Satira politike e Fishtës

Published on

in

,

Prodhimi letrar i Fishtës është i madh, ai ka dhënë kontribut në të gjitha gjinitë letrare, në epikë, satirikë, lirikë, dramatikë e publicistikë. Në këtë punim do të fokusohemi vetëm në krijimtarinë satirike, e më konkretisht në veprën “Gomari i Babatasit”, sepse sipas nesh ajo paraqet një rëndësi të madhe në historinë e letrave shqipe, por edhe për faktin se është një “vepër e hapur” dhe i flet lexuesit të çdo kohe. Fishta do ta kultivojë satirikën që herët, për ta shkruar atë gjatë gjithë jetës. Njohim si më përfaqësueset “Anzat e Parnasit” (1907), “Gomarin e Babatasit” (1931), por mjaft të tjera janë të shpërndara nëpër periodikë apo të mbetura në dorëshkrim.

Nëse do ta përkufizonim me një fjali të vetme të gjithë krijimtarinë satirike fsihtiane, do të përdornim shprehjen bajroniane: “Qeshem për punë të njerëzve se s’mundem me kja”. Ky do të jetë tharmi kryesor i lëndës satirike, prej të cilit Fishta do të niset për të mbërritur përsëri. Fakti që Fishta e kritikon ashpër shoqërinë shqiptare, mentalitetin e saj të prapambetur, paragjykimet anadollake dhe manierat e shumta të shqiptarit për  t’u dukur, dëshmon një njohje të thellë të tij. Ai ka ndjekur me vëmendje të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet sociale shqiptare të kohës së tij, duke zbuluar elementet universale të shoqërisë, e prandaj, vepra e tij u flet edhe lexuesëve të sotëm si një e dhënë faktike.

Vepra satirike do t’i referohet anës tragji-komike të jetës shqiptare, mentalitetit të shumëpërfolur e anadollak të shqiptarit, i cili kërkon të jetë evropian në dukje, e në parime turkoshak. Fishta do të bëj një ravijëzim universal të portretit të shqiptarit dhe një kopsitje gati profetike të karakterit të tij, për t’i treguar së fundmi këtij populli haptazi të ardhmen që e pret.

Prejardhja e satirës

Satira, fjalë që rrjedh nga latinishtja dhe që ka kuptimin farsë në vargje, është një kompozicion poetik që përpunon me qëllime moralizuese e kritike aspekte, figura dhe mjedise të karakterit kulturor e shoqëror. Ajo drejtohet kah përqeshja e sendeve në emër të të gjithë ndërtimit, kuptimit dhe paraqitjes së përshkrimeve të kundërta.[1]

Në kulturën helene poezia satirike (komedia) ka lindur pas epit dhe tragjedisë. Ky fakt nuk është një rregull i shkruar, por është një rend i krijuar, mund të themi historikisht, në zhvillimin e një letërsie. Kur një letërsi ndihet e ngopur me vetveten, lind satira me fëmijët e vet, ironinë dhe sarkazmin. Vetë fjala satirë, në etimologjinë e saj koincidon me fatin historik të lindjes së satirës: satira rrjedh prej fjalës latine satur, që d.t.th i mbushur, i ngopur, i i mbushulluar. Në historinë e letërsisë shqipe satira lind pas veprës së Naim Frashërit. Fishta dhe Çajupi janë dy patrikët e vërtetë të poezisë satirike, edhe pse disa nga bejtexhinjtë kanë shkruar edhe ndonjë poezi satirike.[2] Edhe Françesk Anton Santori ka shkruar fabula dhe vjersha satiriko-humoristike, por ato nuk kanë komunikuar deri vonë me lexuesin në Shqipëri.

Fishta do të frymëzohet përherë nga Juvenali, dhe thënia e tij “Facit indignatio versum” (Zemërimi bën poezinë) është ajo që përligj gjithë krijimet satirike të këtij autori. Ashtu si Juvenali, i cili i dha satirës latine funksionin e denoncimit të veseve publike, edhe  Fishta këtë gjë  do ta kryejë përmes përdorimit të  toneve patetike dhe  deklamatore.

