Letërsia nuk është vetëm ajo që shkruhet në faqe, por edhe ajo që ndodh gjatë leximit. Çdo vepër letrare merr jetë tjetër në mendjen e lexuesit dhe kuptimi i saj nuk është kurrë plotësisht i njëjtë për të gjithë. Dy lexues mund të lexojnë të njëjtin roman dhe të përjetojnë dy vepra pothuajse të ndryshme. Pikërisht kjo marrëdhënie mes tekstit dhe lexuesit është në qendër të teorive bashkëkohore të interpretimit letrar.
Në semiotikën e Umberto Ekos paraqiten kufijtë e interpretimit të një vepre, ironia ndërtekstuale dhe nivelet e leximit. Ai analizon fraza të shkëputura apo detaje nga një vepër e caktuar dhe se si ato interpretohen te lexuesi model dhe tek ai i zakonshëm. Pikërisht në modelin e Umberto Ekos bazohet edhe kjo analizë, në të cilën është shtjelluar koncepti se si e perceptojnë lexues të niveleve të ndryshme, veprën e Floberit, “Zonja Bovari”.
“Biografi” e dy lexuesve
- Lexuesi model është S. S., e cila ka përfunduar studimet për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Nisur nga lidhja e saj e ngushtë me letërsinë, lexuese e rregullt e librave artistikë dhe fituese e disa olimpiadave, ndjekja e studimeve të larta në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, ku ka marrë pjesë në konferenca shkencore të realizuara nga Departamenti i Letërsisë, mendoj se i përmbush kriteret kryesore për t’u përcaktuar si “lexues model”.
- Lexuesi i zakonshëm është I. M., e cila ka përfunduar studimet për Gjeografi, deri diku lexuese e rregullt, por megjithatë nuk mund të konsiderohet lexues model, pasi librat që lexon janë kryesisht të llojit bestseller, chicken literature. Nuk është shumë përzgjedhëse në llojet e librave, sepse kryeveprat botërore i lë gjithmonë në “hije” dhe preferon më shumë romanet limonadë.
Dy lexues përballë Emës
Lexuesi model
- Figura e Emës
Ema është tipike heroinë romantike: ka një komponent shumë të fortë ndaj subjektivizmit, përhumbet në ëndërrimet e saj; ka ndjenjë mospëlqimi ndaj realitetit dhe prandaj krijon një botë të vetën; zhvendosjen në kohë dhe hapësirë (ajo largohet nga shtëpia dhe shkon në manastir, më pas rikthehet në shtëpi, jeton me Sharlin në dy fshatra, shkon dhe në Paris, por kudo ndihet e palumtur); tendencë të madhe për t’u kthyer pas në kohë dhe kjo vihet re në emocionin e madh që kalon kur shkon në ballo ku ndihet si në Mesjetë, mënyra së si i përpinte librat; beson se ekziston një dashuri e vetme dhe e përjetshme dhe gjithë jetës është në kërkim të saj.
- Ëndërrimet e Emës
Gjatë shkollimit në manastir, Ema krijon një botë të shkëputur nga realiteti si pasojë e librave që lexon. Ajo nuk qëndron me këmbë në tokë, por idealizon dhe sillet sikur po jeton në ngjarjet e librave. Në manastir ajo tregon një interes shumë të veçantë ndaj kishës, predikimeve fetare, ka epsh ndaj çdo gjëje që i zë syri në kishë. Edhe kur lutet, Emës i duket sikur i shpreh dashurinë Krishtit; kur sheh albumet me figura fetare, ajo ndien një pasion aq të çuditshëm sa gati kalon në ekstazë. Ajo parfumos faturat e të sëmurëve, ble një hartë të Parisit dhe kur e prek mendon se është aty, i reciton Sharlit poezi nën dritën e hënës.
