Nën vullkan | Malcolm Lowry

…Zoti Laruel, i cili kishte lindur në Languion, në qytezën e Mosel, por babai i të cilit, një filatelist i pasur me zakone të hershme, ishte zhvendosur në Paris, zakonisht kalonte pushimet e verës me prindërit në Normandi gjatë rinisë. Kurseli, në Kalvados, pranë Kanalit Anglez, nuk ishte ndonjë resort për t’u mbajtur mend. As që i afrohej një të tilli. Aty ndodheshin disa shtëpi pushimi bajate, kilometra larg prej dunave të rërës dhe deti ishte akull i ftohtë. Por ndodhi që në Kursel, mes askundi, në vapën përvëluese të verës së 1911-ës, që familja e poetit të famshëm anglez Abraham Taskerson, kishte ardhur, duke sjellë me vete jetimin e çuditshëm anglo-indian, një krijesë pesëmbëdhjetë vjeçare, kaq të turpshëm e njëherazi kurioz të vetëpërmbajtur, i cili shkroi poezitë që Taskersoni i vjetër (që qëndronte në shtëpi) me sa duket ia kishte shtënë në mend, dhe i cili kishte të ngjarë t’ia plaste të qarit nëse i përmendje fjalët “mama” dhe “baba”, Zhaku, thuajse në një moshë me të, ishte ndier çuditërisht i dhënë pas tij: dhe prej kur djali tjetër i Taskersonëve – thuajse gjashtë vjeç, thuajse më i rritur, dhe dukej qartë që i përkiste një race tjetër, anipse ata ishin në fakt farefis me Xhofri Firmin – prirej të afrohej dhe ta linte djaloshin vetëm, pa tek ai një punë me leverdi. Ata endeshin së bashku përgjatë bregut me “hunjtë” e vjetër të golfit në duar të sjellë nga Angli dhe me ca topa mjeranë dhe rrjepacakë që priteshin të përcilleshin në shëtitjen e tyre të fundit mes detit. “Xhofri” u bë “Grosha e vjetër”. Laruel mère për të cilën, gjithsesi, ishte “poeti i ri e i bukur anglez”, gjithashtu e pëlqente. Taskerson mère e kishte adhuruar djaloshin francez: përfundimi qe se Zhakut iu kërkua të kalonte shtatorin në Angli me Taskersonët, ku Xhofri do të qëndronte deri në fillim të vitit të ri shkollor. Babai i Zhakut, që e mendonte të birin në arsimin anglez deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, pranoi. Ai admironte veçanërisht karron e lartë të Taskersonëve… Dhe në këtë mënyrë M. Laruel erdhi në Lisove.
Ishte një nivel më i lartë dhe më i qytetëruar i Kurselit në bregun veriperëndimor anglez. Taskersonët jetonin në një shtëpi të rehatshme, kopshti i pasmë i së cilës qëndronte në një fushë golfi të bukur e të valëzuar, kufizuar për së tejmi prej detit. Dukej si det; në fakt ishte grykëderdhja, shtatë milje e gjerë, e një lumi: pragun e detit e shënjonin kuajt e bardhë në drejtim të perëndimit. Malet e Uellsit, të zbehtë, të zinj e plot re, herëdokur me nga një majë bore sa për të të kujtuar Xhofin e Indisë, shtriheshin përtej lumit. Përgjatë javës, kur iu lejohej të luanin, fusha ishte e shkretë: lulëverdhat e këputura fluturonin mbi leshterikët dalë prej detit. Në breg shiheshin mbetjet e një pylli paradiluvian me ca trungje të zinj e të shëmtuar, e më tej dukej një far i vjetër, i shkretë dhe kokëfortë. Në grykëderdhje kishte një ishull, me një mulli ere mbi të, si ato lulet e zeza kureshtare, në të cilin mund të shkosh hipur mbi gomar gjatë baticave. Tymi i anijeve të mallrave që niseshin nga Liverpuli qëndronin tej në horizont. Mbizotëronte ndjesia e hapësirës dhe boshësisë. Vetëm gjatë fundjavave ndodhte e kundërta: anipse sezonit po i afrohej fundi dhe hotelet gri hidropatikë përgjatë shëtitoreve po zbrazeshin, fusha e golfit ishte ende e mbushur me tregtarët e Liverpulit që luanin katërshe. Nga mëngjesi i së shtunës e deri në mbrëmjen e së dielës, një breshëri e vazhdueshme topash golfi që humbitnin trajektoren bombardonte çatinë. Pastaj ishte kënaqësi më vete të dilje me Xhofrin në qytet, i cili qe ende plot vajza të bukura e buzagaz, për të mos harruar ecjen nëpër rrugët me erë ndriçuar prej diellit dhe vizitat në shfaqjet komike të Pierrotit në plazh. Apo më e mira nga të gjitha; lundrimi në lagunë mbi një jaht dymbëdhjetë këmbë të gjatë të huazuar dhe të drejtuar me mjeshtëri nga Xhofri.
