Anë e mbanë mbretërisë së Francës nuk kishte koleksion më të bukur bastunësh se ai i markezit Amede Baptist Honore i Tur de Sadëmazos.
Ky pasion për bastunët ia kishte brejtur zemrën që kur ishte në moshë të vogël. Ishte rrjedhojë e edukimit që kishte marrë në një kështjellë provinciale. Shumë shpejt e kishin mësuar të tregonte lartësinë e origjinës duke e nxitur t’u thyente brinjët me shkopinj me gjemba fshatarëve të vegjël, shokëve me të cilët argëtohej.
Që në moshën e pubertetit, ishte thirrur në oborr për t’i shpënë mbretit, sapo agonte, mbi një jastëk të vogël, llastikun e çorapeve të këmbës së djathtë. Kjo detyrë e rëndësishme, e cila tërhoqi armiqësinë e kurtizanëve, pat ndihmuar për shtimin e pasurisë, një pjesë të së cilës e shpenzoi për koleksionin e tij të bastunëve.
Në fillim kishte mbledhur vetëm bastunë me dru xunkthi, frashëri, prej kocke a briri, për t’u marrosur me të shpejtë pas drurëve të rrallë ekzotikë dhe gurëve të fortë. Dërgonte intendentin kryq e tërthor në tokë e në dete me urdhërin për t’i sjellë me çdo çmim bastunët më të çmuar. Ky intendent, me emrin Abel Lamaguj, noter i dikurshëm dhe i papunë i tanishëm, ishte bërë njohës i pafjalë i bastunëve. I duhej të tregohej i kujdesshëm nëse nuk dëshironte që kur të kthehej prej ekspeditës t’ia thyenin për shpine atë ç’kish gjetur.
Pak nga pak Abeli kishte mësuar të mos ngatërronte drutë ishullorë me degë të zakonshme vardhe. Në Indi kishte blerë me flori bastunë të mrekullueshëm ,e dorëzë prej guri të çmuar; në Gjermani me dorëzë porcelani të brishtë; në Egjipt prej gualli.
Nuk kishte gjë më lumturuese për markezin. Në shërbim të tij, ishin marrë me qira galera që përshkonin dy lega në orë, kjo falë aftësisë së oficerëve të zgjdhur me kujdes nga elita e anijeve mbretërore dhe padyshim falë mirëkuptimit të mbretit që kishte pororsitur parlamentin të dërgonte si rremtarë një numër të madh keqbërësish.
Kështu pra Abeli, mbështetur mbi gardh të bashit, bridhte dhe ëndërronte për bastunin e rrallë që do të sillte. Për të qenë më i qetë në botën e tij, herë-herë kërkonte shtupën e drunjtë për tu mbyllur gojën rremtarëve të cilët nuk pushonin një grimë, por ulërinin apo me qëllim ngrinin zërin më tepër seç duhej.
Në tokë, vizitonte zejtarët që punonin për llogari të tij, të cilëve u rrëmbente duarsh veprën e sapo sosur, por asnjëherë pa hedhur ndonjë qese mbi tavolinë. Kështu pra si shtonte koleksionin e bastunëve të zbukuruar me koka kafshësh, hyjnish, kafka të vdekurish, me personazhe historikë.
Për markezin, bastunët nuk i qenë përkushtuar vetëm rolit letargjik si pjesë koleksioni. Ai i donte të dobishëm, të gjallë, me një fjalë, për t’i përdorur. Jo për të goditur dyshemetë kur hidhej prej karriges, apo pët tu mbajtur: atë përdorim ua linte ngaherë kurtizanëve pleq m mollëzat e faqeve të ngjyera në këna.
Për Amedenë, bastuni ishte simbol i autoritetit, gjithnjë në përshtatje me situatën. Për shembull në teatër merrte me vete bastunin me dorëz fildishi, ku ishte gdhendur një qen duke lehur, dhe kur nuk i pëlqente aktorja, ngaqë keqtrajtonte autorin, pakënaqësinë e shprehte duke i rënë me shkop parmakut të lozhës. Të tjerët ia kthenin me të njëjtën monedhë, sepse aktoret e shpërqëndruara nga bastuni nuk mund të shpreheshin pa rrotulluar në ajër shkopinj abanozi stolisur me kordele.
