Uno Kōji | Dollapi me master

Published on

in

, ,

Kanë kaluar pesë vjet qëkurse Otsukotsu Sansaku u diplomua në fakultetin e Drejtësisë dhe iu dha titulli Mjeshtër i Shkencave Otsukotsu Sasaku, por vijon ende të jetë i papunë. Pothuaj nëntë vjet kanë kaluar që u largua nga provinca për herë të parë për t’u vendosur në Tokio, dhe vazhdon ende të flejë në të njëjtin krevat, në të njëjtën shtëpi që zgjodhi kur u shpërngul (ndërkohë pronari i shtëpisë ka ndryshuar trembëdhjetë herë).
Në fakt, Sansaku, si student, kishte ndjekur të paktën dy të tretat e ditëve të lejuara për frekuentim në universitet – kjo ndoshta se rregullat e universitetit ndalonin frekuentim më të paktë – ndaj, notat e tij kishin marrë të tatëpjetën. Sidoqoftë, në universitet shkoi dhjetë ditë në vit, duke shkelur portën e kampusit jo më shumë se dyzet herë në katër vjet, si rezultat u diplomua i dyti nga fundi.
Në klasë të tretë apo të katërt, Sansaku u fiksua pas përrallave dhe revistave për djem, dhe kishte një dëshirë të vagullt të bëhej autor librash për fëmijë, njëjtë si Iwaya Sazanami.
Kur ishte tre vjeç i vdiq babai, duke i lënë Sansakut dhe mamasë së tij mjaft para për gjithë jetën. E ëma ia besoi pasurinë një të afërmi të fuqishëm, por kjo pati një efekt të kundërt, pasi i zhyti ata në fatkeqësi, kur papritur i afërmi falimentoi duke humbur edhe pasurinë e tij, edhe tyren gjithashtu. E gjithë kjo ndodhi kur Sansaku nisi gjimnazin.
Në këtë pikë, një tjetër i afërm, i quajtur Oike, u vetofrua për t’i paguar shkollën. Oike ishte një kushëri i babait të Sansakut, i cili dikur kishte ndihmuar financiarisht dhe në mënyra të tjera kushëririn e tij, e ky, papritmas ia kishte dalë mbanë me tregtinë dhe ishte bërë milioner. Kur Sansaku katërmbëdhjetë vjeçar mbaroi vitin e parë të gjimnazit, Oike e mori të jetonte në shtëpinë e tij dhe nguli këmbë që të bënte një provim për ta transferuar në një shkollë fort të lakmuar biznesi. Përpiqu sa të duash… por Sansaku nuk mundi ta detyronte veten të studionte për provimet dhe dy ditë para datës së paracaktuar, u arratis nga shtëpia e Oikes për në shtëpinë e tij (ose, më mirë, në shtëpinë e prindërve të mamasë, të cilët e kishin strehuar pas falimentimit).
Ndërkaq, Oike hoqi dorë nga planet për Sansakun dhe e lejoi të ndiqte shkollën e mesme të përgjithshme dhe u mjaftua me pagimin e shkollës. Sansaku kishte nota të shkëlqyera që nga fillorja deri në gjimnaz, edhe pse duhet thënë që nuk mundohej shumë. Madje, asfare. Në të vërtetë, ishte plotësisht i zhytur në revista dhe letërsi. Por ambicia që Iwaya Sazanami i kishte ngjallur në vitet e tij të para ishte zhvilluar dalëngadalë: në fillim, Sansaku ëndërronte të ishte shkrimtar i punësuar në një revistë e më pas, aty nga viti i tretë i shkollës së mesme, u lidh fort me qëllimin e patutshëm për t’u bërë shkrimtar romanesh. Edhe sot e kësaj dite, nuk ka ndryshuar. Kjo vë në pah edhe njëherë se kemi të bëjmë me dikë, që në fëmijëri është konsideruar gjeni.
