Një roman në dosjet e policisë | Gazmend Krasniqi

Meqë studentët më nxisin që të rikthehem edhe unë personazh, nxjerr një antologji poetike nga çanta dhe shkoj nga dera. Pasi shikoj se nuk ka njerëz në korridor, filloj e lexoj poezi në një pozicion ku kapaku i derës më fsheh nga studentët, por ndërkohë kujdesem që zëri im t’u shkojë sa më qartë, edhe pse nga një mjedis antimimesis. Janë poezitë e njohura të kurrikulave mësimore, të poetëve që, rëndom, quhen patriarkët e letërsisë.
Duhet kohë për të zbuluar të metat e poemave të quajtura të mëdha. Ndjesia e parë që ato shkaktojnë, është admirimi; për sa kohë që ky nuk është zhdukur apo ndryshuar, nuk mund t’i vërejnë të metat. Kur mbaroj leximin dhe shfaqem para studentëve, shoh ca fytyra të lexueshme qartë, të ca njerëzve që ndihen në habitatin e tyre. Krejt pa mundim, i interpretojnë poezitë me nga një fjali të thatë proze, duke dhënë një moral apo alegori.
Vetëm studenti që ndihej Abraham, me një zë ku serioziteti duhet parë me vëmendje, thotë: Te njëri nga leximet, m’u duk sikur dikush thjesht po
zbrazte ca halle te vetat. Pra, nuk më erdhi me një veshje poetike.
Pak me ngurrim, por e aprovuan edhe disa të tjerë. Dua të them, vazhdoi ai, se vargjet e Marin Barinit përcjellin më shumë. Për shembull, ato vargjet që ia hapën dyert e burgut, “duar prej ajri” apo “duar prej zjarri” më japin më shumë… a mund të them “informacion”? Bukuria është informacion, thotë Juri Lotman.
Shkoj te dera dhe veproj si herën e parë: vazhdoj leximin me poezi të Frederikut, meqë janë të afërta me ato të Marin Barinit.
Kur fillojnë analizën e vargjeve “Era si ketër kërcen mbi drurin / me boçen e shiut ndër dhëmbë, e shohin se u duhet kohë më shumë.
Edhe një gjë, profesor, thotë “Abrahami”. Ndërsa po nxjerr “informacionin”, vë re se itinerari Tiranë- Vjenë Tiranë nuk po më hyn në punë. Pra, jeta e poetit. Është
gjë e mirë apo e keqe? Bëj një ese me këtë titull, i them. Dhe shiko nëse do ta
gjesh vetë përgjigjen. Të tjerët i shoh xhelozë për shokun që ndihet i vlerësuar në këto ndërhyrje.
A e dini çfarë? them pas pak. Bëjeni këtë ese të gjithë, Pamja që marrin fytyrat e tyre, duket sikur më thotë:
Ashtu mendoni?
Bëj sikur nuk e vë re dhe ata fillojnë të çuçurisin me njëri-tjetrin: shenjë se janë zënë ngushtë.
Ndërhyj edhe një herë:
Nuk është e thënë ta mbaroni sot.
Por nuk po fillonin.
Kemi një kusht, thotë studentja që ndodhet në bankë me “Abrahamin”. Edhe nëse na del që jeta e tij nuk ka rëndësi për analizat tona, a do të na lejoni të flasim ndonjëherë për të? Për jetën apo për pikëpamjet e tij?
Po rrija te dritarja pa e kthyer kokën, por shikoja në xham se si po prisnin përgjigjen.
Nuk po më jepej të përgjigjesha: kisha frikë se do ta kuptonin po të më dridhej zëri… (fragment)

Leave a comment

Create a website or blog at WordPress.com

Up ↑