Fishta: i pari satirik

Satira e Fishtës shfaqej krejt ndryshe nga satira e bejtexhinjve, po ndryshe edhe nga pjesa më e madhe e satirës së Çajupit. Satira e tij ishte më intelektuale, më sarkastike, më literare dhe më sociale. Përveç dallimeve në idetë poetike, kjo satirë dallonte edhe me vargun përsosmërisht të kultivuar sipas metrikës klasiciste. Fishta në satirën e tij nuk shfaqej si një poet në krijim, po si një poet i përfunduar.[3] Sipas studiuesit B. Kosumi[4], vepra e Fishtës do të mbetet e para vepër satirike e botuar në letërsinë shqipe: fillon periudha e një letërsie të artikuluar si zë i një vetëdije kritike dhe zë i protestës ndaj shoqërisë dhe shfaqjeve të ndryshme të saj. Ky model i shkrimit letrar shënon ndarjen e madhe nga përvoja romantike, por edhe nga përvoja letrare shqiptare në përgjithësi. Fishta dhe Çajupi do të vënë themelet e kësaj gjinie.

Ernest Koliqi, Pal Duka-Gjini dhe Alfred Çapaliku përmendin poezinë shpotitëse popullore që këndohej nëpër malësi dhe poezinë satirike qytetare shkodrane si burim i mundshëm i dellit satirik të Fishtës. Sigurisht që ky qe një burim frymëzimi për gjeniun krijues të Fishtës, por një burim tjetër më me ndikim qe padyshim letërsia antike greke e romake, të cilën Fishta e adhuronte.[5] Këtë gjë e dëshmojnë tituj e nëntituj e veprave të tij satirike të cilat korrespondojnë me tituj të veprave antike greke e romake. Por në shkollën proklasike shkodrane, poezisë satirike do t’ia hapte rrugën  Atë Leonardo de Martino, prej të cilit Fishta do të mësonte shumë.

Siç na dëshmon studiuesja L. Sula, Fishta filloi të botojë krijime satirike që më 1899, në revistën Albania (Bruksel, Londër) të drejtuar nga Konica.[6] Por vëllimi Anzat e Parnasit do të dalë më 1907. At Daniel Gjeçaj tregon se, me këto satira qysh në rini Fishta do të lëshohej me vrull kundër të gjithë atyre që për një arsye a për një tjetër i cenonin idealet e shenjta apo i mohonin në parim e në vepra.[7]

Satira politiko-sociale

Vepra satirike e Fishtës dëshmon se ai njihte më së miri dhe kishte kurajën të pasqyronte strukturat dhe funksionet e shoqërisë shqiptare, sistemet tona kulturore, progresin e regresin tonë social. Politika është një tjetër realitet i satirës së Fishtës. Organizimet formale e joformale, burokracia, sistemet politike, qeveria e shteti, preken në satirën e tij.[8]

Gomarin e Babatasit vetë Fishta do ta përcaktojë si satirë politike: “Gomari i Babatasit është poemë satirike në formë dramatike, përbërë nga dy pjesë. Në të stigmatizohet plogështia, arroganca, imoraliteti, marria dhe mashtrimi i udhëheqësve të së kaluarës së çështjeve publike dhe politike të Shqipërisë. Pjesa e parë u botua më 1923, njëmijë vargjet e para u përpinë në katër ditë. Pjesa e dytë, shumë më realiste, falë “kujdesit” të treguar nuk u botua. [9] Në satirën politike e veçanërisht tek kjo vepër (Gomari i Babatasit), Fishta bën për objekt probleme që e kanë shoqëruar gjithmonë shoqërinë shqiptare, si: korrupsioni shtetëror, politika anadollake, izolimi politik, cenimi i lirisë së fjalës etj. Moderniteti i kësaj satire sipas studiuesit S.Çapaliku, qëndron jo thjesht në faktin se ai si shkrimtar denoncon shpërdorimin e praktikuar nga politikanët e këtij shteti, por se kemi të bëjmë me një artist që kallëzon gjithë tmerr procesin e mistifikimit të ndërgjegjeve, një proces që luhet në sytë e “bashkëkohësve” nga kasta sunduese.[10]

