Në semiotikën e Umberto Ekos paraqiten kufijtë e interpretimit të një vepre, ironia ndërtekstuale dhe nivelet e leximit. Ai analizon fraza të shkëputura apo detaje, nga një vepër e caktuar dhe si ato interpretohen tek lexuesi model dhe tek ai i zakonshëm. Pikërisht në modelin e Umberto Ekos, jam bazuar personalisht në realizimin e kësaj analize, në të cilën është shtjelluar koncepti se si e perceptojnë lexues të niveleve të ndryshme, veprën e Floberit, “Zonja Bovari”.
“Biografi” e dy lexuesve
- Lexuesi model është S. S., e cila ka përfunduar studimet për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Nisur nga lidhja e saj e ngushtë me letërsinë, lexuese e rregullt e librave artistikë dhe fituese në disa olimpiada, ndjekja e studimeve të larta në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, ku ka marrë pjesë në konferenca shkencore të realizuara nga Departamenti i Letërsisë, mendoj se i përmbush kriteret kryesore për t’u përcaktuar “lexues model”
- Lexuesi i zakonshëm është I. M., e cila ka përfunduar studimet për Gjeografi, deri diku lexuese e rregullt, por megjithatë nuk mund të konsiderohet lexues model pasi librat që lexon janë kryesisht të llojit best-seller, chicken literature. Nuk është shumë përzgjedhëse në llojet e librave, sepse kryeveprat botërore i lë gjithmone në “hije” dhe preferon më shumë romanet limonadë.
Dy lexues përballë Emës
Lexuesi model
- Figura e Emës
Ema është tipike heroinë romantike: ka një komponent shumë të fortë ndaj subjektivizmit, humbet në ëndërrimet e saj; ka ndjenjë mospëlqimi ndaj realitetit dhe prandaj krijon një botë të vetën; zhvendosjen në kohë dhe hapësirë (ajo largohet nga shtëpia dhe shkon në manastir, më pas rikthehet në shtëpi, jeton me Sharlin në dy fshatra, shkon dhe në Paris, por kudo ndihet e palumtur); tendencë të madhe për t’u kthyer pas në kohë dhe kjo vihet re në emocionin e madh që kalon kur shkon në ballo ku ndihet si në Mesjetë, mënyra së si i përpinte librat; beson se ekziston një dashuri e vetme dhe e përjetshme dhe gjithë jetës është në kërkim të saj.
- Ëndërrimet e Emës
Ema gjatë shkollimit në manastir, krijon një botë të shkëputur nga realiteti si pasojë e librave që lexonte. Ajo nuk qëndron me këmbë në tokë, por idealizon dhe sillet sikur po jeton në ngjarjet e librave. Në manastir ajo tregon një interes shumë të veçantë ndaj kishës, predikimeve fetare, ka epsh ndaj çdo gjëje në kishë. Ema kur lutet, i duket sikur i shpreh dashurinë Krishtit, kur sheh albumet me figura fetare, ajo ndjen një pasion aq të çuditshëm sa gati kalon në ekstazë. Ajo parfumosë faturat e të sëmurëve, ble një hartë të Parisit dhe kur e prek mendon se është aty, i reciton Sharlit poezi nën dritën e hënës.
- Ema dhe Sharli
Kur e sheh Sharlin për herë të parë, Ema mahnitet pas bardhësise, pastërtisë së duarve të tij dhe mendon se ka rënë në dashuri më të, por në fakt ajo kurrë nuk e ka dashuruar Sharlin. Ndihet e lumtur vetëm muajin e parë të martesës dhe më pas bie në plogështi. Ema është përpjekur pafund ta gjejë dashurinë tek Sharli, por nuk e ka gjetur kurrë dhe prandaj e ka tradhëtuar, as për seks as për para, por për t’u ndjerë e dashuruar. Përveç dashurisë, Sharli nuk i ka dhënë asaj as kënaqësi seksuale sepse në vepër në asnje moment nuk shfaqet një moment intim mes tyre. E vetmja gjë që i bashkon ata të dy është naiviteti p.sh. fragmenti ku Rudolfi i propozon Sharlit dhe Emës shëtitje me kalë, Sharli naiv mendon për lumturinë e së shoqes dhe ia dorëzon të shoqen tjetrit me “duart e tij”.