Mirëpo, kur ai ishte tetëmbëdhjetë vjeç, një problem tjetër lindi me diplomimin e Sansakut në shkollë të mesme. Oike, i bindur se ky ishte çasti i duhur për të kapur rastin, e detyroi përsëri Sansakun të studionte biznes, por Sansaku këmbëngulte se e ardhmja e tij ishte letërsia. Të dy debatuan gjerë e gjatë derisa u vendos (nëpërmjet ndërhyrjes së një pale të tretë) që Sansaku duhet të merrte rrugën e mesme dhe të studionte drejtësi në universitet. As mendjemprehti Sansaku Otsukotsu nuk e rroku dot qartësisht se si drejtësia na qënka rruga e mesme mes biznesit dhe letërsisë, por kuptoi se çdo rezistencë ndaj dëshirave të të afërmit, i cili paguante shkollimin do të ishin të kota dhe kundër interesave të tij, dhe më në fund u dorëzua duke u regjistruar në programin universitar të para-drejtësisë. Kështu ndodhi që, gjatë tre viteve parauniversitare dhe katër viteve të universitetit, Sansaku iu përvesh vetëm letërsisë, edhe pse ndërkohë u sistemua në drejtësi. Më në fund, ia hodhi paq gjatë viteve universitare dhe para pesë vitesh u bë, vetëm me titull, i diplomuar në Drejtësi; MSc. Sansaku Otsukotsu.
Me diplomimin e Sansakut, Oike vdiq. Kjo nuk e preu linjën trashëgimnore të tij, pasi ky kishte një trashëgimtar të përkryer, i cili do të mbartte emrin e tij. Pagesa e Sansakut ndaloi në kohën kur u diplomua, a thua sikur borxhi i Oikes ndaj babait të Sansakut u shlye njëherë e përgjithmonë. Siç u përmend më parë, Sansaku ka një Master Shkencor në Drejtësi, por ai nuk di thuajse asgjë nga drejtësia. Asnjë nga të afërmit e tij, të cilët ndienin veç mospëlqim për të, nuk u përçap t’i jepte dorën për t’i gjetur një punë. Por dhe ai, me arrogancën e tij të çuditshme, nuk i kërkoi ndihmë kolegëve të tij më të mëdhenj për ndonjë pozicion të lirë. Veç kësaj, as ata nuk e pëlqenin Sansakun.
Dhe kështu, fatkeqi jonë me master shkencor, papandehur gjendet i detyruar t’i dalë për zot vetes. Ndërkaq, pjesa më e madhe e shoqërisë së tij në universitet ishin nga departamenti i letërsisë dhe jo i drejtësisë, dhe nëpërmjet këtyre miqësive Sansaku kishte mundur t’ia hidhte nga një ditë varfërie në tjetrën, duke bërë përkthime të rastësishme me çmim të ulët ose duke shkruar përralla, edhe pse kishte hyrë në një borxh të madh te shtëpia me qira ku jetonte. Për më tepër, kuptoi se me t’u diplomuar, nga ai pritej që t’i niste të ëmës në fshat, në shtëpinë e gjyshërve një shumë të hollash mujore prej dhjetë jen.
Këto dy vite të shkuara, Sansaku është zhytur dhe më shumë në varfëri. Punë të mjaftueshme me përkthimet nuk kishte dhe idetë për përralla i ishin shterur. Gjithashtu, takimi me miqtë e tij të letërsisë, për t’iu lutur për punë ishte po aq i sikletshëm sa t’i lutej kolegëve nga drejtësia. (Me fjalë të tjera, edhe pse arrogant, ai është një njeri me drojë të madhe.) Kështu, përpara se ta kuptonte, të hollat që i dërgonte së ëmës u rralluan vazhdimisht. Me t’u bërë normale, nuk e vrau më mendjen dhe dalëngadalë nuk nisi më asgjë. E në fund, i flakte letrat e saj tutje pa kurrfarë sëmbimi në ndërgjegje.
Por, vetëm një muaj më parë, mbërriti një letër nga fshati. Ashtu siç u vu në dukje, kalonin dy apo tre ditë përpara se Sansaku të lexonte letrat e së ëmës, madje disa nuk i lexonte; por këtë, fatmirësisht, e hapi dhe e lexoi menjëherë – “fatmirësisht” sepse i solli lajme shumë të mira. Meqë kishte kohë që i dërgonte me vonesë të holla së ëmës, mamaja thoshte, se të afërmëve i kishin rënë në vesh vështirësitë e saj dhe disa prej syresh, njëjtë si Oike, që nga ndihma e babait të Sansakut dikur, tanimë ishin rregulluar më së miri, ishin takuar dhe kishin mbledhur dhjetë mijë jen, duke i mundësuar hapjen e një dyqani të vogël dhe të qëndrueshëm.