Duke qenë më së shumti politike, këto satira nisen nga probleme konkrete, individë konkretë, që i përkasin një shoqërie që vetë autori e ka ndjerë e jetuar, dhe si rrjedhojë e ka kritikuar. Tanimë, është e ditur se në zanafillë të “Gomarit të Babatasit” qëndron mundja e Gjergj Fishtës në një lojë dominosh prej Dhimitër Beratit, ministër i qeverisë shqiptare të asokohshme; për t’ia bërë akoma më  të rëndë humbjen ai i shkruan një poezi humoristike dhe ia dërgon, e prej kësaj Fishta revoltohet dhe i thotë: “He, Toskë! He, Toskë! Ti ke marrë pendën për të shpotitë nji Gegë; tashti prite se kush asht Gega! Kam për ta kallzue vetë!”[11] E kush më mirë se Fishta dinte të shkruante poezi satirike?! I zhgënjyer prej jetës politike shqiptare në përgjithësi dhe prej parlamentarizmit shqiptar veçanërisht, më 1922 teksa ndodhej në Paris njofton sivëllain e vet At Pal Dodajn: “Jam tue shkrue nji poemë satrike fort me randësi, në tetërrokësha të rimuem, dy kangët e para të së cilës, shpresoj, kanë për të qenë gati para se të la Parisin. Do të flitet në këtë poemë për jetën politike shqiptare, si atë të kaluemen, të tashmen, edhe të ardhmen.”[12]

I ndodhur në Paris, në një qytet shembull të qytetërimit por edhe të jetës politike, Fishta ndoshta e  ndjente akoma më shumë absurditetin e shoqërisë prej nga vinte, dhe rrëfente në një mënyrë gati  profetike se kjo situatë (jo vetëm politike), do të jetë e përhershme, madje e gjithhershme: Shqipëria nuk ka për të njohur ditë të mira, sepse burimin e fatkeqësisë e ka të brendshëm. Do të jenë demagogët që ajo pjell, të cilët do ta rrënojnë herë pas herë, ashtu siç kanë rrënuar po këta qytetërime akoma më të mëdha. Është profetik ky pohim i Fishtës, sepse Shqipëria e sotme dhe jeta politike e vendit nuk është më e mirë se ajo e përshkruar prej tij; e njëjta situatë vazhdon, të njëjtën demagogë udhëheqin, dhe si përfundim rezultati zhgënjen.  Sipas studiuesit Plasari, tek Gomari i Babatasit demagogu shqiptar është pikëzuar në tërë tipologjinë e vet: si vagabond, si rrugaç që në Shqipëri nuk ka se ç’humb përveçse të fitojë, si shqiptar i shpifur apo gjysmë-shqiptar që e quan veten turk. E po kështu Plasari përfundon duke thënë se: nëse britanikët i meritonin “Udhëtimet e Guliverit”, rusët “Shpirtrat e vdekur” apo gjermanët “Përrallën e dimrit”, shqiptarët duhet t’i kenë pasur hak jo më pak hem “Gomarin”, hem “Zogun e Gomarit”.[13]

Për studiuesin A. Pipa,  Fishta asht tepër i kujtueshëm për mos me u mjerue nder satira vehtjake. Kte mandej nuk i a lejonte as misioni i tij fetar. Satira e tij ka për sfond-prap e gjithnji-probleme të përgjithshme. Pse Fishta mandej preferon ndër kto probleme Atdheun ( Jo ma Fen qi ktu nuk ka vend) asht krejt e udhës. E kjo vetëm për strukturën gjenuine të shpirtit të vet malcuer, por edhe prej qyshkevet historiko-politike. Aj e deshti atdheun me të tanë fuqinë e shpirtit të djegun nga malli i lirisë, i këndoi dhe i madhnoi malet përmendore t’amshueme të vërtytevet të fisit shqiptar. Atdheu për te u ba nji ideal i dyfishtë: më njenën anë ishte nevojë e shpirtit të tij të gjanë, e i ngjalte pezmatim për padrejtësinë qi i bahej Shqipnisë prej të huejvet, ishte ngjitja e mishnueshme e arbnorit për trojet e veta, për ambëlsinë e votrës qi Fishta aq pak njohti, ishte ngushullim, mandej qi vinte nga shpresat, ngushullim për vehte e për popullin jetim qi mirë e ndiente mungesën e lirisë.[14] Duke vazhduar më tej Pipa thotë se satirikat e Fishtës lindin prej nji pasioni psikologjik të ndrydhun, të prishun, e qi mbetë pasion. [15] Satirika e Fishtës do të keë si gjihmonë bosht kryesor atdhe-dashurinë. Toni i tyre (satirave) është shoqëror dhe politik. Plot ironi e sarkazëm, qortimet bëhen të ashpra dhe ia dalin të arrijnë efektet e dëshiruara.