- Ema, Rudolfi, Leoni
Ema mahnitet pas Rudolfit, një don Zhuan shumë i shkathët dhe inteligjent, i cili e kishte kuptuar natyrën e Emës dhe dinte si ta bënte për vete në çdo çast. Reciti i dyfishtë ndodh në fragmentin kur Rudolfi i propozon Emës, me fjalë të ëmla dhe pasion, ndërkohë në të njëjtën kohë dëgjohet edhe zërat e punëtoreve në panairin blegtorial (zhurmë, rrëmujë, baltë). Ema e sheh Rudolfin si shpëtimin e saj për shkak se ai ndryshe nga Sharli, e kishte kuptuar natyrën ëndërrimtare që ajo kishte dhe nuk pretendonte fare një të ardhme me të, madje që në momentin e parë kur e sheh, ai e projekton si një mision lidhjen me këtë grua të martuar. Nuk i mendon kurrë arratisjet me të pavarësisht se Emën e bën të besojë që po.
Leoni ishte ndryshe nga Rudolfi. Ai mahnitet pas Emës dhe druhet t’i shprehi dashurinë sepse e sheh aq të shenjtë, sa ajo kurrë nuk do shihte dikë tjetër përveç të shoqit. Ndjenja ndaj Emës i zbehet me kalimin e kohës dhe ndihet i lëkundur ne vendimet e tij. Martesa e tij në fund që ishtë bërë për hir të mamasë, indefereca ndaj vdekjes së Emës, tregon karakterin e tij të dobet dhe se sa i paparshtatshëm do të ishte ai nëse do të ndërtonte të ardhmen me Emën. Kjo e fundit, vërtetë dashuron, por nuk është në gjendje të kuptojë që Rudolfi nuk e do, Leoni nuk do martohet kurrë me të, nuk e bën dot dallimin midis realitetit dhe asaj që ajo beson.
- Vdekja e Emës
Fati tragjik i Emës vjen si pasojë e mospranimit të pozicionit komformist të moralistëve, nuk pranon të jetojë pa dashuri. I gjithë misioni i veprës mund të përmblidhet me këtë fjali: të pranosh kotësinë e jetës apo të luftosh për ta ndryshuar atë? Ema është heroinë sepse luftoi. Ajo u vetëvra sepse nuk shihte më asnjë zgjidhje në jetën e saj. Njësoj si Lysieni i Balzakut, ajo është duke rendur gjithë kohë nga një zhgënjim tek një tjetër. Kur e kupton që zhgënjimet do e përndjekin gjithë kohes, ajo përsëri nuk do e gjejë lumturinë, dashurinë, zgjedh ta stopojë udhetimin e saj dhe t’i japë fund trazirës së shpirtit se sa të jetojë e ndrydhur në një ambient ku askush nuk e kupton. Ema ngjason disi me Heda Gablerin e Ibsenit sepse edhe ajo vetëvritet si Ema, nuk e sheh veten në statusin e nënës, nuk e duron dot burrin, do të jetë në qëndër të vëmendjes.
- Stili i Floberit
Në studimet për Floberin, janë shumë të rëndësishme letërkëmbimet që ai mbante me dy shkrimtare, të cilat ndihmojnë shumë në zberthimin e veprave të tij apo stilit. Ai me këto shkrimtare ndante mendime mbi letërsinë, procesin krijues, çfarë ai vlerësonte në një vepër dhe çfarë shmangte etj. Bie në sy puna e tij ku përshembull për një kapitull i duheshin ditë, muaj, pasi e përfundonte një kapitull e digjte dhe e niste sërish, asnjëherë nuk kënaqej me veten, një maniak i stilit. Në punën krijuese sipas Floberit, është shumë e rëndësishme: rikrijimi, perfeksionizmi, seleksionimi i fjalëve, informacioni në lidhje me atë që do shkruash (ai lexoi shumë libra mjeksie për të krijuar sa më mirë figurën e Sharlit apo vdekjen e Emës). Xhorxh Sand e shihte letërsinë si mision, e cila ndikon tek njerëzit, krijon modele tek ata dhe i bën më ndjesor. Ndërsa Floberi mendonte se nuk duhej t’i vishej asnjë funksion tjetër perveç atij estetik.
Floberit nuk i intereson shumë subjekti. Subjekti i “Zonja Bovari” nuk ka asgjë të jashtëzakonshme: një grua shumë e bukur më kërkesa e ëndrra të mëdha, përfundon duke u martuar me një doktor dhe përfundon duke bërë një jetë të rëndomtë me të. Kupton që nuk e dashuron bashkëshortin dhe e tradhëton disa herë, mbetet në borxhe dhe vret veten. Këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por zakonshmëria ështe aftësi e Floberit, që duke e futur në një vepër letrare, ta bëjë atë të jashtëzakonshme. Atij nuk i intereson përmbajtja, por stili (mësues i stilit). Ngjarjet janë të përshkruara me detaje deri në ekstremitet dhe kjo gjë të ndihmon aq shumë në fotografimin e situatave (procesi i hipotipozës thotë Eko), vendeve, personazheve.