Edhe pse pjesë e Oborrit, Amedeja nuk ishte i mbrojtur nga shkruesit e epigrameve. Kur bënin ta shanin në ndonjë gazetë, mblidhte stallierët, i armatoste me bastunë prej kocke ose briri dhe i urdhëronte ta prisnin fajtorin në krah të Pont Neuf-it. Vetë qëndronte te një dritare e Luvrit nga ku shihte ngjarjen i kënaqur.
Kur shkruesi fatkeq, që hante dru, kërkonte me përgjërim të falura i penduar si derr, markezi largohej duke thënë: “E mori dhe një tjetër diplomën e Parnasit.”, që do të thoshte: “Edhe një tjetër që nuk ka për t’u kthyer më.”
Amedeja nuk e bënte kurrë veten të rrihte ndonjë tjetër që nuk ishte nga të shtëpisë. Përsa u përket atyre që jetonin në banesën e tij, sigurisht i rregullonte vetë. Kështu, shërbëtorët kalonin dita më ditë nga “huri”. Markezi ishte i bindur se kjo ishte mënyra më e mirë për të marrë shërbimin më të mirë prej tyre.
E digjte salcën kuzhinieri? Bastuni me dorëzë si kokë viçi bëhej pjesë e bisedës.
Thyente ndonjë vazo shërbëtorja? Rradha i vinte bastunit me dorëzë si kokë pate.
Kur bëhej fjalë për pjestarët e familjes, për shembull i biri, markezi e nderonte atë duke zgjedhur bastunin e zbukuruar me gjethe dashtre të arta ose bastunin me kokë mitologjike prej ebaniti dhe rubinësh, i zbukuruar me motive gjethesh opali.
Nëse e kishte marrë malli për ndonjë prej djemve të tij të kurorës, për mirësjellje përdorte bastunin me kokë të brirtë që paraqiste një skllav me sy ngjyrë të hirtë.
Gruan nuk e qëllonte anipse dëshira nuk i mungonte. Kënaqej kur ëndërronte kur e shoqja qëndronte përpara një shkopi bambuje javanez me dorëz si kokë gaztori.
Këto rrahje me shkop ishin bërë po aq të domosdoshme për markezin sa edhe ajri apo ushqimi. Meqenëse atë kohë përdorimi i bastunit për të rrahur ishte diçka e zakonshme, një e dhjeta e popullsisë, për shkak të së drejtës që buronte nga origjina, argëtohej duke i përdorur bastunët për të rrahur nëntë të dhjetat e tjera.
Amedeja kishte gjithashtu një bastun për sekretet ku fshihte hera-herës pendën, dorezat, faqoren, kapsulat e opiumit, syzet, dylbinë, hapet e dyllit, briskun për marrjen e gjakut, mbajtëset e kremit të fytyrës, pudrën e parukave dhe rezervën e arsenikut për njerëzit që nuk e kishin për zakon të hanin dru.
Sadëmazoja nuk zhytej në labirintet e monotonisë. Punën e niste pas një studimi të hollësishëm të pjesës ku duhet të binin të goditurat.
Tek gratë parapëlqente pjesët e tulta, ndërsa tek burrat kurrizi ose shpatullat i dukeshin më hijerënda për përdorimin e bastunit, ndërsa te shërbëtorët e rinj në moshë pëlqente vende ende më të buta.
Kur ndodhte të bënte në mishra ndonjë plagë më të thellë se qëllimi i vendosur, e lyente me një melhem të përbërë prej hithrit, kinse sipas parimit të të kundërtave plaga mbyllej më shpejt.
Në kokë nuk godiste kurrë… veç një herë: një karrocier të cilin e kishte lënë të vdekur në vend me një bastun me dorëzë fildishi si kokë kali, pasi ky i fundit i kishte sakatuar kalin më të mirë. Një rast i vetëm nuk merret parasysh.
E thënë shkurt, rrahja me shkop ishte kthyer për markezin në argëtim po aq të madh sa lojrat me letra. Ndiente një kënaqësi që nuk krahasohej as me lumturinë që i jepte dhunimi i ndonjë shërbëtori me përplasje pas murit.
Atë ndjenjë nuk donte ta shqyrtonte. I marrosur pas filozofisë, kujdesej vetëm për ecurinë e shpirtit. E thënë më qartë, instiktet i linte të shpaloseshin vetiu.
