Psalm për Kosovën
Kur pikon gjak
Kalliu, kur piqet vera
Kur hyn në gjakun tim
Nusrore e të bëhem krushk
Më mëso vetëm t’i bie
Kitarës, më mëso të vdes bukur
|Azem Shkreli
Elegji për Kosovën
Zot nëse njerëzit s’dinë të shohin sot
Dhe nesër askush s’do ketë më sy
Shpëto o Zot vetëm sytë e fëmijve të Kosovës
O Zot shpëto ata sy të kaltërt të peshqëve blu
Që flenë në shi dhe ëndërrojnë engjëjt e tu
Zot nëse zërat e çmendur s’do pushojnë
Dhe tamtamet do përplasen në kupën e qiellit
Dhe klithmat e marra do qeshin e do thërrasin
Zot shpëto ato heshtje të pleqve të Kosovës
Që flasin me brazdat e baltës plot ujë të vjetër
Ujë nga shiu i parë i botës që njomi këtë dhe
Zot nëse s’do ketë më vend në botë ku të lindin nënat
Oh lere o zot atë rrugë të gjatë ku nuset e Kosovës
Po lindin yjet e Yllnajës së Mjellmës
O Zot ato janë foshnjat e tua
Dhe në s’do ketë shenjë delyzhi ku pirgu do bëhet
Gropë dhe gropa kodër mbill nëpër rrugët e Kosovës
Dyqind qiparisa dy mijë qiparisa dyqind mijë qiparisa
Dhe dy millionë rrape o Zot
Dhe ai do jetë pylli i parë i Lirisë në botë.
|Mihal Hanxhari
—
Të dyja poezitë përmbajnë në vetvete të njëjtin motiv, një shprehje e ndryshme që sinjalizon një kuptim, një ndjenjë, edhe pse titulli i veçon prej njëra-tjetrës.
Nëqoftëse shohim në fjalorin e gjuhës shqipe, gjejmë një shpjegim për të dy kahet e krahasimit. Për fjalën “psalm” gjejmë këtë shpjegim: “Secila nga këngët e lutjet fetare që përbëjnë një libër më vete në «Dhiatën e vjetër»; këngë kishtare.” E ndërsa për fjalën “elegji”:” Poezi lirike a pjesë muzikore me përmbajtje të trishtuar, të përvajshme e plot dhembje shpirtërore.”
Lind tanimë e nevojshme të shtrohet pyetja: “A gjenden elementë të përbashkët tek dy poezitë? Kemi elementë elegjiakë tek psalmi dhe e anasjelltë?” Sigurisht që po. Kjo ndodh pasi tek të dyja krijimet gjenden simbolika të huazuara prej biblicitetit apo prej elegjizmit.
Tek “Psalm për Kosovën” vërehet një lutje që i bëhet Zotit për lumturi, gëzim, bollëk dhe ndoshta deri diku mëshirë. Kemi element simbolik që zbërthehen në disa domethënie. Shkruesi ruan një distancë përkundrejt shprehisë së ndjenjave dhe përpiqet të mos bjerë pre e tyre. Përpiqet të mos shfaqë shumë trishtim, përkundrazi, të ketë shpresë se gjithçka do të marrë për mbarë. Kjo ndodh edhe për shkak se Shkreli nuk i ka përjetuar ngjarjet fatkeqe të popullit kosovar, nuk mundi ta përjetonte vuajtjen e dëbimit dhe asimilimin e popullsisë. Pikërisht prej kësaj paditurie – pasi ai vdes dy vite më parë – autori shfaqet vetëm me ndjesi optimiste, por me një pikëpyetje për të ardhmen. Sipas një këndvështrimi personal, vera përveçse pije është dhe një stinë e nxehtë. Dhe e nxehtë ishte dhe situata politike në veri–lindje të Shqipërisë. Por vera gjithashtu simbolizon dhe gjakun, ndaj dhe kosovarët dukej se edhe pa luftën nëpër këmbë, nuk po derdhin djersë prej mundimeve etnike, por gjak. Madje prej tensionit, dukeshin si të tepërt në tokën e tyre, ndaj dhe përdoret dhe binomi “piqet vera”, vlon gjaku.
Shpresa për më mirë në këtë Psalm vazhdon e më tej, ku elementë pozitivë shfaqen. Një prej tyre është edhe nusja. Veshur me të bardha, shoqëruar me muzikë. Dhe zbërthyer si një tjetër simbolikë biblike është përkthim për pjellorinë dhe vazhdimësinë e një kombi. Pak më pas vërehet fjala krushk. Ku mjaft mirë mund të kuptohet dëshira për të pasur jo vetëm gëzimin e shkëmbimit të kulturave, por edhe dëshirën për paqe dhe buzëqeshje. Dhe nëse do të kalojmë tek kitara, duket sikur nuk ka instrument më të gëzueshëm, me nota më pozitive, më të gjalla. Intstrument është edhe violina, por ndoshta notat e saj do të përshkruanin më së miri vitet e luftës. “Më mëso të vdes bukur” është vargu që duket sikur ka dashur të thotë që ka nevojë jo vetëm që të vdesë i lumtur, por edhe të vdesë pa pengje të lëna pas, sikur kërkon të sigurohet që ai dyshim i ndodhjes së trazirave të dy viteve më vonë të mos ndodhin. Kërkon të vdesë i qetë dhe kaq.
Tashmë është koha të hidhemi tek “Elegji për Kosovën”. Në plan të parë duket sikur është një vazhdim i atij dyshimi dhe pasigurie që hedh Shkreli. Qetësia është zhdukur dhe Psalmi i hareshëm është kthyer në vajtim. Uni lirik tashmë kërkon zgjidhje. Kërkon prej Zotit drejtësi, kërkon prej Tij të shohi atë që nuk e shohin dot të drejtët, krerët. Madje aq shumë e dëshiron, sa duket sikur prej nxitimi nuk ka përdorur as shenja pikësimi. Përdorimi i pikësimeve të ngadalëson, të humbet kohë dhe kohë nuk ka. Diçka duhet shpëtuar patjetër. Duhen shpëtuar fëmijët, nënat e reja, nuset e marra prej krushqisë së “Psalm për Kosovën”. Tashmë “kitara” zëvendësohet me “qiparisat” dhe “vdekja e bukur” me rrapet. Nuk ka jetë të përfunduara, ka jetë të prera në mes, ka ujë të vjetër ndotur prej baltrave të reja. Nuk ka më as qetësi pleqsh e as të qeshura fëmijësh. Por ka vetëm klithma të marra që qeshin e thërrasin, që lakmojnë territorin e dikujt më të dobët dhe më të brishtë.
Gjithashtu tek “Elegji për Kosovën” vërehen elementët biblikë të përmendur më sipër. Pleqtë janë urtësia. Fëmijët janë naiviteti. Nuset janë vazhdimësia. Qiparisat janë sakrifica. Rrapet janë qëndresa. Të ndërthurur në poezi, ndërtojnë ngjarjet e ndodhura gjatë bastisjeve, dëbimeve dhe largimit të një popullsie prej shtëpive të tyre. Fëmijët do të rriten larg atdheut të mbytur prej baltës, nuset do të lindin larg tokave të kthyera në varre dhe pleqtë, burrat, të rënët do të prehen nën qiparisat e krasitur prej një bahçevani të paditur.


Leave a comment