Lexuesi i zakonshëm
- Figura e Emës
Ema është një vajzë fshatare që jeton me të atin pasi e ëma i ka vdekur. Ajo gjatë gjithë kohës ka pasur një lidhje shumë të fortë me librat dhe kjo forcohet edhe më shumë kur ajo shkon në manastir. Dashurohet dhe martohet me Sharlin, por më vonë e tradhëton me Leonin dhe Rudolfin. Ajo gjithë kohës qëndron e mërzitur, madje edhe kur çdo gjë shkon mirë, Ema e gjen patjetër diçka për t’u mërzitur, tepër dramatike. I pëlqen jeta e luksit që kanë aristokratët sepse kur shkon në një ballo, e kujton gjithë kohës se sa mirë kishte kaluar atje. Në fund të romanit mbytet në borxhe dhe vret veten për të shpëtuar nga ato.
- Ëndërrimet e Emës
Ema nuk është e aftë të ndajë realitetin nga librat dhe kjo dallohet gjatë gjithë kohës. Ajo ndihet e merzitur që nuk mund të ketë jetën si nëpër librat që ka lexuar dhe bën veprime të çuditshme në çdo moment. Në një kapitull, ngjason sikur ajo acarohet me ëndërrimet e veta dhe fillon të bëjë një jetë normale. Por pasi kupton që as sjelljet e zakonshme nuk i japin asnjë kenaqësi apo gëzim, vazhdon me sjelljet si aristokrate dhe jeton në botën që ka krijuar vetë.
- Ema dhe Sharli
Ema dhe Sharli njihen në shtëpinë e zotit Ruo, kur ai vjen për të mjekuar këmbën e tij të thyer. Sharli i propozon Emës pasi merr pëlqimin e të atit dhe më vonë martohen. Ema lind një vajzë dhe të tre jetojnë në një shtëpi modeste në fshat. Sharli punonte si mjek ndërsa Ema qëndronte gjithë kohës në shtëpi.
Ajo nuk duhet ta tradhëtonte Sharlin dhe të shkatërronte familjen. I shoqi i plotësonte çdo tekë që ajo kishte, duronte luhatjet e saj të humorit, i qëndronte pranë kur ishte e sëmurë, madje ndërron edhe vendbanimin për shkak të klimës që e përkeqësonte shëndetin e Emës. Nëse Ema e shihte që martesa nuk po ecte mirë, të paktën të fliste me Sharlin dhe të ndaheshin, por nuk kishte pse ta tradhëtonte me Rudolfin dhe Leonin.
- Ema, Rudolfi, Leoni
Rudolfi vjen në shtëpinë e Bovarive për të kërkuar ndihmën e Sharlit, në një ndërhyrje që dontë të bënte në këmbë. Më pas ai gjen justifikime për të ardhur sërish në shtëpinë e tyre dhe gjatë një panairi blegtorial, i shpreh Emës dashurinë e madhe që kishte për të. Ai e dashuron Emën dhe të dy kalojnë shumë mirë, por më kalimin e kohës kur sheh dramaticitetin që ajo kishte për çdo gjë, dëshiron ta largojë nga jeta e vetë. Zhgenjimi nga Rudolfi vjen si pasojë e veprimeve të Emës, aventurat që ajo kërkonte sikur të ishtë një adoleshente dhe jo një grua me familje.
Leoni është krejt e kundërta e Rudolfit, më i kulturuar, emancipuar dhe dashurinë e Emës e sheh si diçka të pamundur sepse ajo ishte e martuar. Ai e ndihmon kur ajo shkon të vizitojë vajzën tek dadoja dhe i gjithë qyteti flet për ta. Kur ata fillojnë të takohen rregullisht në hotel, ku Ema shkonte me justifikimin e leksioneve të muzikës, ajo ble shumë orendi të ndryshme dhe mbytet në borxhe. Leonit i mbushin mendjen që ta lërë Emën sepse historia me të ishte një aventurë pa fund të lumtur. Ai pajtohet me të tjerët dhe madje as nuk e ndihmon Emën me borxhet e mëdha që ajo kishte. Një tjetër zhgënjim i madh për Emën, që vjen si pasojë e ëndërrimeve dhe shpresave të hekurta, që ajo ndërton në vende dhe njerëz prej kartoni.