Trashësia e tuleve, dalldisjet jo fisnike, ndjenjat e pakontrolluara të cilat e shtynin të shkonte në mënyrë poshtëruese me shërbëtoren që guxonte të bënte dashuri sipas zakoneve të fisnikëve, të gjitha këto, pjella të ndjekjes së rrugëve të njëjta, e shtynin pa e vrarë mendjen, të përbuzte trupin, të cilit i jepte të drejtën për të shuar epshet.
Një ditë teksa po rrihte një shërbëtor hajdut, pa e patur mendjen dhe pa ia hedhur sytë viktimës që kishte futur gishtin në një krem pikërisht para se t’ia vinte përpara, numëronte pa vetëdije goditjet, duke gjykuar me vesh vlerën e tyre.
Diçka e pazakontë i tërhoqi vëmendjen: djaloshi bërtiste mirë e bukur, por pas klithmave kishte ca rënkime e grahma që nuk shkaktoheshin vetëm nga dhimbja.
Markezi dëgjoi me kujdes dhe kuptoi se qerratai po kënaqej. I ndërpreu goditjet dhe në çastin që hajduti drejtoi trupin i habitur, e urdhëroi me fytyrë të vrenjtur:
– Zhduku!
Amedeja shkoi në kabinetin e fizikës për t’u menduar mbi ngjarjen. E gjithë kënaqësia e të rrahurit të tjerët i iku nga duart krejt papritur.
Duke u menduar, u kujtua se djaloshi ishte rrahur më shpesh se të tjerët. Nga ana tjetër, dukej sheshit se gishtin në krem e kishte futur qëllimisht që të zihej në faj, që të krijonte një situatë të tillë sa të rrihej. Amedeja u inatos aq sa u bë gati ta thërrasë përsëri viktimën për ta goditur, dhe e gjithë kjo vetëm sepse po i rrëmbente kënaqësinë e vetme.
Si ka mundur i poshtri ta kthejë dhimbjen në kënaqësi?
– Shiko, – i tha me të qetë duke i dhënë shkopin – secili me rradhë, unë po zbuloj kurrizin dhe ti do të më përkëdhelësh, veçse jo fort…
I riu i dha me frikë dy goditje aq të buta sa markezi nuk ndjeu thuajse asgjë.
– Të thashë të më godasësh mor, – ulëriti aq shumë sa tjetri lëshoi një sërë gjuajtjesh mbi shpinën e të zotit që bënte:
– Aahh… aaahh… duke u drejtuar, i menduar si dikush që provon shijen e një vere të panjohur për gojën e tij.
– Mjafton për tani, mbathja…
Amedeja shkoi prapë në kabinet, mbështeti kokën mes grushtesh për të pyetur më mirë trupin përbrenda. Ky i fundit i përgjigj, zaten, por ende në mënyrë të turbullt, të pasaktë.
Dallga e shkaktuar nga dhimbja tërhiqej ngadalë dhe pikërisht pas asaj shfaqej një fluks i ri ndjenje që ngacmonte nervat, ngjethte lëkurën, krijonte brenda rropullive shtjellat e një shtrëngate ende të ndrojtur. Ky pështjellim zgjati gati një orë.
Amede Baptist Honore i Tur de Sadëmazos kaloi një natë mjaft të shqetësuar. Kur u zbardh, ndjeu nevojën për tu rrahër sërisht.
Tetë ditë më pas, ishte plotësisht i droguar. Tashmë ai përgjërohej të rrihej në vend që të përbuzte të rrihte. Fillimisht, ishte e rëndësishme që të vendoste nga kush të rrihej.
T’i drejtohej ndonjë gruaje, as që bëhej fjalë. Dikujt të të njëjtës pozitë, jo e jo: menjëherë fjala do të shkonte në oborr dhe do talleshin me vesin e tij që mund të ndëëshkohej me rënien nga pozita, sepse mbreti i cili tregohej tolerant me kurtizanët që kishin dashnore ose dylberë, ishte më pak zmërgjerë ndaj çmendurive që nuk i bënte vetë.
Ia vuri gishtin Abel Lamagujës duke iu përgjëruar me mirësjellje të hiqte dorë nga prishja e pasurisë lart e poshtë, pasi koleksioni i bastunëve mjaftonte për qëllimin që i kishte vënë vetes. Duke ngurruar pak, i shpjegoi noterit që kishte ca kohë që i dhimbte shpina. Sipas një metodë të re, plumbi del me plumb.