- Ema dhe Sharli
Kur e sheh Sharlin për herë të parë, Ema mahnitet pas bardhësisë, pastërtisë së duarve të tij dhe mendon se ka rënë në dashuri më të, por, në fakt, ajo kurrë nuk e ka dashuruar Sharlin. Ndihet e lumtur vetëm muajin e parë të martesës dhe më pas bie në plogështi. Ema është përpjekur pa fund ta gjejë dashurinë te Sharli, por nuk e ka gjetur kurrë dhe prandaj e ka tradhtuar, as për seks as për para, por për t’u ndier e dashuruar. Përveç dashurisë, Sharli nuk i ka dhënë asaj as kënaqësi seksuale, sepse në vepër në asnjë çast nuk shfaqet një moment intim mes tyre. Gjëja e vetme që i bashkon ata të dy është naiviteti p.sh. fragmenti ku Rudolfi i propozon Sharlit dhe Emës shëtitje me kalë, Sharli naiv mendon për lumturinë e së shoqes dhe ia dorëzon të shoqen tjetrit me “duart e tij”.
- Ema, Rudolfi, Leoni
Ema mahnitet pas Rudolfit, një don Zhuan shumë i shkathët dhe inteligjent, i cili e kishte kuptuar natyrën e Emës dhe dinte si ta bënte për vete në çdo çast. Reciti i dyfishtë ndodh në fragmentin kur Rudolfi i propozon Emës, me fjalë të ëmbla dhe pasion, ndërkohë në të njëjtën kohë dëgjohet edhe zërat e punëtoreve në panairin blegtoral (zhurmë, rrëmujë, baltë). Ema e sheh Rudolfin si shpëtimin e saj, për shkak se ai, ndryshe nga Sharli, e kishte kuptuar natyrën ëndërrimtare që ajo kishte dhe nuk pretendonte një të ardhme me të, madje që në çastin e parë ai e projekton si një mision lidhjen me atë grua të martuar. Nuk i mendon kurrë arratisjet me të, pavarësisht se Emën e bën të besojë ndryshe.
Leoni ishte ndryshe nga Rudolfi. Ai mahnitet pas Emës dhe druhet t’i shprehë dashurinë, sepse e sheh aq të shenjtë, sa ajo kurrë nuk do të shihte dikë tjetër përveç të shoqit. Ndjenja ndaj Emës i zbehet me kalimin e kohës dhe ndihet i lëkundur në vendimet e tij. Martesa e tij në fund, që ishte bërë për hir të mamasë, indiferenca ndaj vdekjes së Emës, tregon karakterin e tij të dobët dhe se sa i papërshtatshëm do të ishte ai, nëse do të ndërtonte të ardhmen me Emën. Kjo e fundit, vërtet dashuron, por nuk është në gjendje të kuptojë që Rudolfi nuk e do, ndërsa Leoni nuk do martohet kurrë me të; nuk e bën dot dallimin midis realitetit dhe asaj që ajo beson.
- Vdekja e Emës
Fati tragjik i Emës vjen si pasojë e mospranimit të pozicionit komformist të moralistëve: nuk pranon të jetojë pa dashuri. I gjithë misioni i veprës mund të përmblidhet me këtë fjali: të pranosh kotësinë e jetës apo të luftosh për ta ndryshuar atë? Ema është heroinë sepse luftoi. Ajo u vetëvra sepse nuk shihte më asnjë zgjidhje në jetën e saj. Njësoj si Lysieni i Balzakut, ajo është duke rendur gjithë kohën nga një zhgënjim te një tjetër. Kur e kupton që zhgënjimet do ta përndjekin gjithë kohën, ajo përsëri nuk dëshiron ta gjejë lumturinë, dashurinë, por zgjedh ta ndalojë udhëtimin e saj dhe t’i japë fund trazirës së shpirtit sesa të jetojë e ndrydhur në një vend ku askush nuk e kupton. Ema ngjason disi me Heda Gablerin e Ibsenit, sepse edhe ajo vetëvritet si Ema, nuk e sheh veten në statusin e nënës, nuk e duron dot burrin, do të jetë në qendër të jetës së vet.