Xhofri dhe ai – njëlloj si në Kursel – kishin lënë shumë pa thënë. Dhe Zhaku tani e kuptoi fare qartë pse ai kishte parë kaq pak nga Taskersonët në Normandi. Ata djem ishin bredharakë të paarritshëm, kaq shumë të guximshëm. Nuk mendonin gjë tjetër, veçse të ecnin njëzetepesë-tridhjetë milje në ditë. Por ajo që dukej ende e çuditshme, duke marrë parasysh që nuk kishin arritur moshën madhore, ishte se pinin dhe shumë alkool. Në një ecje prej pesë miljesh ata do të ndalonin në aq shumë “bare” dhe do të pinin një apo dy kriklla të mëdha me birrë. Edhe më të rinjtë, ata që ende nuk kishin bërë pesëmbëdhjetë vjeç, do të kapnin numrin gjashtë të gotave birre brenda pasdites. Dhe nëse ndonjë prej tyre do të sëmurej e do të villte, aq më mirë për të. Kjo do të thoshte më shumë hapësirë në stomak. As Zhaku, i cili njihej për stomak të dobët – megjithëse qe mësuar të pinte hera-herës ndonjë gotë verë në shtëpi – as Xhofri, të cilit as që i pëlqente shija e birrës dhe sikur të mos mjaftonte kjo ndoqi dhe një shkollë kaq të rreptë Ueslejan, nuk mund ta duronin këtë ritëm mesjetar. Ama e gjithë familja pinte në mënyrë të tepruar. Plaku Taskerson, një burrë babaxhan, kishte humbur të vetmin prej bijve që pat trashëguar një farë talenti letrar; çdo natë ulej mendueshëm në dhomën e tij me derën hapur, duke pirë kohë e pa kohë, me macet në prehër, me gazetën e mbrëmjes që kërciste në shenjë proteste për djemtë e tjerë, të cilët ashtu bashkë siç ishin, pinin pa reshtur në dhomën e ngrënies. Zonja Taskerson, a thua të qe tjetër njeri brenda mureve të shtëpisë, mbase prej arsyes se nuk kishte kujt t’i bënte përshtypje, u ul me djemtë e saj, me fytyrën e bukur e të skuqur, gjysmë kundërshtuese, por megjithatë nisi të pinte me gëzim si gjithë të tjerët. Ishte e vërtetë që djemtë e kishin një fillim. Nuk mund të thuhet se i përkitnin kategorisë së atyre që e bënin rrugën duke u valëvitur. Për ta çështje e nderit ishte se, sa më shumë të dehur të bëheshin, aq më shumë esëll duhet t’a shisnin veten. Kështu që si rregull ata ecnin krejtësisht të krekosur, shpatullat drejt, sytë lart, si rojtarë në detyrë, vetëm se, aty nga fundi i ditës, me po atë “karro të ngritur”, për t’i rënë shkurt, e kishin bërë për vete të atin e Laruelit. Megjithatë, nuk do të ishte diçka e re nëse një mëngjes të gjeje gjithë familjen duke fjetur në dyshemenë e dhomës së ngrënies. E përsëri asnjë prej tyre nuk do të ndihej në pozitë për këtë. Qilari ishte gjithmonë përplot me fuçi birre dhe nuk qëndronte asnjë çast mbyllur. Të shëndetshëm e të fuqishëm, djemtë hanin si luanë. Hanin të brendshme të përziera deleje dhe puding të zi i njohur si pudingu i gjakut, një farë përzierje të brendshmesh të mbështjella me tërshërë të cilat Zhaku mendonte se mund t’i bënin dëm – boudin , a nuk e ditke Zhak – ndërkohë Grosha e Vjetër, që tashmë e thërrisnin më së shumti “ai Firmin -i”, qëndronte si i mefshtë diku në qoshe, me gotën e biterit të paprekur, duke u përpjekur si me zor të bënte ndonjë bisedë me zotin Taskerson.