Fishta kështu u bë interpretues i realitetit në të cilin jetonte, dhe zgjodhi ta godiste atë me armën e tij më të fortë: vargun (e hidhur satirik). Të gjitha varjiacjonet e shportis enden e shenden në veprën e tij.[16] Për Ernest Koliqin, koha e rrethânat lypshin nji veprimtari letrare e cila të rrahte problematikën e kombit qi mkâmbej kah pamvarsija. Kuptoi se zêmra e madhe e popullit ishte në kerkesë të nji zâni qi të lëshonte kushtrime për t’arrijtë në pikësynimet e lakmueme kombtare.[17] Fishta bân të vetat jo vetëm cilsít e mira të kombit, por edhe të gjitha të metat. Personaliteti i tij çveshet nga të tâna sipërstrukturat e ndryshme kulturore, a mâ mirë, i shkrin elementat e tyne në flakën e prirjevet typike shqiptare edhe na paraqitet poet i gatuem me brumë të thjeshtë ethnik. Të gjitha reaksjonet e substancës ethnike mbështillen e përdridhen, zhvillohen e ndërlikohen në veprën e tij, e cila mund të njehet nji encyklopedi e vërtetë e botës mâ gjenuine shqiptare.[18]

Gomari i Babatasit: tematika dhe veçori të veprës

Me Gomarin e Babatasit dhe Viskun e Babatasit, Fishta krijoi një model të ri në letërsinë satirike: modelin  e romanit në vargje. Gomari i Babatasit [1923] dhe Visku i Babatasit [1924-1994] janë dy libra të shkruar në kohë të njëjtë dhe të botuar në kohë të ndryshme. I pari, është shkruar dhe botuar në vitin 1923, jo me emrin e Fishtës, por me pseudonimin Gegë Toska. Libri i dytë Visku i Babatasit, ka dy pjesë dhe është shkruar në vjeshtën e vitit 1924 dhe botuar pas vdekjes së autorit.[19] Gomari i Babatasit i ka rrënjët thellë në situatën politike-sociale të Shqipërisë së viteve 1921-1923. Ai shkruhet në një situatë të tendosur politike, në të cilën interferonin dhe një mori problemesh të tjera që vinin si rrjedhojë e kompleksve historike të pushtetarëve dhe të instrumenteve të tyre popullore.

Duke qenë një vepër me pak veprim dhe shumë ligjërim, Fishta i kushton vëmendje karakterizimit të personazheve. Është një nga mënyrat e përftimit të humorit, pikërisht portretizimi karikaturë i figurave të dramës. Personazhet e Fishtës janë portrete qesharake, ironike e mëshirëndjellëse.[20] Hero të satirës së vet Fishta bën shqiptarin, i cili përjeton një kundërshti të thellë brenda vetes dhe në shoqërinë që jeton, sepse për 5 shekuj me radhë ai është ndikuar nga mendësia osmane, dhe tanimë ka brenda vetes dëshirën për t’u rikthyer në trugun e vjetër të familjes indoevropiane. Ky shqiptar nuk mund të ishte malësori, sepse atje, në malësi, që të dy proceset, edhe ai i ndikimit oriental, edhe ai i përshtatjes evropiane pas krijimit të shtetit shqiptar, kishin depërtuar shumë pak dhe shumë më ngadalë. Mbishtresat e këtyre ndikimeve vëreheshin më shumë te shtresa e qytetarisë, e paragjykuar më shumë për ndikime, për shkak të karakterit kozmopolit të qytetit. Fishta i vë përballë këto dy botë shqiptare: botën qytetare (heterogjene e proanadollake) he botën e malësorit (homogjene dhe puro shqiptare), duke sugjeruar këtë të dytën si bazë për përkufizimin e identitetit të ri shqiptar.[21]