Lajmi i solli Sansakut një ndjejë të madhe lehtësimi nga vramendjet e jetesës së përditshme, që atij i ishin bërë të padurueshme.
-Ç’a tha edhe njëherë? – pëshpëriti, duke dashur të kujtojë pjesën e fundit nga letra e së ëmës.
“Sansaku, të afërmit tanë janë mbledhur bashkë dhe më ndihmuan të hap një dyqan sepse ti dështove të më ndihmoje ashtu siç duhej!”
Edhe pse nuk na takon të themi të tilla gjëra, thoshin bastardët hipokritë, nuk mundesh kurrsesi të bezdisësh mamanë tënde për t’i kërkuar hua.
-Hua? Kush dreqin po kërkon hua? Pa prit një sekondë… – vazhdoi ai, duke u përpjekur ta kuptonte më mirë situatën.
-Nëse ia japin asaj, janë të sajat. Dhe veç kësaj, unë nuk jam ndonjë bir plëngprishës që bezdis të ëmën për para që të bëj një jetë të shthurur. Ky është rasti im që të ulem dhe të bëj punë serioze. Që do të thotë … kështu pra… Mirë atëherë, nuk do mendoj fare për para dhe do ta shfrytëzoj kohën për të menduar një roman për të rritur. (Duke shkruar aq shumë përralla gjatë viteve, kështu e quan Sansaku romanin.)
-Ngaqë kam nisur pak a shumë pesëdhjetë jen çdo muaj deri tani, kam qenë i detyruar të bëj punë idiote, të cilat i urreja pafundësisht, por tani që jetesa e mamasë është e sigurt…
Fill sapo mendimet e hodhën deri këtu, nisi e ndieu një lehtësim, ashtu si një udhëtar i cili është i pandërgjegjshëm për lodhjen e tij për aq kohë sa përshpejton drejt pikëmbërritjes, por shëmbet i mpirë nga rraskapitja, në momentin që kupton që ka arritur në vendmbërritje (edhe pse në fakt, siç u tha më parë, Sansaku as nuk kishte qenë i rregullt në dërgesat mujore të mamasë.) Porsa kuptoi që nuk ishte më e nevojshme të vepronte, vullneti për të vepruar thjesht u zhduk. Edhe pse ndonjëherë ndiente një shtysë për të shkruar një roman për të rritur – në fund të fundit, kjo ishte një ambicie që ai e kishte ushqyer deri aty sa kishte harruar çdo gjë tjetër, duke përfshirë edhe studimet – i ndodhte që edhe sikur ta përfundonte, vetëm pranimi për botim kërkonte një përpjekje kolosale nga ana e tij, jo më të fitonte ndonjë qindarkë të shpejtë si me përrallat. Ndaj, e flakte tutje penën.
Që atëherë, i shtynte ditët duke takuar miq ose duke fjetur. Stili i të fjeturit të Sansakut meriton të përmendet veçanërisht. Dhoma e tij e vogël e shtruar me tatami ka një gjatësi standarde, dollap i thellë i ndarë në dy rafte, një lart, një poshtë, për të mbajtur futonin dhe mbulesat e tij, i cili mbyllet nga kanate rrëshkitëse prej letre, por Sansaku, shumë kohë më parë, vendosi se ishte humbje kohe të hapte dollapin, të rregullonte teshat çdo natë dhe t’i vendoste në mëngjes përsëri në dollap. Ndaj, në vend të kësaj rregulloi raftin e sipërm dhe tani e mban futonin të hapur gjithmonë në raft. Ai fle në dollap me kanatet e hapura dhe nuk e rregullon krevatin asnjëherë.
-Ja! Kjo është zgjidhja! – behu prej gëzimit nga ky zbulim. – Unë mund të kem lindur në fund të botës, por jam ndryshe nga djali tipik i një fermeri apo tregtari. Jam i ndërtuar me finesë, ndaj nuk mund të fle dokudo, mbi një pirg me revista apo me lecka si jastëk. Kështu pra!