Abeli e zbatoi metodën pa iu dridhur qerpiku, me një zell që ia vlente të lëvdohej, duke ia zbutur shpinën të zotit pasi ky i fundit kishte zgjdhur një bastun prej ari me stemën e familjes në dorëzë.
Amedeja nga kjo e rrahur nxorri një lloj kënaqësie, megjithëse më të vogël se ajo e goditjeve të ngathta të djaloshit hajdut. Kjo shënoi një etapë të frytshme në vazhdimin e studimit për kënaqësinë. Ai mbajti shënime, bëri diagrame, pa u nxituar të nxirrte përfundime të parakohshme. Të nesërmen, provoi një djalosh stalle, një skërfyell gjithë nyje që mund ta ndante dysh me shputën si vare. Djaloshi, pavarësisht përgjërimeve të markezit, e përmbajti veten, jo nga frika se mos keqtrajtonte të zotin, por sepse disa kohë më parë kish qenë vetë i dënuar me goditje kamzhiku në sheshin e grevës, dhe nuk i pat pëlqyer mjaft.
Megjithatë e bëri me gjithë qejf dhe Amedeja u kthye në dhomën e gjumit çalë-çalë, i dërrmuar, por nën peshën e një kënaqësie të pamatë.
Shënoi në raport se kënaqësia më e madhe ishte kur nuk kishe të bëje me një njeri të fisëm, por me një njeri të pagdhendur.
Ai provoi pastrueset e dhomave, kuzhinierët, mbartësit e mobiljeve, ndjekësit e lypsarëve, shitëset, putanat e Halles, shërbyeset e Notre-Dame, si edhe varrmihësit e varrezave të të Pafajshmëve.
Askush nuk i afrohej djaloshit të stallës, të cilin e quanin me nofkën Zhuli pasi lahej rrallë e për mall, madje më rrallë se mbreti, dhe kundërmonte më keq se kafshët.
Amede Baptistë Honore i kishte vënë qëllim vetes të hartonte një “traktat mbi artin e krijimit të kënaqësisë së fortkërkuar prej goditjeve me bastun”, traktat të cilin e gjykonte si të rëndësishëm dhe tepër revolucionar për epokën.
Çdo mëngjes, pasi thante me pudër ari vazhdimin e veprës, i fshinte fletët në bastunin e sekreteve, i lumturuar që do të mbetej i paharruar.
Kishte hequr dorë nga çdo argëtim tjetër: nga gjahu, dashuria, gjellët e shijshme, jeta familjare, komplotet. Gruaja nuk i hynte më në punë për asgjë; e kishte mbyllur në manastir, ndërsa fëmijët i kish dërguar në luftë duke i porositur që të mos trembeshin përpara armikut.
Rreth tij të gjithë ishin të kënaqur, sepse nuk gjuante më njeri. Madje rastiste që në kthesën e shkallëve, ndonjë shërbëtor i ngarkuar me tabakanë ndë duar, ta shkelmonte në kërci duke e ditur se do të shpërblehej me falenderime. Duke rregulluar parukën, shërbëtorët e dhomës ia mbështillnin me krëhërin e hekurt mu mbi nofull duke e ditur se në këtë mënyrë do tu mbusheshin xhepat me para. Shërbëtorët që vidhnin ushqime e që hanin dru prej kuzhinierit mund të hakmerreshin fare mirë mbi markezin, duke ia lëshuar me ura zjarri në shpatulla. Me pak fjalë, Amedeja zor se gjente të ndopur.
Gjithashtu rëndësi kishte dhe zgjedhja e bastunit: një bambu nuk jepte të njëjtat ndjesi si të një dege abanozi. Për më tepër, dorëza nuk shërbente vetëm për aktin, por kishte një ndikim pamor dhe psikologjik. Një dorëzë prej guri të kaltër, për karakterin oriental të saj, krijonte dekorin e një mjedisi skllavërues. Një porcelan me motive baritore e bënte gjuajtjen më fshatarake. Guri i çmuar ngjyrë të gjelbër shtonte detajet e ndëshkimit kinez. Një zmalt sakson krijonte iluzionin e fushës së betejës së kositur prej gjyleve.
Ishte një bastun që markezi e ruante për nevojat më të domosdoshme. Atë bastun e mbante më pranë zemrës se të gjithë. Dorëza e madhe e rrumbullt e qarkuar me ar paraqiste një dorë të vendosur mbi një sferë. Abeli e kishte zbuluar në Shën Petërburg dhe kishte paguar gjashtëdhjetë mijë rubla.