Qi t’gjith na, po, t’gjith si jina,
Gegë e Toskë, fushë e malcina,
Qytetarë – edhe fashatarë,
Nëpër rreze të lirisë
T’vehna m’rrugë të qytetnisë,
Ë t’kem’ bukë edhe qetsi,
Përparim n’Shtet edhe n’shpi
E mos t’vuejm gjih atë siklet,
Qi vuejtë kem’ për pesqind vjet…

                                                                        (Gomari i Babaasit)

Karakterizimin e personazheve e bën duke u nisur nga persona të vërtetë, realë, të cilët qëndronin në krye të institucioneve shtetërore. Personazhi i Babatasit sipas studiuesve krijohet sipas shëmbëlltyrës së një Anastas Babatasi, një pseudo-intelektual, i cili përmendet shpesh edhe tek Albania e Konicës. Ai ishte i shquar për deklaratat e tij antigege, antiklerikale dhe antikatolike; por i famëshëm ishe bërë më shumë për faktin se në punë shkonte me gomar dhe e lidhte në dritaret e Kryeministrisë apo Ministrisë së Jashtme. Edhe personazhi i Nebil Çikës, vjen si një personazh historik, një publicist laik që kritikonte nëpër të përkohëshmet pikëpamjet e klerit katolik. Karakteret e personazheve të Gomarit të Babatasit nuk janë të tërësishëm, ata janë skematikë, të paracaktuar për një vijë karakteri dhe përfundojnë të tillë. Kjo gjë e rrit vlerën e satirës së Fishtës, sepse teksti letrar përfundon jo vetëm si një satirë e zakonshme, por si parodi, si mohim absolut i së keqes, si përbuzje e përgjithshme, si sarkazmi më i lartë.[22]

Me gjith kta populli i ngratë
Prap ka ngelun me bukë thatë,
E me crule e zhele m’shtat,
E me krye aj për nën bat,
Tuj u vra gjindja n’ditë t’sotit
Si kjenë vra kta dikur motit;
Pse ata dhet a pesmdhetë vetë,
Qi “kolltukun” e Atdheut t’shkretë
E kanë ba sod monopol
Edhe dajnë rrogat me spol
Ata ‘i t’mirë vendit s’i a reshën
Veç shka kombin t’ngartë e zhveshën
Me “tarifa”, “taksa” e “oktrova”
Me “xhelepa” e tjera prova.

                                                                        (Gomari i Babatasit)

Përgjatë tekstit vihet re përdorimi i shumtë i turqizmave. Ato janë përdorur më së shumti për të karakterizuar mentalitetin, situatat, karakteret orientale të personazheve. Turqizmat luajnë një rol të drejtëpërdrejtë emocional në ndërtimin e satirës. Shpesh me përzierjen e huazimeve Fishta luan me idenë e hibridizimit. Psh kur ai thotë: “redingoti me fustan”, këto dy fjalë që vijnë njëra prej perëndimit e tjetra prej lindjes, bashkohen tek Fishta për të karakterizuar mushkëzimin e personazhit të tij politik, duke krijuar kështu një efekt të dukshëm satirik.[23]

Si përfundim, bashkohemi me mendimin e Karl Gurakuqit kur thotë: “Fishta punoi për popull, jetoi me popull, me at popull, qi tash sa vjetë po mirre nëpër kambë dhe n’emnin e të cilit asht  tue u luejtë tragjedia ma e ndytë e historis s’onë. Ata nuk i a duen të mirën popullit, kurse Fishta shkrini krejt jetën e vet për të.”[24]

Fishta është i pari poet satirik në letërsinë shqipe, dhe me të fillon një periudhë e letërsisë si një zë i artikuluar i vetëdijes kritike. Vepra e tij dëshmon se ai kishte një njohje shumë të mirë të shoqërisë shqiptare dhe të strukturave më të thella të saj. Gomari i Babatasit është një satirë politiko-sociale, në të cilën stigmatizohet mashtrimi që i bëhet popullit shqiptar prej udhëheqësve që ka në krye dhe plogështia e të gjitha institucioneve shtetërore. Fishta niset prej figura konkrete njerëzisht për të bërë karakterizimin e personazheve, të cilët janë shëmbëlltyra të prototipave të shoqërisë shqiptare jo vetëm të asaj kohe. Duke dashur të krijojë idenë e hibridizmit, pra të gjendjes së dyzuar të shqiptarit, i cili ndodhet herë përkrah lindjes e herë përkrah perëndimit; Fishta përdorë turqizma të shumta, për t’ia shtuar ngjyresat tekstit.