Përtac, siç ishte, Sansaku ende çohej herët, lante fytyrën dhe hante mëngjes. Prapëseprapë, pas nja dy orësh, do të zvarritej për në krevatin e tij në dollap. Zakonisht, e zgjonte shërbyesja kur i sillte drekën me tabaka, të cilën e vendoste në tatami. Ai rrëshqiste nga rafti, ulej këmbëkryq në dysheme për të mbaruar drekën dhe pastaj, drejt e në strofkullën e tij në dollap. Pastaj, në darkë, do të zgjohej përsëri nga shërbyesja, e cila i sillte darkën me tabakanë e përhershme. Ndërsa flinte, sigurisht, Sansaku ishte i pandërgjegjshëm, kështu i dukej se të tre vaktet e tij – mëngjesi, dreka dhe darka – i shërbeheshin varg, njëjtë si një kamerier në restorantet evropiane që sjell pjatat njëra pas tjetrës. Pothuaj të gjitha darkat i kalonte duke shëtitur në qytet ose duke shtyrë kohën me miq për të folur për asnjë send. Më së shumti, orari i gjumit për të ishte ora dy e mëngjesit. Përsëri, Sansaku habitej më tepër se kushdo sesa shumë mund të flinte.
-Nga ana tjetër, unë asnjëherë nuk fle pa ëndërruar, – mendonte shpesh me vete. – Që do të thotë se koha që kaloj në gjumë është në fakt e shkurtër. Nëse njerëzit e zakonshëm ëndërrojnë pak teksa flenë, në rastin tim është se unë fle pak teksa ëndërroj.
Tani, konvikti ku jetonte MSc. Otsukotsu Sansaku, ndodhej në gjysmë të rrugës në një kodër, në një ngastër toke, e cila është rreth tridhjetë centimetra nën nivelin e rrugës, si pasojë e kësaj, edhe pse dhoma e tij është në katin e sipërm me pamje nga rruga (në fakt nga kodra), fytyrat e njerëzve që kalojnë janë pothuaj në të njëjtën lartësi me tatamin e tij në dysheme. Kjo do të thotë se kur e lë dritaren hapur dhe e mban derën e dollapit pak të tërhequr, ai mund të shtrihet midis shtresave në raftin e dollapit, duke parë dhe vrojtuar me imtësi kalimtarët- asnjë prej tyre, sigurisht që nuk do e imagjinonte që një person brenda një dollapi po i vëzhgon, ndaj rrjedhimisht kalojnë të pashqetësuar pranë një dhome, të cilën ata e pandehin bosh.
Sakaq, midis palëve të teshave të tij, Sansaku kalon disa intervale të caktuara – pesë ose dhjetë minuta kur sytë i lodhen nga leximi i revistave ose kur kalon nga dremitja e mëngjesit te e drekës – në vëzhgim të kalimtarëve duke ngjitur apo zbritur kodrën, njëjtë sikur të shihte një shfaqje. Ai ka zhvilluar një aftësi për t’i dalluar banorët vendas edhe pse nuk ka shkëmbyer një fjalë me ta, i thotë vetes, “Aha! Ai është kështu dhe vjen nga kjo derë.” Mjaft shpesh, ndërsa ishte shtrirë dhe vrojtonte kalimtarët, do t’i fanepsej ndonjë ëndërr e mërmëriste nëpër dhëmbë: “Oh, sa më bëhet qejfi që e shikoj të ecë përsëri, duhet t’ia ketë hedhur sëmundjes.” ose “Oh, perëndi, shiko atë vajzën, qenka pispillosur sot!”
Kur ishte student, Sansaku ishte thellësisht i zhgënjyer me drejtësinë si një disiplinë akademike. Tani, emrit të tij i bashkangjigjet MSc-ja, por ai vijon ende të jetojë si një student i letërsisë, edhe pse letërsia bashkëkohore dhe rrethi i letrarëve i duken po aq zhgënjyes dhe të përbuzshëm. Më herët, ai (dhe mbase vetëm ai) besonte se letrari ishte dikush i cili zotëronte fuqinë e hollë për të vlerësuar çdo gjë në këtë botë. Mirëpo, si i dukeshin tani letrarët me të cilët kishte krijuar afërsi?