- Stili i Floberit
Në studimet për Floberin, janë shumë të rëndësishme letërkëmbimet që ai mbante me dy shkrimtare, të cilat ndihmojnë shumë në zbërthimin e veprave të tij apo stilit. Me këto shkrimtare, ai ndante mendime për letërsinë, procesin krijues, çfarë vlerësonte dhe çfarë shmangte në një vepër. Bie në sy puna e tij, ku për një kapitull i duheshin ditë, muaj; pasi e përfundonte një kapitull e digjte dhe e niste sërish, asnjëherë nuk kënaqej me veten; një maniak i stilit. Sipas Floberit, në punën krijuese është shumë e rëndësishme: rikrijimi, përsosmëria, përzgjedhja e fjalëve, informacioni në lidhje me atë që do të shkruash (ai lexoi shumë libra mjekësor për të krijuar sa më mirë figurën e Sharlit apo vdekjen e Emës). Xhorxh Sand e shihte letërsinë si mision, e cila ndikon te njerëzit, krijon modele tek ata dhe i bën më të ndjeshëm. Ndërsa Floberi mendonte se nuk duhej t’i vishej asnjë funksion tjetër përveç atij estetik.
Floberit nuk i intereson shumë subjekti. Subjekti i “Zonja Bovari” nuk ka asgjë të jashtëzakonshme: një grua shumë e bukur më kërkesa e ëndrra të mëdha, përfundon duke u martuar me një doktor dhe përfundon duke bërë një jetë të rëndomtë me të. Kupton që nuk e dashuron bashkëshortin dhe e tradhton disa herë, kridhet në borxhe dhe pastaj vret veten. Këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por pikërisht e zakonshmja është aftësia e Floberit, që duke e futur në një vepër letrare, ta bëjë atë të jashtëzakonshme. Atij nuk i intereson përmbajtja, por stili (mësues i stilit). Ngjarjet janë të përshkruara me detaje deri në ekstremitet dhe kjo gjë të ndihmon aq shumë në fotografimin e rrethanave (procesi i hipotipozës thotë Ekoja), vendeve, personazheve.
Lexuesi i zakonshëm
- Figura e Emës
Ema është një vajzë fshatare që jeton me të atin pasi e ëma i ka vdekur. Ajo gjatë gjithë kohës ka pasur një lidhje shumë të fortë me librat dhe kjo forcohet edhe më shumë kur ajo shkon në manastir. Dashurohet dhe martohet me Sharlin, por më vonë e tradhton me Leonin dhe Rudolfin. Ajo gjithë kohën qëndron e mërzitur, madje edhe kur çdo gjë shkon mirë, Ema e gjen patjetër diçka për t’u mërzitur, tepër dramatike. I pëlqen jeta e luksit që kanë aristokratët, sepse kur shkon në një ballo, e kujton gjithë kohen se sa mirë kishte kaluar atje. Në fund të romanit mbytet në borxhe dhe vret veten për të shpëtuar nga ato.
- Ëndërrimet e Emës
Ema nuk është e aftë të ndajë realitetin nga librat dhe kjo dallohet nga faqja në faqe. Ajo ndihet e mërzitur që nuk mund të ketë jetën si nëpër librat që ka lexuar dhe bën veprime të çuditshme në çdo çast. Në një kapitull, ngjason sikur ajo acarohet me ëndërrimet e veta dhe fillon të bëjë një jetë normale. Por pasi kupton që as sjelljet e zakonshme nuk i japin asnjë kënaqësi apo gëzim, vazhdon me sjelljet si aristokrate dhe jeton në botën që e ka krijuar vetë.
- Ema dhe Sharli
Ema dhe Sharli njihen në shtëpinë e zotit Ruo, kur ai vjen për të mjekuar këmbën e tij të thyer. Sharli i propozon Emës pasi merr pëlqimin e të atit dhe më vonë martohen. Ema lind një vajzë dhe të tre jetojnë në një shtëpi modeste në fshat. Sharli punonte si mjek ndërsa Ema qëndronte gjithë kohën në shtëpi.