Temat kryesore rreth të cilave vërtitet boshti i kësaj vepre janë:

  • Metamorfoza e shoqërisë shqiptare
  • Mentaliteti anadollak i pushtetarëve të Shqipërisë
  • Përdorimi i pushtetit sipas interesave vetjake
  • Patriotizmi i rrejshëm
  • Demagogët dhe raporti i tyre me popullin
  • Mbyllja e shkollave fetare dhe dëmi që ato me gjasë i shkaktojnë shoqërisë

[1] Cituar sipas Çapaliku, Stefan: Fishta satirik, Universiteti i Shkodrës, Shkodër, 1995, f. 24.

[2] Kosumi, Bajram. Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi 81, Prishtinë, 2012, f. 98-99.

[3] Kosumi, Bajram. Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi 81, Prishtinë, 2012, f. 99.

[4] Kosumi, Bajram. Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi 81, Prishtinë, 2012, f. 215.

[5] Kosumi, Bajram. Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi 81, Prishtinë, 2012, f. 100.

[6] Sula, Lili. Poezia e Fishtës, Tezë doktorature, Tiranë, 2012, f.164.

[7] Gjeçaj, At Daniel. Gjergj Fishta jeta dhe vepra, Botime frençeskane, Shkodër, 2007, f.226.

[8] Çapaliku, Stefan. Fishta satirik, Universiteti i Shkodrës, Shkodër, 1995, f. 38-39.

[9] At Gjergj Fishta, 1941, f.335. Cituar sipas Lili Sula, Poezia e Fishtës, Tezë doktorature, Tiranë, 2012, f. 166.

[10] Plasari, Aurel. Moderniteti i një satire klasike, Hylli i Dritës, Tiranë, 1996, f.159.

[11] Plasari, Aurel. Dy fjalë: për “Gomarin” dhe “Viskun”, në Gjergj Fishta, Gomari i Babatasit, Hylli i Dritës, Tiranë, 1994, f. 5.

[12] Plasari, Aurel. Dy fjalë: për “Gomarin” dhe “Viskun”, në Gjergj Fishta, Gomari i Babatasit, Hylli i Dritës, Tiranë, 1994, f. 6.

[13] Plasari, Aurel. Dy fjalë: për “Gomarin” dhe “Viskun”, në Gjergj Fishta, Gomari i Babatasit, Hylli i Dritës, Tiranë, 1994, f. 8.

[14] Pipa, Arshi. Fishta: njeriu dhe vepra, Kritika, Princi, Tiranë, 2006, f.103.

[15] Pipa, Arshi. Fishta: njeriu dhe vepra, Kritika, Princi, Tiranë, 2006, f.103.

[16] Koliqi, Ernest. Gjergj Fishta, ky poet i madh kombëtar, Vepra 5, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f.74.

[17] Koliqi, Ernest. Fishta si njeri dhe si poet, Vepra 5, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f.115.

[18] Koliqi, Ernest. Gjergj Fishta, ky poet i madh kombëtar, Vepra 5, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f.74.

[19] Kosumi, Bajram. Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi 81, Prishtinë, 2012, f. 218.

[20] Sula, Lili. Poezia e Fishtës, Tezë doktorature, Tiranë, 2012, f. 166.

[21] Kosumi, Bajram. Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi 81, Prishtinë, 2012, f. 216.

[22] Kosumi, Bajram. Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi 81, Prishtinë, 2012, f. 220.

[23] Çapaliku, Stefan. Poetika e satirës fishtiane, Hylli i Dritës, Tiranë, 1996, f.135.

[24] Gurakuqi, Karl. Pse kaq mëni kundra Fishtës?, Shejzat, nr.11-12, 1961, f.419.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.