-Le të marrim një shembull të përafërt, – mendoi MSc. Otsukotsu Sansaku, ndërsa, si zakonisht, vëzhgonte rrugën nga dollapi, – ja, fytyra e asaj gruas: mes shkrimtarëve që njoh… (dhe në fakt, shumë nga miqtë e tij, studentë letërsie që njohu gjatë kohës së shkollës së drejtësisë ishin tashmë mjaft të njohur në botën e letrave) …a mund të gjendet ndonjë që është i aftë të shkruajë një kritikë të hijshme mbi bukurinë – ose jo – të fytyrës, ose qëndrimit të saj, ose mënyrës si mban veshur kimononë, apo në përgjithësi veshjes që mbart?
Kur ishte i vogël, Sansaku prirej të ishte mendjemadh dhe arrogant, kurdoherë i gatshëm të kapardisej sadopak me aftësitë e tij. Me pak fjalë, ishte përbuzës për pothuaj çdo gjë dhe çdokënd. Kjo prirje u rrit me kalimin e viteve deri në atë pikë sa tani, edhe atij i duket disi jonormale. Gjatë këtyre dy-tre viteve të fundit, ndjesia e pakënaqësisë është rritur aq shumë sa çdo punim artistik, jo vetëm krijimet letrare, por edhe esetë kritike, tekstet dramatike, performancat teatrale, pikturat, i mbesin në mendje vetëm për të metat e panumërta. Ai është i vetmi që mund të nuhasë virtytet dhe të metat (nëse, me të vërtetë mbartin ndonjë virtyt) sepse vetëm ai i kupton plotësisht. Ka vajtur deri aty sa të mendojë që t’i garantojë modele shkrimtarëve të tjerë, të shkruajë punime të cilat do t’i orientojnë për të patur arritje gjithnjë e më të mëdha, por në fund, asnjë nuk është materializuar.
Le të themi, del për të ngrënë ose për një performancë gidayu ose rakugo ose kodan ose naniwabushi , ose mbase ongyoku ose buyo , ose për ta ulur pak te një teodori komik ose një tragjedi shimpa : nuk ka absolutisht asgjë të cilën ai nuk di ta vlerësojë. Ai beson se është i aftë të dallojë çelësin e bukurisë, atë që nuk e kap dot askush dhe njëkohësisht të dallojë të metat në gjëra që të gjithë të tjerët admirojnë. Kjo i jep vetëkënaqësi.
-Sikur të isha bërë mundës sumoje, jam i sigurt që do të radhitesha mes kampionëve.
Ky është një mendim që i kaloi vrikthi në mendje një ditë teksa shtriqej në dollap.
-Ja ky Oarashi Tatsuguro, për shembull. Të gjithë po thonë se është i pamposhtur, por unë e njoh që nga gjimnazi. Në fillim, ishim në të njëjtën klasë dhe ai ishte një “përsëritës”, ngeli për dy vjet rresht në provime, ndaj përfundoi në klasë poshtë meje. Tani, te kopertina e revistës së sumos e quajnë një mundës jashtëzakonisht të zgjuar. Epo, sa e sa herë jam ndeshur me të në xhudo. Nuk e kam pasur kurrë forcën fizike, por trupi im ishte elastik si një makaronë, kështu tjetri më vërsulej me të gjithë forcën, por unë isha si një gjethe në erë, sigurisht është një krahasim i vjetër, por ashtu isha vërtet, dhe kurrkush nuk mund të më mposhtte. Pas një farë kohe, kur tjetri më shtypte, unë gjeja një të çarë dhe përdorja forcën e tij kundër tij. Gjithmonë fitoja. Oarashi ishte pak i fuqishëm atëherë (edhe pse jo ndonjë gjë e veçantë), por asnjëherë të vetme nuk më mundi. Sikur të isha stërvitur gjithë këtë kohë njësoj si Oarashi, do të isha i shkëlqyer tani, ose të paktën një mundës – ndofta jo i jashtëzakonshëm – por shumë i mirë.
Ky mendim e bëri Otsukotsu Sansakun të ndiente se mund të fitonte edhe sot kundër Oarashit. Teksa shullëhej në dollap dhe ëndërronte syhapur veten duke mundur të gjithë mundësit e sotshëm të sumos, një ngërdheshje i përshkoi fytyrën.