Në fillim qe e vështirë të kuptoje se çfarë kërkonte “ai Firmin” në një familje të atillë. Ata nuk kishin asgjë të përbashkët, e për më tepër nuk shkonin as në të njëjtën shkollë. Përsëri mund të shihej qartë që farefisi që e dërgoi pranë tyre kishte folur si mos më mirë për ta. “Hunda e Xhofrit qe gjithmonë mes librave”, ndaj “kushëri Abrahami”, puna e të cilit kish marrë për nga feja, duhet të ishte “njeriu i duhur” që mund ta ndihmonte. Sa për djemtë, ata me siguri dinin po aq pak për ta saç dinte dhe familja e Zhakut: ata kishin fituar të gjithë çmimet mbi gjuhët, si edhe të gjithë çmimet mbi atletikën: me siguri këta zemërartë do të ishin “thjesht ajo gjëja” që do të ndihmonin Xhofrin e gjorë të kalonte atë fazë mefshtësie dhe të ndalonte “së tjerri lesh” në llogari të të atit dhe të Indisë. Zhakut i pikonte zemra për të gjorin Groshë të Vjetër. Mamaja i pat vdekur që në foshnjëri, në Kashmir, dhe pa u bërë viti, i ati, që do të martohej për së dyti, në mënyrë krejt të turpshme, thjesht u zhduk. Askush në Kashmir apo kund tjetër nuk e dinte ç’mund t’i kishte ndodhur. Një ditë ai kishte marrë rrugën lart për në Himalaje dhe qe zhdukur, duke e lënë Xhofrin në Srinagar, bashkë me gjysmë vëllain e tij, Hju, ende fëmijë gjiri, dhe njerkën. Pastaj, si të mos mjaftonte kjo, vdiq dhe njerka, duke i lënë fëmijët jetimë në mes të Indisë. I gjori Groshë e Vjetër. Ai ishte me të vërtetë, pavarësisht sa e çuditshme mund t’i dukej, aq i prekur prej çdo mirësie që i bëhej. Madje ai prekej edhe kur e quanin “ai Firmin-i”. Dhe qe kaq i përkushtuar ndaj plakut Taskerson. Zoti Laruel ndjeu se në mënyrën e tij, ai ishte i përkushtuar ndaj të gjithë Taskersonëve dhe se do t’i kishte mbrojtur ata deri në vdekje. Kishte diçka çarmatosëse dhe në të njëjtën kohë kaq besnike tek ai. Fundja, djemtë e Taskersonit, në mënyrën e tyre të përbindshme të blofit anglez, bënë çmos për të mos e lënë jashtë dhe për t’i treguar atij simpatinë e tyre gjatë pushimeve të tij të para në Angli. Nuk ishte faji i tyre që ai nuk mund të pinte shtatë kriklla birrë në katërmbëdhjetë minuta, apo të ecte pesëdhjetë milje pa rënë. Pjesërisht Zhaku gjendej këtu për shkak të tyre sa për t’u gjendur nën shoqëri. Dhe ata pjesërisht ia kishin arritur qëllimit t’a bënin atë t’i dilte turpi. Pasi nga Taskersonët, Grosha e Vjetër të paktën kishte mësuar, njëjtë si Zhaku me të, artin anglez e “gjuajtjes së vajzave”. Ata kishin një këngë absurde të Pierrot-it, që mundësisht e këndonin me theksin francez të Zhakut. Zhaku dhe ai ecnin përgjatë shëtitores duke kënduar:
Oh ne të gjiiithë ECIM ze uiberli uoberli ECIM
Dhe ne të gjiiithë FLASIM ze uiberli uoberli FLASIM
Dhe ne të gjiiithë DËGJOJMË ze uiberli uoberli DËGJOJMË
Dhe ne të gjiiithë VESHIM ze uiberli uoberli KRAVATË
Dhe-shohim-nga-ze-vajzat-me-sy-të-uiberli-uoberli-bukur. Oh! Ne të gjiiithë KËNDOJMË ze uiberli uoberli KËNGËN
Derisa ze dita të shuhet,
Dhe-ne-të-gjithë-atë-uiberli-uoberli-uoberli-uiberli-uiberli-uoberli-ndjejmë
në ze mëngjes.