- Vdekja e Emës
Fati tragjik i Emës vjen si pasojë e veprimeve të saj. Që në momentin kur ajo kupton se martesa që po bënte ishte komplet ndryshe nga ajo që kishte menduar, duhet te fliste me të shoqin dhe të përpiqeshin të dy për ta bërë më të bukur. Duke e mbajtur dhimbjen gjithë kohës për vete, ajo nuk arsyeton më si duhet dhe zgjidhje sheh sherret me Sharlit, arratisjet me Rudolfin, takimet me Leonin. Ema tregon që është egoiste sepse ajo nuk mendon as për vajzën e vogël, se çfarë do të bëhej me të pas vdekjes së saj. Ajo ndërton një rrëmujë të madhe dhe në vend që të gjejë zgjidhje apo të kërkojë ndihmë, preferon të largohet (vetëvrasja).
- Stili i Floberit
Romani është i ndarë në tre pjësë dhe i strukturar në kapituj. Kur lexon titullin “Zonja Bovari”, të jep përshtypjen sikur do flaës direkt për të, por në fillim i jepet vëmendje Sharlit, femijërisë së tij, shkollimit dhe më pas shfaqet Ema, ku rrotullohen gjithë ngjarjet. Shumë faqe i kam kaluar se çdo gjë përshkruhet hollësisht, qoftë një fshat, një panar, bëhet e bezdishme për lexuesin sepse janë të parëndësishme, subjekti njësoj na vjen edhe pa to.
Dhe për të mos u zgjatur më tej, po numëroj një sërë përfundimesh ku shfaqen qartë dallimet mes dy lexuesve të marrë si shembull:
- Lexuesi model, përveç romanit që ka në duar, ka bërë një kërkim më të detajuar rreth Floberit, ka lexuar vepra të tjera të tij, është i njohur me stilin e veçantë dhe përveçse e ka kuptuar, edhe e ka adhuruar. Nuk vlerëson tek autori vetëm objektin e artit përfundimtar, por të gjithë procesin e krijimit, mënyrën se si ai i digjte, i griste, i rishkruante kapitujt për të sjellë diçka origjinale, gati në perfeksion. Ndërsa lexuesit të zakonshëm këto detaje i ngjasojnë të tepërta, të bezdishme, të lodhshme. Në “këtë eksperiment”, lexuesi i zakonshëm i kaloi disa faqe kur pa përshkrime të gjata, ndërsa lexuesi model ngadalesoi ritmin dhe ndjeu sikur të gjithë skenën e kishte përballë.
- Lexuesi model tregohet shumë i kujdesshëm ndaj detajeve, p.sh. ekstaza që kalon Ema në kishë, është struktuar në një paragraf shumë të shkurter dhe ndoshta me qëllim nga autori model. Nga ana tjetër qëndron lexuesi i zakonshëm që nuk e ka vënë re farë këtë paragraf, ndoshta nuk i ka kushtuar rëndësi apo s’e ka kuptuar, ndoshta e ka kaluar me faqet që i dukeshin të lodhshme.
- Lexuesi model përpiqet të bëjë një bilanc të sjelljeve, veprimeve, mendimeve të personazhit dhe të krijojë një portret sa më të përshtatshmën për të. Në asnjë moment lexuesi model nuk e gjykon Emën, madje në shumë raste pajtohet me të, i vjen keq. Pra e kupton psikologjinë dhe natyrën e saj. Lexuesi i zakonshëm shfaqet paragjykues, nuk përpiqet ta kuptojë botën e brenshme të personazhit dhe e bën shpeshherë fajtorë.
- Lexuesin model kur e pyesin rreth veprës, nuk tregon ngjarjet në mënyrë kronologjikë, ku lindi, ku jetoi, ku u martua Ema. Ai më shumë fokusohet tek bota e Emës dhe çfarë ndodh me të, çfarë ka në shpirtin e saj që ndodhin këto veprime. Ndërsa tek lexuesi i zakonshëm vihen re ngjarjet që kanë ndodhur në roman. Pra, ai e lexon romanin, me të njejtën mënyrë si lexon një recetë gatimi, pra fikson përbërësit, në rastin tonë personazhet, si përzihen ata me njeri-tjetrin dhe çfarë ndodh në fund. Qëndron shumë sipërfaqësor në interpretim.
- Tekstet kanë një lidhje me njeri-tjetrin, sepse flasin mes tyre dhe lexuesi model e vë re këtë ku e krahason Emën me personazhë nga Balzaku apo Ibseni. Kjo gjë mund të ndodhë edhe tek lexuesi i zakonshëm, por personazhet apo ngjarjet që do vendosë në peshore, do jenë të shkëputur nga romanet limonadë.


Leave a comment