Muri i madh dhe librat | Jorge Luis Borges

Published on

in

Lexova, ditë më parë, se njeriu që urdhëroi lartimin e ledhit, gati të pafund kinez, qe po ai Perandor i Parë, Shi Tuang Ti, që diktoi të hidheshin në zjarr të gjithë librat e shkruar para tij. Fakti se dy sipërmarrjet e mëdha – pesë a gjashtëqind nyjet e gurëve kundërvënë barbarëve, anullimi rigoroz i historisë, pra i së kaluarës – nxiteshin nga i njëjti person dhe se ishin njëfarësoj atribute të tij, në mënyrë të pashpjegueshme më joshi dhe, në të njëjtën kohë, më shqetësoi. Hetimi i arsyeve të atij emocioni është dhe qëllimi i këtij shënimi.

Historikisht, asnjë mister nuk fshihet te këto dy masa. Bashkëkohës i luftës së Hanibalit, Shi Hung Ti, mbreti i Tsin, mori nën pushtetin e tij Gjashtë Mbretëritë dhe asgjësoi sistemin feudal; ai ngriti murin e madh, sepse ledhet duheshin për mbrojtje; i dogji librat, sepse opozita i thërriste në kuvend për të lëvduar perandorët e lashtë. Djegia e librave dhe ngritja e fortifikimeve është detyrë e zakonshme e princërve; gjëja e veçantë te Shi Huang Ti qe shkalla sipas së cilës veproi. Kjo është, ajo çfarë arrin të kuptosh prej disa sinologëve, por unë ndjej se faktet që kam sjellë janë diçka më shumë se një teprim a hiperbolë urdhëresash të zakonshme. Të rrethosh një arë apo një kopsht është mëse e zakonshme; të rrethosh një perandori është krejt ndryshe. Dhe as nuk është çikërrimë të pretendosh që më tradicionalja e racave të heqë dorë nga kujtesa e të kaluarës së vet, mitike qoftë a e vërtetë. Tremijë vjet kronologji kishin kinezët (dhe në ato vite, Perandori i Verdhë dhe Çuang Tzu dhe Konfuci dhe Lao Tzu), kur Shi Huant Ti dha urdhër që historia të fillonte prej tij.

Shi Huang Ti kish syrgjynosur të ëmën prej sifateve të saj të këqija; në drejtësinë e tij të rreptë ortodoksët nuk panë tjetër gjë veçse një herezi; Shi Huang Ti, mbase desh të shkatërronte librat kanonikë, sepse këta e akuzonin; mbase desh të zhdukte gjithë të shkuarën për të shlyer një kujtim të vetëm: poshtërsinë e së ëmës. (Në mënyrë jo të ndryshme një mbret në Judë, vrau gjithë fëmijët vetëm prej njërit.) Kjo gjendje është e pranueshme, por nuk na thotë asgjë për murin e madh, për fytyrën e dytë të mitit. Shi Huang Ti, sipas historianëve, ndaloi të përmendej vdekja si edhe kërkoi eliksirin e pavdekësisë e u mbyll në një pallat emblematik, që kishte aq dhoma sa ditë ka viti; këto të dhëna tregojnë se muri i madh në hapësirë dhe djegia në kohë qenë pengesa magjike të caktuara për të ndaluar vdekjen. Të gjitha gjërat duan të qëndrojnë në të qenët e tyre, ka shkruar Baruh Spinoza; ndoshta dhe Perandori desh të krijonte fillimin e kohës ndaj dhe u vetëquajt i Pari, që të qe vërtet i pari, dhe u quajt Huang Ti, për të qenë disi Huang Ti, perandori legjendar që shpiku shkrimin dhe busullën. Ky, sipas Librit të Riteve, i dha emrin e vërtetë gjërave; në të njëjtën mënyrë Shi Huang Ti u lëvdua, në mbishkrimet që na kanë mbetur, me faktin se të gjitha gjërat, në perandorinë e tij, kishin emrin që u shkon për shtat. Ai ëndërroi themelimin e një dinastie të pavdekshme; dha urdhër që pasardhësit e tij të quheshin Perandori i Dytë, Perandori i Tretë, Perandori i Katërt, e kështu në pafundësi… Unë fola për një qëllim magjik, mund edhe të hamendësohet se ngritja e murit dhe djegia e librave nuk kanë qenë veprime të njëkohshme. Çka (sipas rendit që do parapëlqenim) do të na jepte imazhin e një mbreti që filloi me shkatërrimin e mandej përfundoi te mbrojtja, ase atë të një mbreti të zhgënjyer që shkatërroi atë çka më parë e mbronte. Të dy mendimet janë dramatike, por mesa di, s’kanë baza historike. Hebert Alen Gils rrëfen se ata që dhunuan librat u damkosën me hekur të nxehtë dhe u dënuan me ndërtim, deri në ditën e vdekjes së tyre, në murin e pamatë. Ky lajm përkrah ose lejon një interpretim tjetër, ndoshta muri i madh qe një metaforë, ndoshta Shi Huang Ti dënoi ata që adhuronin të kaluarën me një vepër të madhe sa e kaluara, dhe po aq të kotë. Muri i madh qe ndoshta një sfidë dhe Shi Huang Ti mendoi: “Njerëzit e duan të kaluarën dhe kundër kësaj dashurie s’mundet asgjë, e asgjë s’munden xhelatët e mi, por një ditë do të vijë dikush që të ndiejë si unë, dhe ky do ta shkatërrojë murin tim, sikurse unë shkatërrova librat, do ta fshijë kujtimin tim dhe do jetë hija e pasqyra ime, por nuk do ta dijë.” Ndoshta Shi Huang Ti e rrethoi me mur perandorinë, sepse e dinte se kjo ishte e përkohshme dhe i shkatërroi librat, sepse e kuptoi se ishin libra të shenjtë, ase libra që mësojnë çka mëson gjithësia mbarë ose ndërgjegja e çdo njeriu. Ndoshta djegia e bibliotekave dhe ndërtimi i murit të madh janë veprime që në mënyrë të fshehtë vetasgjësohen.

Muri i guximshëm që në këtë çast, dhe në të gjithë çastet e mundshme, projekton mbi toka që s’kam për të parë sistemin e tij të hijeve, është hija e një Çezati i cili urdhëroi që më respektploti nga kombet të digjte të kaluarën e vet; ka të ngjarë që kjo ide të na prekë e vetme, pavarësisht nga situata që lejon. (Virtyti i saj mundet të qëndrojë te kundërvënia e ndërtimit dhe shkatërrimit, në shkallë të gjerë). Duke e përgjithësuar rastin e mëparshëm, mund të nxjerrim përfundimin se të gjitha format e përmbajnë virtytin e tyre në vetvete dhe jo në një “përmbajtje” konjukturale. Çka do përputhej me tezën e Benedeto Kroçes; Pater-i, që në 1877, pohoi se të gjitha artet priren drejt gjendjes së muzikës, që është formë e kulluar. Muzika, gjendjet e lumturisë, mitologjia, fytyrat e gdhendura nga koha, disa mugullime dhe disa vende, duan të na thonë diçka, ose diçka patën thënë që s’duhej ta humbisnim, ose janë duke thënë diçka; kjo aftësi e një zbulese, që nuk vjen, është ndoshta, fakti estetik.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.