Ajo nuk duhej ta tradhtonte Sharlin dhe të shkatërronte familjen. I shoqi i plotësonte çdo tekë që ajo kishte, duronte luhatjet e saj të humorit, i qëndronte pranë kur ishte e sëmurë, madje ndërron edhe vendbanimin për shkak të klimës që e përkeqësonte shëndetin e Emës. Nëse Ema e shihte që martesa nuk po ecte mirë, të paktën të fliste me Sharlin dhe të ndaheshin, por nuk kishte pse ta tradhtonte me Rudolfin dhe Leonin.
- Ema, Rudolfi, Leoni
Rudolfi vjen në shtëpinë e Bovarive për të kërkuar ndihmën e Sharlit, me një ndërhyrje që donte të bënte në këmbë. Më pas ai gjen justifikime për të ardhur sërish në shtëpinë e tyre dhe gjatë një panairi blegtoral, i shpreh Emës dashurinë e madhe që kishte për të. Ai e dashuron Emën dhe të dy kalojnë shumë mirë, por më kalimin e kohës, kur sheh dramaticitetin që ajo kishte për çdo gjë, dëshiron ta largojë nga jeta e vet. Zhgënjimi nga Rudolfi vjen si pasojë e veprimeve të Emës, aventurat që ajo kërkonte sikur të ishte adoleshente dhe jo një grua me familje.
Leoni është krejt e kundërta e Rudolfit, më i kulturuar, emancipuar dhe dashurinë e Emës e sheh si diçka të pamundur, sepse ajo ishte e martuar. Ai e ndihmon kur ajo shkon të vizitojë vajzën te dadoja dhe i gjithë qyteti flet për ta. Kur ata fillojnë të takohen rregullisht në hotel, ku Ema shkonte me justifikimin e leksioneve të muzikës, ajo ble shumë orendi të ndryshme dhe mbytet në borxhe. Leonit i mbushin mendjen që ta lërë Emën, sepse historia me të ishte një aventurë pa fund të lumtur. Ai pajtohet me të tjerët dhe madje as nuk e ndihmon Emën me borxhet e mëdha ku ajo ishte kredhur. Një zhgënjim tjetër e i madh për Emën, që vjen si pasojë e ëndërrimeve dhe shpresave të hekurta, që ajo ndërton në vende dhe njerëz prej kartoni.
- Vdekja e Emës
Fati tragjik i Emës vjen si pasojë e veprimeve të saj. Që në momentin kur ajo kupton se martesa ishte krejt ndryshe nga ajo që kishte menduar, duhej te fliste me të shoqin dhe të dy të përpiqeshin për ta bërë më të bukur. Duke e mbajtur dhimbjen gjithë kohën për vete, ajo nuk arsyeton më si duhet dhe zgjidhje sheh sherret me Sharlit, arratisjet me Rudolfin, takimet me Leonin. Ema është egoiste, sepse ajo nuk mendon as për vajzën e vogël, se çfarë do të bëhej me të pas vdekjes së saj. Ajo ndërton një rrëmujë të madhe dhe në vend që të gjejë zgjidhje apo të kërkojë ndihmë, preferon të largohet (vetëvrasja).
- Stili i Floberit
Romani është i ndarë në tri pjesë dhe i strukturuar në kapituj. Kur lexon titullin “Zonja Bovari”, të jep përshtypjen sikur do të flasë menjëherë për të, por në fillim i jepet vëmendje Sharlit, fëmijërisë së tij, shkollimit dhe më pas shfaqet Ema, ku rrotullohen gjithë ngjarjet. Shumë faqe i kam kaluar pa lexuar, sepse çdo gjë përshkruhet hollësisht, qoftë një fshat, një panair, bëhet e bezdisshme për lexuesin, sepse janë të parëndësishme, subjekti njësoj na vjen edhe pa to.
