Mbi romanin “Të çmendur në parajsë” | Anxhela Pashaj

Published on

in

,

“Të çmendur në parajsë” nga autori Virion Graçi është një roman jo i traditës, ku rrëfimi është në plan të dytë. Një roman eksperimental, që shkruhet sipas formulave të teksteve të gjinisë së dramatikes. Graçi eksperimenton me përzierjen e dy gjinive të mëdha letrare duke sjellë një kallëzim pështjellues, i cili ndërton imazhin e një Shqipërie post komuniste që vuan varfërinë dhe sfilitjen intelektuale e shpirtërore të shqiptarit në emigrim. Një roman që nis me vdekjen e një fëmije krejt të pafajshëm prej nënës së tij, një Medea shqiptare që tmerron vetveten dhe lexuesin.
Rrëfimi kalon në gojën e babait, fajtorit kryesor të rënies së familjes së tij. Rrëfim që vjen më shumë si dialogë alogjike, pa kuptim, një përçartje e tejzgjatur që dëshmon rënien mendore të personazheve, si dhe dramën e madhe të të qenit çdo ditë askush në një botë të huaj. Në roman emigracioni jepet si një zgjidhje fatale e problemeve ekonomike të shqiptarëve post komunizmit, i cili vret çdo ndjenjë krenarie të burrit a gruas.
Në Athinë, bota e personazhit të Graçit vërtitet rreth parasë, ilegalitetit, prostitucionit dhe vdekjes. Nuk ka dritë as shpresë në atë qytet, duket si një qytet i nëndheshëm ku drita nuk prek asnjë shpirt të vuajtur. Të gjithë të pafat, të dënuar; burri, gruaja, fëmija. Një luftë e përgjakur për mbijetesë, ku zgjidhja shihet te shitja e trupit dhe shpirtit.
Graçi ndërton një realitet ku nuk ekziston dashuria, por që dëshirohet, ëndërrohet, kërkohet. Ajo ç’ka gjejnë personazhet është çmenduria. Pesha e mëkateve të tyre bëhet kaq e rëndë sa humbja e mendjes bëhet në një lloj mënyre shpëtimi i tyre prej vuajtjes dhe dhimbjes, prej fajit. Çmenduria bëhet streha e tyre e lumturisë, parajsa për të cilën luftojnë e rrënohen. Në çmendurinë e vet, mëma njëson ish-bashkëshortin me birin e vdekur duke refuzuar të besojë se i biri ka vdekur.
Duke u çmendur, gruaja bëhet më e ndjeshme, më mëmë dhe pikërisht kjo e bën fatale qenësinë e saj. Nga ana tjetër, burri, babai i fëmijës endet në ferrin e tij. Një ferr ku ai është përgjegjës për zvetënimin e gruas. Rënia e burrit është edhe rënia e gruas, po edhe rënia e familjes. Duke qenë se kallëzimi vjen prej tij, ai është i pabesueshëm edhe kur tregon të vërtetën. Nisja e një jete të re, me një grua tjetër bëhet absurde kur gjatë gjithë kohës ai dëshmon se nuk është shkëputur nga jeta e mëparshme. Ai nuk është shkëputur prej të birit të vdekur dhe Lorës, gruas së tij të parë.
Bota e tij ka ndaluar së lëvizuri qysh prej ditës kur niset drejt kufirit, për të kaluar në tokën greke. Në anën tjetër nuk ka asgjë ndryshe, e njëjta botë e fëlliqur, e njëjta torturë. Të mbijetuarit bëhet edhe më e vështirë, më sfilitëse. Tatëpjeta e gremis shpirtin e munduar në hone të errëta, prej të cilave ai nuk del dot kurrë më. Në ato hone, disa nga shpirtrat mbahen gjallë prej kujtimeve dhe shpresës se jeta e të tjerëve do të bëhet më e bukur. Me këtë mendje vazhdon të endet në ferr personazhi i Graçit duke u deformuar dhe humbur çdo pjesë të vetes së tij.
Në këtë roman, Graçi tregohet i pamëshirshëm me personazhin e tij. Atij i mohohet thuajse gjithçka sikurse ndonjëherë ndodh në jetën e shumëve prej nesh. I mohohet lumturia, e ardhmja dhe vetë jeta. Edhe pse fatkeqësitë e tij janë prekëse, lexuesi ndihet i paprekur, ai vazhdon të kërkojë për arsyet e tyre, për momentin kur nisën ato. Nuk ka asnjë ndjenjë simpatie apo antipatie për vuajtësin e fatkeqësive, kjo pa dyshim prej mënyrës se si Graçi ndërton personazhin dhe realitetin e tij. Ai ecën krahë njerëzve të ulët, mashtruesve, shfrytëzuesve të grave, vrasësve e kësisoj nuk ngjitet dot më lart se prej baltës ku është mbuluar i biri. Nuk mund të kap qiellin një qenie që gjen më lehtë t’u bashkohet a të heshtë ndaj paudhësive e degradimit të njeriut.
Graçi thuajse e tërheq zvarrë personazhin e tij deri në dyert e Parajsës vetëm për ta lënë aty, në angështi duke u lutur që vuajtja të mbarojë. Sigurisht që lutjet që nisen prej thellësive të Ferrit nuk mund të ngjiten deri në Parajsë, andaj edhe mundimet zgjasin e bëhen më të thella e të padurueshme. Sa më shumë vuan shpirti aq më të çrregullta dhe të rrëmujshme mendimet, aq më alogjik ligjërimi i personazhit. Çdo thyerje e brendshme e personazhit reflektohet në gjuhë, në tekst, në dialogët dhe monologët e pafundmë.
Të gjitha errësimet, bllokimet e mendjes dhe kujtesës së personazhit i jepen lexuesit t’i kuptojë përmes shkëputjeve apo ndërprerjeve të dialogëve e pasazheve rrëfyese. Këto shkëputje janë mjaft të shpeshta, aq sa për të gjykuar se ai është i çmendur, vetëm se çmenduria e tij nuk ngjan me atë të të tjerëve. Ironia është se lexuesi duhet të shkojë deri në fund të romanit për të kuptuar këtë, e përsëri i çmenduri do t’i shtijë dyshimin se nuk është aspak i tillë, por vetëm fatkeq. Fatkeqësitë e mëdha të çojnë në çmenduri dhe të çmendurit kthjellohen kur duan të bindin botën se nuk janë të tillë. Po e hollë është fija që ndan të çmendurin nga të kthjellëtin, kush mund të tregojë me siguri se cili është njëri e cili tjetri në këtë botën tonë të pamëshirshme?

Leave a Reply


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.