Trëndafili | Juan Eduardo Zúñiga

Mu përballë këmbëve të studentit kaloi nxitimthi një karrocë, por ai sërish mundi të shihte në brendësi të saj imazhin e mrekullueshëm femëror. Të nesërmen, në po të njëjtën orë, e njëjta karrocë u rikthye për të kaluar sërisht nxitimthi përballë tij dhe la po të njëjtin imazh në mendjen e djaloshit, hijen e pastër të një fytyre të mbuluar kësaj here me një vello të bardhë. Studenti prej kërshërisë pyeti se kush ishte. Priti të nesërmen, shkoi buzë rrugës dhe priti të kalonte karroca me kalin trokthi, që e kish bërë për vete ditët e fundit dhe sot ai arriti të shihte më qartë jo vetëm fytyrën, por edhe sytë e mëdhenj të cilët ndaleshin mu mbi shikimin e tij.

Çdo ditë studenti ruante karron, i nervozuar dhe në ankth prej pritjes: çdo herë ajo femër i dukej më e bukur. Dhe, në çastin e fundit ai vërejti një buzëqeshje që i drejtohej atij, qeshi dhe mëtash u pushtua prej një ndjenje të atillë sa harroi gjithçka, klasën dhe profesorët: vetëm priste po të njëjtën orë kur të këmbehej ndanë rrugës mu përballë portës.

Dhe në fund pa atë që kishte dëshiruar prej kaq kohësh: ajo vajzë e përshëndeti me një lëvizje të tillë të dorës, që dukej sikur po shkonte më shumë drejt buzëve të qeshura, dhe ai nisi ta ndiqte pas, i dëshpëruar, duke vrapuar si i marrosur mes rrugësh e rrugicash, pa e humbur për asnjë çast kutinë lëvizëse, megjithëse ajo u zhduk për pak për tu shfaqur përsëri në të dalë të një ure.

Kishte ecur gjatë, ishte tepër i lodhur, apo e thënë më mirë, tepër i lëkundur mbi fjalët që do të thoshte dhe me bisedën që do të krijonte me të. I dukej sikur po kalonte rrugë që i kishte kaluar njëherë, vende të cilat kishte kohë që i kishte lënë pas, sikur po ecte në shi apo në diell dhe kurrë nuk hoqi dorë, i sigurt në atë që po bënte.

Pas një udhëtimi thuajse të pafund, karroca u ndal në një lagje të largët dhe të harruar. Ai u afrua me hapa hezitues dhe të lodhur, megjithëse mbështetej mbi bastun. Me sforco, hapi derën e mjetit dhe brenda nuk gjeti askënd.

Pa mbi ulëse vetëm një vazo në të cilën gjendej i mbjellë një trëndafil i njomë dhe i freskët. E mori në dorë dhe nuhati prej tij aromën e zbehtë të iluzionit që nuk e arriti kurrë.

Përktheu nga spanjishtja Antonio Çikollari

Leave a comment

Create a website or blog at WordPress.com

Up ↑