Dhe për të mos u zgjatur më tej, po numëroj një sërë përfundimesh, ku shfaqen qartë dallimet mes dy lexuesve:
- Lexuesi model, përveç romanit që ka në duar, ka bërë një kërkim më të detajuar rreth Floberit, ka lexuar vepra të tjera të tij, është i njohur me stilin e veçantë dhe, përveçse e ka kuptuar, edhe e ka adhuruar. Nuk vlerëson tek autori vetëm objektin e artit përfundimtar, por të gjithë procesin e krijimit, mënyrën se si ai i digjte, i griste, i rishkruante kapitujt për të sjellë diçka origjinale, gati-gati të përsosur. Ndërsa lexuesit të zakonshëm këto detaje i ngjasojnë të tepërta, të bezdisshme, të lodhshme. Në “këtë eksperiment”, lexuesi i zakonshëm i kaloi disa faqe, atëherë kur pa përshkrime të gjata, ndërsa lexuesi model ngadalësoi ritmin dhe u ndje sikur të gjithë skenën e kishte përballë.
- Lexuesi model tregohet shumë i kujdesshëm ndaj hollësive, p.sh. ekstaza që kalon Ema në kishë, është strukturuar në një paragraf shumë të shkurtër dhe ndoshta me qëllim nga autori. Nga ana tjetër, qëndron lexuesi i zakonshëm që nuk e ka vënë re fare këtë paragraf, ndoshta nuk i ka kushtuar rëndësi apo s’e ka kuptuar, ndoshta e ka kaluar me faqet që i dukeshin të lodhshme.
- Lexuesi model përpiqet të vendosë në kandar e të bëjë një bilanc të sjelljeve, veprimeve, mendimeve të personazhit, që të krijojë një portret sa më të përshtatshëm për të. Në asnjë çast lexuesi model nuk e gjykon Emën, madje në shumë raste pajtohet me të, i vjen keq. Pra, e kupton psikologjinë dhe natyrën e saj. Lexuesi i zakonshëm shfaqet paragjykues, nuk përpiqet ta kuptojë botën e brendshme të personazhit dhe shpeshherë e bën fajtore.
- Kur lexuesin model e pyesin rreth veprës, ai nuk tregon ngjarjet në mënyrë kronologjikë, ku lindi, ku jetoi, ku u martua Ema. Ai më shumë përqendrohet te bota e Emës dhe çfarë ndodh me të, çfarë ka në shpirtin e saj që ndodhin gjithë këto gurgule. Ndërsa te lexuesi i zakonshëm vihen re vetëm ngjarjet që kanë ndodhur në roman. Pra, ai e lexon romanin, me të njëjtën mënyrë si lexon një recetë gatimi, pra, ngulit përbërësit, në rastin tonë personazhet, si llokoçiten ata me njeri-tjetrin dhe çfarë ndodh në fund. Qëndron shumë sipërfaqësor në interpretim.
- Tekstet kanë një lidhje me njeri-tjetrin, sepse flasin mes tyre dhe lexuesi model e vë re këtë gjë ku e krahason Emën me personazhet e Balzakut apo Ibsenit. Kjo gjë mund të ndodhë edhe te lexuesi i zakonshëm, por personazhet apo ngjarjet që do të vendosë në peshore, do të jenë të shkëputur nga romanet limonadë.
Ky krahasim tregon se një vepër letrare vërteton se një vepër kurrsesi nuk mund të jetë vetëm historia që rrëfen, por edhe mënyra se si lexohet dhe interpretohet. “Zonja Bovari” e Gustav Floberit mbetet e njëjta në tekst, por ndryshon në kuptimin që ndërton secili lexues. Pikërisht këtu qëndron edhe ideja e Umberto Ekos për rolin aktiv të lexuesit: teksti ofron mundësi interpretimi, ndërsa lexuesi është ai që i aktivizon ato. Sa më i përgatitur të jetë lexuesi për të vënë re hollësitë, lidhjet ndërtekstuale dhe shtresat stilistike, aq më e pasur bëhet përvoja e leximit.
Një tekst është një makinë për të prodhuar interpretime. – Umberto Eko


Leave a comment