E më pas rituali qe të thërrisnin “Hej” dhe iknin pas ndonjë vajze admirimin e së cilës e imagjinoni, nëse ndodhte që ajo të kthehej, do të ndizeshit përbrenda. Nëse dilnit me sukses dhe kjo gjë ndodhte pas perëndimit, do ta çonit për shëtitje kah fusha e golfit, e cila ishte plot (siç thoshin Taskersonët) me “stola të mirë për t’u ulur”. Këto ulëse ndodheshin te bunkerët ose midis grykës së dunave. Zakonisht bunkerët ishin të thellë dhe plot rërë, por të papërshkueshëm nga era; ama asnjë nuk ishte më i thellë se “Bunkeri i Ferrit”. Bunkeri i Ferrit ishte vërtet i frikshëm, gjendej afër shtëpisë së Taskersonëve, në mes të rrugës së gjatë e të pjerrët me numër tetë. Megjithëse zinte hapësirë të madhe, e ruante gjelbërimin vetëm në një krah, aty nga e majta ku ngjante si pjerrinë. Pjerrina shtrihej në një pozicion të atillë sa një lojtar golfi si Xhofri, i bukur prej natyre dhe i këndshëm, mund t’a kalonte me tri gjuajtje, ndërsa një lojtar si Zhaku i duheshin pesëmbëdhjetë të tilla. Zhaku dhe Grosha e Vjetër shpesh kishin menduar se Bunkeri i Ferrit do të ishte vend i mirë për të çuar vajza, megjithëse dihej se pavarësisht kësaj asgjë nuk do të ndodhte. Në përgjithësi në të gjithë biznesin e “gjuajtjes” kishte një frymë pafajësie. Pas ca kohësh Grosha e Vjetër, i cili qe ende i virgjër si për ta thënë më butë, dhe Zhaku, që pretendonte se nuk qe, e patën zakon të zinin vajza në shëtitore, të ecnin në fushën e golfit, të ndaheshin aty dhe të takoheshin më vonë. Taskersonët, çuditërisht, qenë të rregullt me oraret. Larueli nuk e dinte as sot e kësaj dite pse nuk kishte kuptueshmëri mbi Bunkerin e Ferrit. Sigurisht që nuk kishte për qëllim të luante Peeping Tom me Xhofrin. Pat ndodhur njëherë të kalonte atypari me vajzën e tij, e cila e kish mërzitur, po kapërcente rrugën e tetë drejt Lisou Drajv kur të dy u tutën nga zërat që vinin nga brendia e bunkerit. Pastaj drita e hënës u hodh mbi skenën e çuditshme drejt së cilës as ai dhe as vajza nuk guxuan të kthenin kokën. Larueli do të ishte larguar nxitimthi, por asnjë prej tyre – nuk qenë as të vetëdijshëm për ndikimin e ndjeshëm për aq sa po ndodhte në Bunkerin e Ferrit – nuk mund ta kontrollonte të qeshurën. Çuditërisht, Larueli as që i mbante mend komentet, i kujtohej vetëm çehrja e Xhofrit nën dritën e hënës dhe mënyra e sikletshme groteske e vajzës që rrokullisej nën këmbët e saj, e më pas, si Xhofri ashtu dhe ai nisën të mbanin një qëndrim stoik. Së bashku u nisën drejt tavernës me emrin e çuditshëm “The case is Altered”. Qe padyshim hera e parë që Konsulli kishte hyrë në një bar me iniciativën e tij; ai porositi Xhoni Uolker me zërin në kupë të qiellit, por kamarieri, duke u konsultuar me pronarin, refuzoi t’iu shërbente me justifikimin që janë ende të mitur. Mjerisht, miqësia e tyre nuk iu mbijetoi dot këtyre dy zhgënjimeve të vogla – megjithëse të sigurta – e të trishta. Ndërkohë babai i Laruelit e kishte braktisur idenë e shkollimit në Angli. Pushimet kaluan në shkreti dhe stuhi ekuinoktike. Kishte qenë një lamtumirë melankolike dhe e zymtë në Liverpul dhe një udhëtim i trishtueshëm prej Doverit e në shtëpi, ku përfundoi si qepëshitës në varkën që endej në kanalin e Kalaisit.

Përktheu Antonio Çikollari

Leave a comment

Create a website or blog at WordPress.com

Up ↑