Markezi e sodiste shpesh dhe kishte aq frikë se mos ia vidhnin saqë e kishte mbyllur në kasafortë, çelësin e të cilës e mbante me vete.
Natyra e njeriut e do që të mërzitet mjaft shpejt me kënaqësitë që përsëriten. Markezi po e kuptonte më së miri se qejfit, në një mënyrë a në një tjetër, i vjen fundi.
Thirri Zhulin në kabinetin e fizikës. Djali i stallës, prej kur kishte marrë këtë rol, i jepte rëndësi vetes dhe meqenëse nuk lahej shpesh, përpiqej të vinte në duk zhulin në dantellat e rrobave të mëndafshta, çka e bënte më të nderuarin mes shërbëtorëve.
Ai u ul në kolltukun më të mirë para se markezi ta ftonte dhe nisi të dëgjonte atë për të cilën ish thirrur:
– Dëgjo miku im, kam bërë testamentin ku të njoh si të vetmin trashëgimtar. Gruaja është mbyllur në manastir dhe djemtë herët a vonë kanë për të merituar nderimet e luftës, domethënë se shumë shpejt do të kenë varret e tyre… Sigurisht që nëse nuk marr disa masa, menjëherë pas vdekjes sime do të të futin në burg. Kështu, në këtë kuti kam një letër të vulosur dhe të firmosur nga unë. Ajo dëshmoj se mendjen e kam në vend dhe deklaroj në mënyrë të qartë se vdekja ime, nëse është e shëmtuar, nuk është për fajin tënd… Ja pra, siç të thashë, jam ende gjallë dhe ky testament tani për tani nuk hyn në punë, ti do vazhdosh të më rrahësh. Ndoshta vdes ti më përpara anipse je më i shëndetshëm se unë. Dihet se nga ferra e vogël del lepuri i madh. Marrim shembull sikur ty të bie pika. Si t’ia bëjmë pastaj? Ç’të mbetet për të thënë?
Zhuli kruajti kokën me qëllimin për të nxjerrë së andejmi ndonjë mendim. Një grimë më vonë, kërkoi të shihte letrën mbi të cilën qenë shkruar sa u thanë më sipër. Ai nuk dinte të lexonte, por u bind me të parë vulën e kuqe.
Markezi luajti vendit dhe shkoi pranë kasafortës ku mbante bastunin me dorëzë ari. E peshoi në duar dhe tha:
– Pa shiko Zhul, shpesh thoja me vete se këtë nuk e kemi provuar kurrë. Dhe pyesja veten se çfarë ndjesie do krijonte po të më përkëdhelje çaçkën e kokës me këtë dorëzë të mrekullueshme, për të cilën çdo tregtar do të më jepte në çast tridhjetë mijë eku. Ke për ta provuar në kokën time, por ja ku po të parapri se kafkën e kam të brishtë. Jepi pra!
Dhe buzagaz u përkul si të qe duke vallëzuar minuetin dhe i zgjati qafën Zhulit.
Djaloshi i stallës kishte mbërthyer bastunin me mendjen plot e përplot me historira testamentesh, rublash dhe vdekjesh të papritura. Dhe thuajse pa e patur mendjen, i jep një të goditur jo me të gjitha fuqitë, por e shumëfishuar prej peshës së dorëzës.
Kështu ndërroi jetë, prej mbidozës së kënaqësisë dhe Markezi Amede Baptist Honore i Tur dë Sadëmazos.
Mbidoza | Gisele Ansorge
By

Read Next:
Hey!
Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀
Join the Club
Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.
Categories
Tags
Agron Tufa Alban Tufa Aleph Andrea Koroveshi anila balla Anna Kove Antonio Çikollari antonio çikollari anxhela lepuri Arka e Noes art Bajram Karabolli Bashkim Shehu blog Elena Garro Enrique Vila-Matas franz kafka fund i lumtur Gazmend Krasniqi Gjergj Fishta Gustav Flaubert Herta Müller Ismail Kadare Joan Benesiu Korab Hoxha letersi Letërsi shqipe Malcolm Lowry Mali magjik margaret atwood Mario Benedetti miguel de unamuno Mikhail Lermontov Oliverio Girondo Pesë vdekje poezia Përkthime roman jakobson Satira shqip Thomas Mann Tregim Umberto Eco Under the volcano Zonja Bovari

Leave a comment