-Pyes veten pse nuk e mora kurrë seriozisht studimin e drejtësisë, – mendoi njëherë Sansaku. – Dua të them, mendo gjithë shokët e klasës sime, të gjithë mendjetulë, gjuhëlidhur dhe aspak tërheqës, Kakii, e shikoj në gazetën e sotme dhe e quajnë avokatin e ardhshëm më të mirë, vetëm se arriti të fitojë një çështje idiote. Sa kollaj mund t’ia hedhësh publikut! (Sansaku e gjen fajin vetëm te njerëzit e tjerë dhe harron sa i vështirë është – dhe ka qenë – publiku edhe me vet Sansakun.)
-Me inteligjencën dhe zhdërvjelltësinë time…
Më shumë se një herë, mendime të tilla e frymëzonin të rrokte librat e drejtësisë dhe të aplikonte të bëhej gjyqtar ose prokuror, por ky hov nuk zgjaste më shumë se një orë.
Përfundimisht, Sansakut i mungonin elementët më të rëndësishëm për t’ia dalë mbanë në botë: këmbëngulja, kurajo dhe gjykimi i shëndoshë. Për të, çdo gjë ishte budallallëk, çdo gjë ishte e mërzitshme, çdo gjë që shikonte dhe dëgjonte e mbushte me pakënaqësi dhe ndonjëherë edhe me tërbim. Neveritej veçanërisht nga modeli modern i flokëve të qiradhënëses së tij, e cila i përdridhte lart duke i vendosur një karficë të zezë me shkëlqim në kokë dhe i mbulonte me sa mundej flokët e saj të rrallë, çdo fije e ngecur në vendin e vet me ndihmën e llakut. Gjithashtu, ajo lëngonte për t’u thirrur “zonjë”, jo vetëm nga shërbyeset, por edhe nga qiramarrësit; përpiqej të fshihte faktin se ishte dashnorja e një zotërie të vjetër nga fshati, i cili e vizitonte një ose dy herë në javë.
Vetëm Sansaku e thërriste ‘Zonjusha Pronare’, ndaj së cilës ajo asnjëherë nuk denjoi t’i kthente përgjigje. Pavarësisht refuzimit të saj për t’iu përgjigjur, ai gjithmonë do ta pyeste ‘Sa qejf po bën në jetë?’
-Sa qejf po bën në jetë? – ishte një frazë e përhershme e Sansakut.
-Po ti? – pyeti njëherë një shok. – Po bën qejf?
E vetmja përgjigje e shokut ishin nja dy hungërima shpërfillëse.
Një shok tjetër iu përgjigj pyetjes me një “aspak” të drejtëpërdrejtë, së cilës Sansaku iu përgjigj më një tjetër frazë të përhershme;
-A nuk do të vdesësh?
-Do të doja të më vrisnin pa e marrë vesh unë, – iu përgjigj shoku.
-Oh, oh, nuk duroj dot më! Them të hipi në një avion. Kam qenë një ndër gjimnastët më të mirë në gjimnaz, ndaj jam i sigurt që do të isha një pilot i përkryer.
Deziluzionet speciale të madhështisë të Sansakut nisën të fluturonin larg.
-Sa keq që nuk kam të vetmen gjë që duhet për këtë…këllqet.
Dhe shumë shpejt u shkëput në botën e tij të ëndrrave brenda dollapit-krevat.
Otsukotsu Sansaku kishte qenë i shkëlqyer në kërcim së gjati në gjimaz. Merrte vrull për gjashtë metra, vendoste këmbën e majtë në vizë dhe hidhej me këmbët që i rrotulloheshin në ajër, sikur të notonte. Teksa i afrohej limitit të lejuar për kërcim, e kthente trupin para, duke i dhënë një hark të dytë për të zgjatur distancën, dhe më pas i jepte trupit një tjetër hark, pikërisht në momentin para se të prekte tokën, duke formuar tri harqe gjithsej. Në këtë mënyrë, ai ia dilte të kërcente më larg se atletët e tjerë, të cilët mund të ekzekutonin vetëm një hark. Tashmë, mendja e shpuri të përdorte këtë teknikë që ta çonte trupin lart derisa sa të shkëputej plotësisht nga toka pa ndihmën e ndonjë mekanizmi.
