brenda përralltarisë dhe peizazhit, nuk mund të ndodhte ndryshe. Më vonë gjyshja më tha se vajza e borës u rrit dhe u bë shtatë vjeç. Por ja ku mbërriti nata e Shën Huanit. Në përrallë, nata e Shën Huanit ka një aromë, një temperaturë dhe një dritë që nuk ekziston në realitet. Nata e Shën Huanit është një natë posaçërisht për përralla. Me aq sa më vjen në mend, flakët kërcasin në mënyrë të atillë që të kujtojnë acarin dimëror. Dhe gjyshja më tha: “Të gjithë fëmijët kërcenin mbi zjarr, por vajza e dëborës kishte frikë. Në fund, ata e tallën aq shumë, saqë e detyruan të marrë një vendim. Dhe pastaj e di çfarë ndodhi me vajzën e borës?” Po, e merrja me mend. E shihja tek kullonte deri në shkrirje. Derisa u zhduk. “Dhe nuk e shoi zjarrin?” pyesja unë me një dëshirë të ndrydhur. Eh, këtë ime gjyshe nuk e dinte. Dinte vetëm që prindërit u tretën në lot prej humbjes së vajzës.

Nuk ka shumë kohë kur mësova se Vajza e borës, të cilën gjyshja e kishte përshtatur sipas mënyrës së saj, ishte në të vërtetë një legjendë e lashtë ukrainase. Por sa ndryshe që ngjante në buzët e sime gjysheje! Vajza e borës kaloi male dhe lumenj, mbathte çizme qafëgjata apo sandale, qe thuajse zbathur a me çorape, kishte veshur një kësulë të kuqe a të bardhë, ishte bjonde a flokëzezë, ishte zbukuruar me monedha ari a me kopsa bakri dhe erdhi tek unë si fëmijë, me një jelek të zi dhe me flokët gërshet. Vajza e borës do të largohej më vonë, mendoj unë, si ata zogjtë që kërkojnë përjetësisht, në përralla, vendet fantastike ku shkëlqen gjithmonë dielli. Dhe atje, në vend që të shkrihet a të zhduket, do të jetojë e shëndetshme dhe e ngrirë, me një fustan krejt tjetër, me një gjuhë tjetër, duke u shndërruar çdo ditë në ujë mbi zjarrin që, qoftë në pyll a në shtëpi, do të digjet veç për të. Historia e vajzës së dëborës, njëjtë si ajo e vëllait të mirë dhe vëllait të keq, apo e koprracit dhe djalit të tretë budalla, apo si ajo e njerkës dhe zanës së mirë, do të udhëtojë në të gjithë popujt. Në vendet ku nuk njihet ende treni, përralla do të ecë.

Përralla është dinake. Depërton në verë, në gjuhët e grave të moshuara, në historitë e shenjtorëve. Bëhet melodi e ngathët në fytin e një endacaku që dehet në tavernë dhe luan në kitarë. Fshihet në udhëkryqe, në varreza, në errësirën e mullarëve. Rrëfimi largohet, por lë pas gjurmët e tij. Dhe i tërheq këmbët zvarrë njëjtë si qentë që lehin pas karrove në rrugët e boshatisura.

Përralla shkon e vjen natën, duke marrë nën krahë ankthin e pakët të fëmijëve. Tinëz, duke duruar të ftohtin e ulluqeve, zhduket. Ndonjëherë bëhet mashtruese, ose e pafajshme, ose mizore. Gjithmonë, duke vjedhur nostalgji, me zemrën e saj të vjetër endacake.

Përktheu Antonio Çikollari

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.