-Sa qejf! Dhe sa e lehtë qenka! Oh, shiko! Po fluturoj mbi pisha dhe gjithë ata njerëz atje poshtë. E çuditshme se si nuk i bën përshtypje asnjë njeriu! Por do kuptojnë së shpejti. Do ia tregoj unë. Do ta shikojnë sa madhështore është puna ime! Oh, qenkam fare pranë bregut të lumit. Edhe pastaj? Lumë, oqean, janë të gjitha njësoj për mua. Vetëm jepi, jepi, nuk ka rëndësi. E sheh? Është asgjë, jam në anën tjetër të lumit tani.
Kjo e gjitha ishte një ëndërr sigurisht. Nuk e kuptoi kur i doli gjumi, por një gjë kuptoi me siguri, ëndrra nuk mbaroi, ashtu siç ndodh gjithmonë, me dështim.
Otsukatsu Sansaku as nuk u befasua kur hapi sytë. Ai vërtetë kishte qenë i pari në kërcim së gjati në gjimnaz dhe qartazi i kujtohej si mund ta përdridhte trupin në mes të kërcimit.
-Pse nuk e kam provuar gjithë këtë kohë? Vrapimi drejt vijës është i njëjtë me avionin kur niset nga pista dhe vendosja e këmbëve është ndoshta shkëputja nga toka. Sigurisht, kaq, e di që mund ta bëj! Por…
Sigurisht që në mes të euforisë filluan dyshimet.
-Por… – mendoi përsëri.
Ai kërceu nga dollapi dhe e provoi në dhomën e tij të ngushtë, por nuk mundi të ngrihej as tridhjetë centimetra nga tatami. Në fakt, ra mbrapsht aq rëndë dhe halldupshe, sa dyshoi mos ishte shëndoshur.
-Jo, nuk mund të jetë kaq e vështirë, – i tha vetes, dështimi fillestar e çoi në një tentativë më të vendosur.
Doli në korridor. Fatmirësisht, nuk kishte njeri. Para një muaji, konvikti ishte pastruar plotësisht dhe gjendeshin ende të spërkatura në dysheme fletë të vajosura me një lloj të ri kimikati dhe llaku, këto ishin vendosur poshtë për të përmirësuar paraqitjen, por dhe për t’u mbrojtur nga tartabiqet. Mund të rrëshqisje kollaj dhe Sansaku kënaqej duke rrëshqitur me shapkat e tij, sa herë që trashej në dhomë.
Tashmë, duke vënë në funksion aftësitë e tij aeronautike nën efektin e ëndrrës, Sansaku u dha i tëri pas një vrapi përgjatë korridorit dhe u hodh në ajër, por nuk mundi të arrinte as një të dhjetën e asaj që bënte në shkollë. Kur vendosi këmbën në hapin e katërt për t’u ngritur përgjatë korridorit, rrëshqiti dhe ra, përplasi kockën poshtë gjurit dhe ra me prapanicë. I ulur në dysheme, i ngrysur nga dhimbja, kur qiradhënësja, me modelin e saj të rëndë plot llak po ngjitej shkallëve:
-O Zot i madh! – shqeu sytë gruaja. – Zoti Otsukotsu!
-Zonjë! – iu khye Sansaku, me titullin të cilin nuk donte ta përdorte.
Zgjodhi ta thërriste me atë titull sepse iu kujtua diçka që iu duk e nevojshme, madje aq sa harroi edhe dhimbjen në kockë.
-Zonjë, pres të marr një shumë parash nesër, kështu që do mund të…
Pasi tha këtë, rënkoi nga dhimbja në këmbë dhe nga pasojat që imagjinonte prej gënjeshtrës së tij. Ndjeu se duhej të shtonte fjalë të tjera për të mbuluar turpin, ndaj tha atë të zakonshmen:
-S’qenka dhe aq qejf jeta, apo jo, zonjë?
-Jo dhe aq, – shtoi ajo me vendosmëri. – Për asnjërin nga ne.
Me një gjysmë buzëqeshje, vazhdoi rrugën e saj poshtë shkallëve.
-Për asnjërin nga ne, apo jo? Kuptoj, kuptoj, – mërmëriti me vete MSc. Otsukotsu Sansaku, ende me prapanicë në dysheme, teksa e shihte të largohej.

Përkthyer nga japonishtja nga Jay Rubin
Përkthyer nga anglishtja nga Anila Balla

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.